Ndërlidhjet

BRUKSEL


Bashkimi Evropian dhe Turqia arritën sot marrëveshjen për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në tetor të vitit të ardhshëm. Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso deklaroi se vendimi paraqet "një fillim të ri për Evropën dhe për Turqinë". Mëtutje zoti Barroso tha:

- Sinqerisht besoj se sot kemi një zgjidhje që është e mirë për Turqinë dhe e mirë për Bashkimin Evropian. Ajo u përgjigjet kërkesave të të dy palëve dhe lejon që të lëvizet përpara.

Kjo marrëveshje u bë pasi liderët e BE-së dhe të Turqisë arritën kompromis lidhur me Qipron. Kryeministri i Holandës, Jan Peter Balkenende, që kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, tha se Turqia është përkushtuar që ta respektoj marrëveshjen kufitare të vitit 1963, që përfshinë edhe 10 vendet e reja anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë këtu edhe Qipron. Por ai ka thënë se kjo nuk është njohje formale e qeverisë greke të Qipros, pikë kjo në të cilën këmbëngulte Turqia. Lidhur me marrëveshjen e BE-së, që me Turqinë ti filloj bisedimet për anëtarësim, sot foli edhe kryeministri britanik, Tonny Blair:

- Fakti se Turqia është shtet mysliman nuk do të thotë se asaj duhet ti ndalohet hyrja në BE. Përkundrazi, nëse ajo i plotëson parimet e njejta të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut, atëherë myslimanët dhe të krishterët mund të punojnë së bashku dhe ky është një sinjal shumë i rëndësishëm për mbarë botën.

Të 25 liderët e Bashkimit Evropian sot poashtu konfirmuan se me Bullgarinë dhe Rumaninë në prill të vitit të ardhshëm do të nënshkruhet marrëveshja e hyrjes, ndërsa me Kroacinë bisedimet për pranim do të fillojnë më 17 Mars 2005, nëse Kroacia i dorëzon të akuzuarit për krime të luftës.
XS
SM
MD
LG