Ndërlidhjet

A. DEMACI:"LIDERËT KOSOVARË PO NDJELLIN ILUZIONE"


Intervistë me Adem DEMACIN, analist dhe veprimtar kosovar

RADIO EVROPA E LIRË
Si i vlerësoni juve marrëdhëniet aktuale mes institucioneve vendase dhe atyre ndërkombëtare?

ADEM DEMAÇI
Të them të drejtën ky relacion midis të dërguarit special të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara edhe institucioneve të formuara rishtas ka filluar me nënshkrimin e marrëveshjes së njohur të Rambujesë. Atje disa nga shqiptarët kanë nënshkruar një marrëveshje e cila ka përfshirë në vetvete edhe një klauzolë ku flitet për sovranitetin dhe integritetin e Jugosllavisë së atëhershme- sot Serbisë- mbi Kosovën. Në rezolutën 12-44 gjithashtu vazhdon esenca e asaj marrëveshjeje të Rambujesë e formuluar pak më ndryshe, por që ruan të njëjtat pozicione. Në kornizën kushtetuese, të cilën gjithashtu e pranuan po të njëjtët shqiptarë, janë paraparë kompetencat e cunguara të këtyre institucioneve, sepse edhe vetë titulli kornizë kushtetuese është një përdorim i ri që nuk tingëllon aspak mirë dhe në bazë të kësaj kornize kushtetuese shqiptarët kanë hyrë në zgjedhje, në votime dhe këto institucione janë pjellë e asaj kornize kushtetuese e cila është shumë e pafavorshme sa i takon kompetencave të shqiptarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju pak më parë përmendët çështjen e Rambujesë dhe rezolutën 1244. Shumë analistë thonë se tashmë në Kosovë egziston një realitet tjetër…

ADEM DEMAÇI
Realiteti ka egzistuar edhe më përpara mirëpo përpjekja e disa faktorëve në botë, të cilët nuk janë për t’u nënçmuar se prapa tyre faktorëve qëndron Greqia, Italia, Franca, Gjermania për hirë të Francës është në këtë farë grupi, është Rusia, Kina që janë anëtare të Këshillit të Sigurimit etj etj, gjenden shtete që kanë dëshirë që zhvillimin e Kosovës ta futin në rrjedha jo të natyrshme, në rrjedha jo reale, në rrjedha në kundërshtim me ligjin themelor të jetës i cili çon drejt lirisë dhe barazisë, por duan patjetër që një zog të vogël që ka dalë nga lëvozhga ta futin përsëri në lëvozhgë, pra një Kosovë e cila është sakrifikuar është flijuar aq shumë për lirinë e vet të kthehet përsëri në një formë ose një tjetër nën tutelën e Serbisë dhe të gjendet një zgjidhje më pak se liria. Çfarëdolloj autonomie e cila do të jetë më pak se liria do të jetë e papërshtatshme për shqitparët dhe do të krijojë probleme të reja në këtë pjesë të Evropës. Duket se në bazë të sjelljeve të mefshta të këtyre liderëve të Kosovës që janë në skenën politike, bota po nxjerr edhe përfundime të gabuara, meqënëse këta po i thonë liri kësaj që nuk ka aspak të bëjë me lirinë. Atëhere këta po e nënçmojnë edhe popullin e Kosovës dhe po mendojnë se meqënëse ata vetë po pranojnë diçka që nuk është liri si liri, edhe popullata shqiptare, edhe qytetarët e Kosovës do ta pranojnë një zgjidhje që do të jetë larg realitetit. Këtu edhe është burimi i të gjitha gabimeve që po ndodhin në qasjen e zgjidhjes së problemit të Kosovës. Bota nuk po e kupton të vërtetën për Kosovën, nuk po e kupton se në të vërtetë ky popull ka të meta shumë sa i përket dijes, vetëdijes dhe organizimit, mirëpo megjithatë në zemrën e çdo qytetari në Kosovë është i ngulitur thellë dëshira për liri, që e kanë të gjithë popujt që janë përpjekur për të fituar lirinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Para disa ditësh kryeministri i Serbisë Zoran Gjinxhiq u angazhua për hapjen sa më të shpejtë të diskutimeve për statusin final të Kosovës. Kjo në një farë mënyre ishte befasuese. Shumë politikanë shqiptarë të Kosovës thonë se Beogradi nuk është palë për bisedime për statusin final të Kosovës. Si i vlerësoni Ju këto zhvillime?

ADEM DEMAÇI
Më së pari a është qasje serioze kjo që Beogradi nuk është palë? E kush duhet të jetë palë nëse s’mundet, s'duhet të jetë Beogradi? Kush duhet të jetë palë e shqiptarëve? Kundër kujt e bëmë këtë luftë, me kë e patëm ne këtë kontest 100 vjeçar, kundër kujt e derdhëm gjithë atë gjak? Ne s’kemi nga t’ia mbajmë përveçse të merremi vesh me Beogradin. Mirëpo Beogradi duhet të ndërrojë qëllimin dhe qëndrimin e vet. Beogradi nëse do që çështjen e Kosovës ta diskutojë dhe ta përfundojë, atëhere pavarësisht nga rezoluta 1244 që formalisht ja njeh sovranitetin dhe integritetin Jugosllavisë apo Serbisë mbi Kosovën, Beogradi duhet të heqë dorë nga ky oreks i hegjemonisë së vet dhe duke hequr dorë nga hegjemonizmi i vet, duke ua pranuar qytetarëve të Kosovës të drejtën për vetëvendosje, në këtë bazë mund të fillojnë bisedimet menjëherë për të gjetur një zgjidhje të prështatshme. Por në qoftëse Beogradi insiston sikundër edhe vetë Gjinxhiqi, mos flasim për Koshtunicën dhe të tjerët, për arrijten e atyre objektivave të cilat u mundua Millosheviçi t’i arrinte me anë të forcës dhe gjakderdhjeve, atëhere jemi shumë larg nga gjetja e marrëveshjes. Kjo është vetëm një taktikë që po e përdor Gjinxhiqi dhe asgjë më tepër.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Demaçi, nga shumë analistë të jashtëm dhe veçanërisht amerikanë shpesh herë thuhet se në Kosovë nuk ka dokumente, nuk ka studime, analiza serioze që do të përdoreshin gjatë procesit të përcaktimit të statusit final të Kosovës apo edhe eventualisht të bisedimeve. A është Prishtina e përgatitur për biseda për statusin final të Kosovës?

