Ndërlidhjet

SERWER:"STATUSI I KOSOVËS ZGJIDHET BRENDA 3 DERI 5 VITESH"


Daniel SERWER, drejtor në Institutin për paqë të SHBA-ve


RADIO EVROPA E LIRË
Këto ditë kemi mospajtime lidhur me kompetencat ndërmjet ndërkombëtarëve dhe institucioneve kosovare. Liderët politikë shqiptarë thonë se “atyre u duhen më tepër kompetenca për të marrë më tepër përgjegjësi”. Si e shpjegoni ju këtë situatë?

DANIEL SERWER
Mendoj se situata është e vështirë…në këtë situatë duhet të ketë fleksibilitet nga të dy anët. Nuk do të jetë lehtë…vazhdimisht do të ketë negociata rreth kompetencave. Mendoj se dhënia e kompetencave, në një masë, është e ngadalshme, por do të thosha, gjithashtu, se disa nga punët që institucionet e Kosovës i kanë bërë ose po përpiqen të bëjnë ishin të çuditshme. Prandaj mendoj se për këtë gjë duhet të bëhen negociata ndërmjet Shtajnerit dhe institucioneve.

RADIO EVROPA E LIRË
Analistët shqiptarë thonë se kjo situatë është pasojë e statusit aktual të Kosovës. Ka pasur diskutime në Institutin tuaj lidhur me gjasët për fillimin e bisedimeve për statusin final të Kosovës. Kga kënd-vështrimi juaj kur është momenti i duhur për të filluar bisedimet për këtë çështje?

DANIEL SERWER
Nuk mendoj se ndokush është i gatshëm që ato t'i filloj sot. Ne do të publikojmë dokumentet e bazuara në takimin që e mbajtëm në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar. Në këtë dokument trajtohet edhe çështja se kur duhet të fillojnë këto biseda. Këto çështje duhet të hapen. Është e qartë se plotësimi i standardeve është një pjesë e rëndësishme e përgatitjeve për diskutimet për statusin final. Mbase kjo nuk është e qartë për të gjithë në Kosovë, por duhet të bëhet e qartë.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se sot nuk është koha e duhur. A mendoni në muaj apo edhe në vite?

DANIEL SERWER
Ne besojmë se statusi finalë duhet të përcaktohet brenda 3 deri në 5 vitet e ardhshme. Por është fakt se nuk shoh njerëz në Prishtinë, që përgatiten për këto bisedime. Nuk i shoh duke përgatitur dokumente se si do të merren me shumë çështje që do të ngriten në këto biseda; çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, marrëdhëniet e Kosovës me Maqedoninë, me Shqipërinë…Ku janë këto letra, ku janë studimet serioze, ku janë analizat se si do të duket e ardhmja e Kosovës? Këto nuk i kam parë ende. Mendoj se duhet të bëhen shumë përgatitje.

RADIO EVROPA E LIRË
Mendoj se ju keni disa studime të tilla. Çka mendoni për këtë çështje nga kënd-vështrimi juaj dhe i Institutit tuaj?

DANIEL SERWER
Ne kemi publikuar disa studime dhe opsione në veçanti…si dhe negociatat e simuluara. Së shpejti ne do të publikojmë raportin e takimit tonë me evro-perëndimorët në temën e statusit final. Por, statusi final i Kosovës nuk duhet të përcaktohet nga Instituti i Shteteve të Bashkuara për paqe…Ai do të përcaktohet në negociata ndërmjet Prishtinës e Beogradit dhe janë Prishtina e Beogradi ata që duhet të përgatiten. Unë nuk po shoh se këto përgatitje po bëhen në Prishtinë, që dëshiroj t'i shohë…përgatitje dhe studime serioze dhe shqyrtimin e të gjitha opsioneve të ndryshme me të cilat do të ballafaqohemi.

RADIO EVROPA E LIRË
Dëshiroj edhe mëtutje të përqendrohem në këtë çëshjte. Politikanët shqiptarë thonë se “Beogradi nuk është lojtar në diskutimet eventuale për statusin final të Kosovës”. Ata thonë se Prishtina dhe Komuniteti ndërkombëtar do të vendosin për të ardhmen politike të Kosovës. Politikanët serbë e kundërshtojnë këtë pozicionim. Çka mendoni… kush do të jenë faktorët kryesor në këtë çështje?

DANIEL SERWER
Mendoj se Beogradi do të jetë lojtar…mendoj se rruga e vetme për të ndërruar statusin e Kosovës është ajo nëpërmjet të një rezolute të re të Këshillit të Sigurimit. Në rrugën për të pasur një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit, Prishtina dhe Beogradi duhet të arrijnë marrëveshje. Nëse ata arrijnë marrëveshje, Këshilli i Sigurimit, me gjasë, do të jetë i lumtur që ta miratoj atë marrëveshje…veçanërisht nëse ajo nuk prek integritetin territorial dhe sovranitetin e Maqedonisë dhe të Bosnjës. Pra nëse ata merren vesh ndërmjet veti – kjo do të ishte rruga më e lehtë për të ndryshuar statusin e tashëm të Kosovës. Do të kenë edhe shumë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara, nga Bashkimi Evropian, nga Kombet e Bashkuara e të tjerët.

RADIO EVROPA E LIRË
Politikanët shqiptarë fuqishëm besojnë se në këtë proces duhet gjithsesi të marrin pjesë Shtetet e Bashkuara. Nga këndvështrimi juaj, çfarë është pozicioni i administratës së Shteteve të Bashkuara për këtë çështje…Duket se Shtetet e Bashkuara janë shumë të angazhuara në Irak dhe në çështje të tjera?

DANIEL SERWER
Mendoj se kjo nuk mund të shmanget…dhe mendoj se është mirë për Shtetet e Bashkuara që të jenë të involvuara. Ju keni absolutisht të drejtë: tash vëmendja e Shteteve të Bashkuara është e përqendruar diku tjetër. Shtetet e Bashkuara nuk kanë formuluar një pozicion për statusin final të Kosovës. Sinqerisht, e vetmja mënyrë për të bërë presion në Shtetet e Bashkuara për të formuluar një qëndrim të tillë është që të përfundoj puna në standarde. Mendoj se tash ky është hapi kryesor, plotësues, për përgatitjen për negociata. Njerëzit duhet ta përfundojnë punën në standarde. Në këto standarde përfshihet edhe dialogu me Beogradin. Kjo nuk mund të evitohet.
Intervistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG