Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

VAZHDON PROCESI I KTHIMIT TË TË ZHVENDOSURVE NË KOSOVË


Në fshatrat Smaçe dhe Sërbica e Epërme, që ndodhen rreth 10 kilometra larg qytetit të Prizrenit, gjatë muajit nëntor janë kthyer 9 familjarë të komunitetit serb. Derisa të ndërtohen shtëpitë e tyre, serbët e kthyer jetojnë në shkollën e rinovuar të fshatit Novakomë, ku para 2 viteve janë kthyer 69 pjestarë të komunitetit serb. Këta të fundit janë vendosur prej kohësh në shtëpitë e tyre të rinovuara, nga një organizatë humanitare gjermane.
Dimitrije Stanojeviq, jeton me familjen e tij në Rakovicë të Serbisë, ku paguan dhe qiranë nga 60 euro në muaj dhe tani mendon të kthehet.
“Jetojmë dhe ushqehemi dobët. Pension nuk kam ngase unë kam qenë bujk”, thotë ai. Për shkak të kushteve të rënda të jetesës, thotë se është i shtrënguar të kthehet në fshatin e tij.
“Shtëpia po me rindërtohet. Me disa fqinjë jam takuar dhe më përshëndesin e disa të tjerë bëhen së s’më shohin, por unë nuk u hidhërohem atyre”, thotë Stanojeviq.
Për të kaluarën time, shton ai, ndihem i ndërgjegjëshëm dhe shprehet i gatshëm të kthehet dhe rifillojë jetën e tij në pronën e vet.
Një familje tjetër, ajo e kryefamiljarit Stanko Stojanoviq, që do të kthehet, aktualisht jeton në fshatin Stojqevë, afër Zrenjaninit në Serbi. Kryefamiljari Stanojeviq thotë se ndihet i lumtur që po i rindërtohet shtëpia dhe që po i krijohen kushtet për kthim, por shqetësimi i tij është siguria dhe liria e lëvizjes.
“Nuk ka siguri, nuk ka asgjë dhe nuk e di se si do të jetojë kur nuk do të mund të punoj asgjë”, shprehet ai.
Ndërkohë Zllatko Andrijeviq, nga Serbica e Epërme, thotë se familja e tij është dhjetë anëtarëshe kurse ka pesë vjet që jeton në një strehimore kolektive në Serbi. Shtëpia e tij tash është rinovuar, por ai nuk është ende i kënaqur me punën e bërë.
“Unë do të kthehesha por në këto kushte si të kthehem, si në stallë, ku ka dy dhoma dhe një banjo", thotë ai. Raportet ndër etnike në këtë fshat sipas tij, kanë qenë çdo herë të mira.
“Kurrë askujt asgjë nuk i kam bërë dhe këtë e dinë të gjithë fqinjët”, thotë Andrijeviq.
Procesi i kthimit të personave të zhvendosur në Kosovë, është seleksionuar nga UNMIK-u dhe qeveria e Kosovës në kuadër të katër standardeve me prioritet, krahas sigurisë, lirisë së lëvizjes dhe decentralizimit. Përparimet në këto fusha dhe vlerësimi pozitiv në përmbushjen e këtyre katër standardeve gjatë gjashtë muajve në vijim, është thënë disa herë nga mekanizmat ndërkombëtare, se do të jetë faktor përcaktues për hapjen e diskutimeve për përcaktimin e statusit të Kosovës në mesin e vitit të ardhshëm.

Zijadin Gashi
XS
SM
MD
LG