ADEM DEMAÇI
Ç’është e vërteta me këto sjellje të veta joserioze dhe me këtë punë të vetën, të cilën e kanë treguar këta që janë në skenën politike duke filluar nga parlamenti, nga qeveria, nga presidenti, shqiptarët kanë demonstruar një paaftësi në drejtimin e gjërave politike, të çështjeve politike. Më së pari kanë demonstruar paaftësinë që kanë pranuar të hynë në lojën politike me një kornizë kushtetuese sikundër është kjo. Por edhe këtu kur kanë hyrë kanë treguar paaftësi të madhe. Ju e dini sa u zvarrit çështja e zgjedhjes së presidentit, a thua ishte një punë shumë serioze ajo. Ne e dimë se presidenti është vetëm një figurë krejtësisht formale, sepse nuk ka kurrfarë kompetencash. Ju e dini sa gjatë shkoi puna për krijimin e qeverisë, për ndarjen e posteve qeveritare, presidencës, kryeministrit etj. Dmth u bënë aq shumë probleme rreth disa gjërave joesenciale saqë para të tjerëve u pa që shqiptarët vrapojnë pas disa çokollatave, pas disa bomboneve, duke harruar sensin e problemit që Kosova është sot në kollaps ekonomik, në Kosovë janë 60-70% e njerëzve të papunë, në Kosovë nuk ka investime, në Kosovë për shkak të mospërcaktimit definitiv të statusit nuk ka as gjasa që të vijnë investitorët nga jashtë, Kosova është duke rrëshqitur në çdo pikëpamje edhe ekonomike edhe politike.... Tani Serbia po saboton edhe privatizimin e atyre 400-500 kompanive që janë përcaktuar për t’u privatizuar. Qëllimi i Serbisë është që ato të shkatërrohen edhe më tutje në mënyrë që kur të bëhet tenderi për shitje, Serbia të arrijë t’i blejë përsëri ato, ose t’i marë falas dhe të futet edhe njëherë ekonomikisht ashtu siç është futur politikisht. Ata 22 deputetë të cilët pa të drejtë i fituan edhe 10 vende se duhet t’i fitonin 12, për shkak të paaftësisë së shqiptarëve, ata 22 deputetë janë duke bërë krejtësisht politikën hegjemoniste të Serbisë dhe hapur janë duke u marë vesh me qeverinë e Serbisë dhe asnjë vendim i vogël nuk merret pa u konsultuar mirë me Serbinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fillim të kësaj bisede dhe më vonë në një mënyrë duket sikur i shikoni gjërat nga një prizëm jo optimist. Çfarë mund të bëhet që të gjitha këto zhvillime që ju në një mënyrë i paraqitët si negative të shkojnë dhe të ecin përpara ashtu siç do dëshironte edhe populli i Kosovës?

ADEM DEMAÇI
Unë misionin tim e kam që t’ua them të vërtetën edhe qytetarëve të Kosovës, edhe Serbisë, edhe faktorëve ndërkombëtarë, miqëve tanë. Këto janë të gjitha argumente të paprekshme, argumente të vërteta që nuk mund të rrëzohen kurrsesi. Tre komunat së bashku me Mitrovicën veriore e shpallën një farë pavarësie nga Kosova, u çua edhe Shtajneri edhe të gjithë jo nuk e pranojmë këtë, por çfarë bënë ata për të ndryshuar këtë punë që nuk e pranuan? Asgjë hiç. Puna mbeti ashtu siç thanë serbët. Dihet se pala serbe ka qenë shumë e përfshirë në këto krime brenda në Kosovë. Qëllimi është që këto zona të shfrytëzohen për të sjellë këtu serbë nga të gjitha anët, për të kthyer eventualisht një zonë me rreth 0.5 milion serbë ku do kërkohet rregjistrimi i popullsisë dhe Serbia do të thotë që shikoni zotërinj, ju kemi thënë ne që rreth 0.5 milioni serbë janë përzënë prej atyre tokave. Këto janë një realizëm i pastër. Unë mendoj se të gjithë janë …. Sepse ky nënçmim i jashtëzakonshëm që është duke j’u bërë qytetarëve të Kosovës mund të lejojë që të ushtrohet një politikë e tillë qoftë nga komuniteti ndërkombëtar qoftë nga Serbia, qoftë edhe nga liderët tanë të cilët po ndjellin iluzione dhe po flasin fjalë të gënjeshtra dhe po mundohen t’i ruajnë ato karrige të shkreta të tyre dhe nuk po veprojnë ashtu si kërkohet dhe si duhet të veprojnë ata. Unë mendoj se në fund të gjitha palët do zhgënjehen sepse janë duke bërë hesapet pa hanxhinë dhe hanxhiu janë qytetarët e Kosovës.


Intervistoi: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG