Ndërlidhjet

CËRVENKOVSKI: KOSOVA ÇËSHTJA E FUNDIT E MADHE E HAPUR NË BALLKAN


Zërijeta Hajro Jahjaga, Shkup

Presidenti i Maqedonisë paralajmëroi se parakusht për të korrur sukses vendi në të gjitha drejtimet është ndërtimi i marrëdhënieve të mira ndëretnike. Ai me këtë rast i bëri thirrje qeverisë që së shpejti të ofrojë legjislativë që rregullon çështjet e përdorimit të gjuhëve si dhe të simboleve etnike.
"Bazë themelore, kusht i domosdoshëm për çdo gjë tjetër në vend janë marrëdhëniet e mira ndëretnike. Nëse jemi të suksesshëm në këtë plan do të krijojmë ambjent real që t'u përkushtohemi prioriteteve të tjera. E nëse dështojmë këtu, të kota janë diskutimet për zhvillim më të shpejtë ekonomik, për hyrje në Bashkimin Evropian ose NATO," tha presidenti i Maqedonisë Branko Cërvenkovski, në ekspozenë tradicionale vjetore para parlamentit të Maqedonisë. Presidenti Cërvenkovski në ekspozenë vjetore u përqëndrua edhe në çështjen e statusit të Kosovës, duke theksuar siç u shpreh ai, indicjet e përdorimit dhe keqpërdorimit të Maqedonisë për nevojat e negociatorëve.
"Kosova është çështja e fundit e madhe e hapur e Ballkanit. Prej mënyrës se si do t'i qaset faktorit ndërkombëtar zgjidhjes së saj, si do të menaxhohet tërë procesi, sa do të zgjatë dhe çfarë epilogu do të ketë, në masë të madhe varet edhe stabiliteti në mbarë rajonin", ka theksuar Cërvenkovski, duke shtuar:
"Me qëllim që të realizohen pozicione më të mira negociuese, përfaqësues të caktuar të Beogradit dhe Prishtinës në deklaratat e tyre, shpesh herë e përdorin dhe keqpërdorin Maqedoninë, duke e shfrytëzuar si argument në dobi të pozicionit personal," ka theksuar presidenti i Maqedonisë Branko Cërvenkovski. Në këtë kontekst, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti tha:
"Mendoj se ajo është një paraqitje më tepër politike, sepse qëndrimi ynë dihet tashmë, sepse ne do të mbështetim çdo zgjidhje që arrihet mes Prishtinës dhe Beogradit dhe komunitetit ndërkombëtar."
Partia Demokratike Shqiptare ka vlerësuar se ekspozeja e presidentit Cervenkovski ishte një grusht premtimesh boshe.
"Siç dihet me kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, kryetari i shtetit ka shumë pak pushtet për të ndikuar në jetën e vendit në përgjithësi. Duke patur parasysh mënyrën se si u zgjodh zoti Cërvenkovski, mendoj se gjatë praktikimit të funksionit të kryetarit të shtetit, duhet të përqëndrohet dhe të fokusohet që të bëhet një element, i cili i bashkon, një element, i cili qetëson dhe jo një element, i cili do të mbrojë vetëm një pozicion, atë të qeverisë dhe pozicionin e partisë së tij. Deri tani ai ka dëshmuar se është shumë i njëanshëm, prandaj duhet t'i lerë anash përdorimin e termave abstrakte dhe të përqëndrohet, fokusohet, të fitojë besimin e të gjithë faktorëve të cilët mund të ndikojnë që ky vend të zhvillohet", vlerëson deputeti i Partisë Demokratike Shqiptare Zamir Dika.
Ndërkaq opozita maqedonase ka theksuar se fjalimi i rregullt i presidentit dëshmon qartë se Cërvenkovski, nuk dëshiron të heqë dorë nga influenca e tij në politikën që harton qeveria.

XS
SM
MD
LG