Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

MUNGESA E VULLNETIT NË BEOGRAD NDIHMON TË DYSHUARIT PËR KRIME LUFTE


TIMES

Nëntë vjetë pas nënshkrimit të Marrëveshjes Paqësore të Daytonit, e cila i dha fund luftës në Bosnjë, shtatë vjetë pas aktpadisë së ngritur nga Tribunali i Hagës për gjenocid dhe pesë vjet pas shpërblimit të ofruar prej 5 milionë dollarësh nga Departamenti amerikan i Shtetit për arrestimin e tij, Ratko Mladiç vazhdon t’i ikë drejtësisë. Arsyeja kryesore, është padyshim fakti se ai vazhdon të gëzojë mbështetjen e ish kolegëve të tij në ushtrinë serbe dhe atë të serbëve të Bosnjës, të cilët ende e konsiderojnë si një hero që ka mbrojtur interesat serbe kundër perëndimit dhe i cili ka ndihmuar në krijimin e Republikës serbe të Bosnjës, e cila ka përfshirë gjysmën e territorit të këtij vendi.
Përkrahësit e tij e kanë strehuar, ndërsa arratisjes së tij në shumë raste i ka ndihmuar edhe terreni malor i Bosnjës dhe ambjenti armiqësor. Por, këto nuk janë arsyet e vetme që kanë mundësuar lirinë e gjeneralit Mladiç. Perëndimi dhe qeveritë pro-perëndimore në Beograd janë akuzuar për një kohë të gjatë për mungesën e vullnetit. Forcat paqeruajtëse të NATO-s kanë zbarkuar në Bosnjë në vitin 1995, duke e ndarë këtë vend në tre sektore që kontrolloheshin nga forcat amerikane, britanike dhe franceze. Fillimisht, ata nguronin të arrestonin gjeneralin Mladiç, Radovan Karaxhiçin dhe të dyshuarit e tjerë për krime lufte, nga frika se mund të provokohej një konflikt i ri. Ka pasur gjithashtu dyshime, të cilat shpesh janë mohuar, se francezët kanë qenë ata që kanë paraqitur pengesat për shkak të simpatisë së tyre historike ndaj serbëve.
Në Beograd ndërkaq, në tetor të vitit 2000 Slobodan Milosheviçi u shkarkua nga posti i tij si president i Jugosllavisë dhe është zëvendësuar nga Vojisllav Koshtunica, i cili edhe pse kishte një ndjenjë simpatie për perëndimin, si nacionalist i moderuar, ai nuk ishte i gatshëm të dërgonte zotin Karaxhiç dhe gjeneralin Mladiç në Hagë. Zoran Gjingjiç, në cilësinë e kryeministrit të Serbisë, ishte ai që dëshironte t’i arrestonte të arratisurit për të përmirësuar raportet e vendit të tij me perëndimin, por ai u vra në mars të vitit 2003. Në verën e po këtij viti, Londra dhe Uashingtoni sforcuan gjuetinë e tyre, në përpjekje për t’i arrestuar të dyshuarit para se NATO-ja ta dorëzonte misionin e vet paqeruajtës në Bosnjë në duart e një misioni të Bashkimit Evropian. Ata shtuan numrin e bastisjeve, arrestuan përkrahësit e dyshuar të Mladiçit dhe Karaxhiçit, ngrinë llogaritë e tyre bankare dhe vendosën ndalesa udhëtimi. Madje, Lordi Paddy Ashdown, i dërguari i komunitetit ndërkombëtar në Bosnjë, ka shkarkuar 59 zyrtarë të lartë dhe pjesëtarë të policisë nga rradhët e serbëve të Bosnjës, nën akuzat se kanë ndihmuar të arratisurit. Por, deri më sot, asnjë i dyshuar për krime lufte nga Tribunali, nuk është arrestuar nga policia serbe e Bosnjës. Mandati i Lordit Ashdown përfundon në dhjetor të vitit të ardhshëm. Ai është i vendosur që të shtojë çmimin që duhet paguar kokëfortësia e serbëve, duke tërhequr vërejtjen se Bosnja nuk do të jetë kurrë në gjendje t’i bashkohet Bashkimit Evropian ose NATO -s. Perëndimi shpreson se me një gjë të tillë, bashkëkombasit e Mladiçit dhe Karaxhiçit do të mund të kthehen kundër tyre, duke besuar çmimi që kërkohet për lirinë e tyre është shumë i madh për t’u paguar.
XS
SM
MD
LG