Ndërlidhjet

A DO TË NDRYSHOJË STRATEGJIA USHTARAKE PAS SULMIT NË MOSUL?


Daisy Sindelar

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara thanë se shpërthimi në bazën ushtarake në Mosul, me gjasë ishte sulm vetëvrasës, ndërsa njoftimi nxiti kritika për masat e sigurisë në objektet amerikane në Irak.
Kreu i Pentagonit Donald Rumsfeld të mërkurën e mbrojti përkushtimin për sigurinë e trupave amerikane.
Disa vëzhgues thonë se Pentagoni bën punë të mjaftueshme për sigurimin dhe furnizimin e ushtarëve amerikanë me pajisje, por të tjerët thonë se sulmet, si ai në Mosul, tregojnë se është koha që Shtetet e Bashkuara ta rishikojnë strategjinë në Irak.
Ky ishte muaj i vështirë për Sekretarin e Mbrojtjes Donald Rumsfeld. Kreu i mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara u kritikua për mungesën e autoblindave për trupat amerikane në Irak. Gjithashtu u kritikua edhe për përdorimin e makinës së kopjimit, gjatë nënshkrimit të mbi 1.000 letrave ngushëlluese për familjet e ushtarëve të vrarë, në vend që t'i nënshkruajë me dorën e tij. Të mërkurën, edhe një herë u desh të arsyetohej para gazetarëve, që e pyetën nëse masat e sigurisë nuk mjaftonin për ta parandaluar sulmuesin vetëvrasës, që hyri në bazën amerikane në Mosul, duke lënë 22 të vrarë, shumica ushtarë amerikanë.
Rumsfeld tha se "sigurimi i trupave paraqet sfidë të madhe, për të cilën forcat tona punojnë vazhdimisht".
"Jam vërtetë i pikëlluar nga ideja se dikush mund ta ketë fituar përshtypjen se unë apo të tjerët këtu nuk bëjmë asgjë për mbrojtjen e jetëve të luftëtarëve tanë në të gjitha mënyrat e mundshme" tha Rumsfeld.
Zyrtarët e ushtrisë amerikane fillimisht spekuluan se shpërthimi në Mosul ishte pasojë e një sulmi me mortajë, të shkrepur jashtë bazës.
Por deklarata e gjeneralit Richard Myers, kreut të shtatmadhorisë së ushtrisë amerikane, se sulmi mund të ishte shkaktuar nga sulmues vetëvrasës, ngjalli dyshime të reja.
A janë planifikuesit ushtarakë amerikanë të aftë që t'u mundësojnë trupave të Shteteve të Bashkuara siguri të mjaftueshme? Dhe, a thua sulmi vdekjeprurës në Mosul është sinjal për ndryshimin e strategjisë?
Anthony Cordesman, nga Qendra për Studime Strategjike në Uashington, thotë se sulmi në Mosul, edhe pse shkatërrimtar, nuk paraqet arsye për të ndryshuar strategjinë ushtarake amerikane në Irak.
"Duhet ta shohim në kontekstin e 1.600 deri 2.500 incidenteve brenda një muaji në Irak. Do të ketë raste kur kryengritësit do të jenë më efektivë se në rastet tjera. Incidente po aq të tmerrshme ishin edhe ato në Najaf dhe Qerbela ku u vranë 68 dhe u plagosën 175 irakienë. Do të ishte gabim që cilido nga këto incidente të merrej si arsye për të ndryshuar strategjinë", thotë Cordesman.
Të martën, Grupi Ndërkombëtar i Krizave i bëri thirrje Uashingtonit ta ndryshojë strategjinë dhe t'u japë më shumë pushtet irakienëve. Raporti thotë se ushtria amerikane më shumë duhet të përqëndrohet në fitimin e simpative tek irakienët, e jo në eliminimin e kryengritësve. Nënkryetari i grupit Mark Schneider, thotë se strategjia për luftimin e kryengritësve duhet të bëjë dallime midis ekstremistëve të huaj dhe nacionalistëve sunitë, të pakënaqur nga prania e amerikanëve.
"Ajo që përpiqemi të themi, është se ata të paktën duhen parë të veçuar. Duhet patur strategjinë për luftimin e kryengritësve, e cila do t'i tërhiqte anash ata sunitë, që dëshirojnë ardhmëri të re politike, në të cilën do të kishin mundësi më të mëdha të marrin pjesë, por ku nuk do ta shihnin dominimin e Shteteve të Bashkuara", thotë Schneider.
Daniel Serwer nga Instituti amerikan për Paqe, gjithashtu e vë theksin te zhvillimi politik i Irakut.
"Mendoj se nocioni që strategjia luftarake të jetë mbi strategjinë politike, nuk është edhe aq i drejtë. Duhet të ketë një shtyllë më të fortë politike. Mund ta shkretoni Mosulin ashtu siç e shkretuat Fallujan, por kjo nuk e zgjidh problemin", thotë Serwer.

XS
SM
MD
LG