Ndërlidhjet

KABINETI BUSH II -NJERËZ LOJALË?


Andrew F. Tully

Administrata e dytë e Bushit do të ketë disa fytyra të reja, por jo edhe ide të reja. Kjo të paktën shihet nga konsenzusi që presidenti amerikan George Bush ka marrë për zëvendësimin e më shumë se gjysmës së sekretarëve të kabinetit të tij.
Emrat më të mëdha që largohen janë Sekretari i Shtetit Colin Powell, Prokurori i përgjithshëm John Ashcroft dhe Sekretari për Siguri të Brendshme Tom Ridge.
Por sa janë të rëndësishëm ata që po largohen, po aq janë edhe ata që mbeten. Ndër ta më i njohuri është Donald Rumsfeld, shefi kontraverz i Pentagonit.
Ndryshimet e Bushit duket sikur synojnë konsolidimin e pozicioneve politike, të cilat shpesh herë ishin objekt i kritikave gjatë mandatit të parë 4 vjeçar.
Nëse një fjalë e vetme do ta përshkruante kabinetin e dytë të Bushit, kjo mund të jetë lojaliteti. Analistët thonë se lojaliteti ishte çelësi kryesor në zgjedhjet e Bushit për zëvendësimin e sekretarëve të kabinetit, të cilët i bënë publike dorëheqjet e tyre para mandatit të dytë të presidentit, që zyrtarisht fillon në janar.
Patrick Basham nga Instituti Cato në Uashington, thotë se administrata e re thellësisht dallohet nga e vjetra. Ai thotë se Bushi dhe këshilltarët kryesorë të tij, përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes Donald Rumsfeld dhe nënpresidentin Dick Cheney, duken sikur besojnë se koha e debateve erdhi dhe shkoi.
"Kishte një debat në fillim të mandatit të parë të presidentit lidhur me strategjinë e politikës së jashtme. Presidenti e ndryshoi mendjen, u bind nga neokonservatorët se kishte një rrugë, e cila duhej të ndiqet. Sa i përket atij, debati u zhvillua dhe me kaq mori fund", thotë Basham.
Analistët thonë se ndryshimi më i rëndësishëm është zgjedhja e këshilltares së ashpër për siguri kombëtare Condoleezza Rice në krye të Departamentit të Shtetit. Në 4 vitet e shkuara, Colin Powell u angazhua në një sërë debatesh politike me Rumsfeld dhe Cheney. Pak vetë besojnë që Rice do t'i vërë në pyetje politikat kyçe, ashtu siç bëri Powell, i cili e kundërshtoi invazionin në Irak.
Robert Spietzer, profesor i politikës në Universitetin Cortland të Nju Jorkut, i tha Radios Evropa e Lirë se duke i dhënë fund debatit, administrata tani përballet me jo-baraspeshë në vendim-marrje, gjë që mund të çojë në probleme, sidomos në politikën e jashtme.
"Derisa përpiqet t'i baraspeshojë dy vlerat, pra duke dëshiruar njerëz lojalë në pozicionet kryesore, dhe duke dëshiruar debat të sinqertë për opsionet e rëndësishme politike, administrata e Bushit e ka tepruar me theksimin e lojalitetit dhe me mos-theksimin e shqyrtimit të ideve", thotë Spitzer.
Përveç Rice, një ndryshim tjetër kyç përfshin dorëheqjen e Prokurorit të përgjithshëm John Ashcroft. Konservatori Ashcroft u krikua shumë për shtypjen e myslimanëve dhe të huajve pas sulmeve teroriste të 11 shtatorit. Grupet për të drejtat e njeriut thonë se arrestoi qindra njerëz pa i respektuar normat ligjore.
Pasardhësi i tij, ish këshilltari në Shtëpinë e Bardhë Alberto Gonzalez, konsiderohet tepër konservator dhe tejet lojal ndaj presidentit, prandaj nuk pritet të bëjë shumë ndryshime në Departamentin e Drejtësisë.
Bill Frenzel dy dekada ka qenë anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve. Frenzel beson se presidenti duhet të kritikohet nëse synon që sekretarët e kabinetit t'i pasqyrojnë vetëm pikëpamjet e tij. Por ish kongresmeni republikan nga Minnesota thotë se çdo president i ka prerogativat e veta.
"Mendoj se është krejt normale që një president të dojë të ushtrojë kontroll të ngushtë. Mendoj se ai mund të kritikohet arsyeshëm, por gjithashtu mund të jetë e arsyeshme edhe metoda e operacionit, me të cilën presidenti përpiqet që departamenti të punojë për të", thotë Frenzel.
Ngjashëm mendon edhe analisti Basham. Ai thotë se ndryshimet në kabinet duken si të planifikuara shumë më parë, dhe janë në një vijë me efikasitetin e njohur të Bushit, i cili përfshin disiplinën mbi gjithçka, prej përpikërisë në orarin e punës, e deri te kontrolli i mos rrjedhjes së informatave në mediat.
Por ndryshimet në kabinetin e Bushit janë të rëndësishme jo vetëm për ata që shkojnë, por edhe për ata që mbesin. Rumsfeld u përball me kritika më shumë se çdo sekretar tjetër, përfshirë thirrjet për dorëheqjen e tij pas vargut të skandaleve me torturat që i përfshinë trupat amerikane në Irak.
XS
SM
MD
LG