Ndërlidhjet

DREJTUESIT MË TË LARTË TË KOSOVËS OPTIMISTË PËR VITIN 2005


Drejtuesit e institucioneve të Kosovës kanë dërguar mesazhe optimiste për vitin 2005, duke e parë atë si vit të realizimit të synimeve për shtetësinë e Kosovës dhe kanë ftuar qytetarët që të kenë besim tek institucionet.
Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, në mesazhin e tij të Vitit të Ri tha se viti që po lëmë pas ishte një vit i suksesshëm.
"Ishte një vit i forcimit të lirisë, sigurisë dhe ekonomisë, si dhe insistimit të popullit për njohjen formale të pavarësisë", tha z.Rugova.
Presidenti i Kosovës tha se viti në të cilin po shkelim do të jetë vit i progresit më të madh të Kosovës, një vit më efikas i institucioneve dhe i zhvillimit më të hovshëm ekonomik. Ai ka shfaqur shpresën se do të vazhdojë bartja e kompetencave tek institucionet:
"Në planin e brendshëm do të punojmë më fuqishëm në mbrojtjen dhe integrimin e grupeve etnike apo minoriteteve në shoqërinë dhe në shtetin e Kosovës. Po ashtu do të punojmë për vlerësimin e progresit të vendit tonë apo të standardeve prioritare për integrim në Bashkimin Evropian dhe në strukturat evroatlantike."
Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, me rastin e një pritjeje për Vitin e Ri premtoi përparim të gjithanshëm dhe realizim të synimeve të popullit të Kosovës.
"Unë them me përgjegjësi të plotë se kosovarët për herë të parë do ta hetojnë në standardin e vet se kanë institucione të përgjegjshme prandaj them se janë krijuar parakushtet që të futemi në një etapë shumë serioze", theksoi Daci.
Zoti Daci tha se kjo etapë ka të bëjë edhe me planin e brendshëm, por edhe me planin e jashtëm. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se serioziteti i institucioneve siguron përmbushjen e objektivave për shtetësinë e Kosovës.
"Mund të flas me besim të plotë në emër të qeverisë se qeveria dhe institucionet e kanë marrë me përgjegjësi obligimin që kanë, janë në veprim dhe do t’i zbatojmë ato objektiva që i kemi dhe do ta bëjmë Ksoovën shtet", tha kryeministri Haradinaj.
Zyrtarët më të lartë të institucioneve të Kosovës kanë organizuar sot pritjet e tyre tradicionale për Vitin e Ri.

Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG