Ndërlidhjet

J. RUBIN:"NUK ËSHTË KOHA PËR TË DISKUTUAR ÇËSHTJEN E PAVARËSISË SË KOSOVËS"


James RUBIN, ish - zëdhënës i Stejt Departamentit

EVROPA E LIRË
Ju keni qenë pjesëmarrës në Rambouje. Pjestarët e delegacionit shqiptar në Rambuje vazhdojnë të luajnë një rol të rëndëshëm në jetën politike të Kosovës. A shihni avancim politik të kësaj klase politike në këto vite?

JAMES RUBIN
Po shoh, mendoj se në atë kohë delegacioni shqiptar në Rambuje ishte shumë i ri në skenën ndërkombëtare, shumë të rinj në çështjet e bisedimeve me botën dhe në të kuptuarin e botës, në të kuptuarin e politikës ndërkombëtare. Veçanërisht anëtarët e UÇK-së....
Por ende ka shumë probleme në Kosovë. Ka ende shumë fraksionim të sistemit politik, ka shumë forca që përballin fuqitë bazuar në parimin "ai ka më shumë dhe unë kam më pak". Por, megjithatë, mendoj se ka patur një evolucion, që nga situata ku shumica e delegacionit të UÇK-së është e ndarë në dy fraksione, e para që ka zgjedhur armiqësimin e botës duke përdorur forcën, edhe pasi populli i Kosovës fitoi lirinë, dhe grupi tjetër që udhëhiqet nga zoti Thaçi, që ka hedhur poshtë dhunën dhe që ka vendosur që të arrijë synimet politike përmes një partie politike.

EVROPA E LIRË
Si do ta vlerësonit përparimin e bërë në Kosovë në këto 4 vjet?

JAMES RUBIN
Qartësisht që nga koha e Rambujesë nëse shohim pas, katër vjet më parë ka qenë një kohë e tmerrshme, e rrezikshme dhe shumë e trishtueshme për popullin e Kosovës. Ata kanë qenë vazhdimisht të sulmuar dhe serbët përgatiteshin për ofensiva gjithnjë e më të mëdha, si tani katër vjet më parë.
Sot ata janë të lirë, Serbia nuk i kontrollon më jetët e tyre, por fatkeqësisht ka patur disa probleme veçanërisht pasi disa shqiptarë janë përpjekur të hakmerren ndaj serbëve.
Megjithatë mendoj se për herë të parë në dekada, populli i Kosovës, ka mundësi të kontrollojë jetën e vet dhe jo të sundohet nga Beogradi. Ata kanë patur mundësi të ndërtojnë shtëpitë e tyre, të nisin bizneset, dhe të vazhdojnë arritjen e qëllimeve të tyre përmes rrugëve paqësore. Por Kosova është një vend që ka akoma një rrugë shumë të gjatë derisa njerëzit atje të marrin përgjegjësi për ndërtimin e këtij vendi dhe ta çojnë atë nga kujtimet e një kohe të para luftës së ftohtë, drejt standarteve evropiane. Ka ende shumë punë për t'u bërë në detajet e qeverisjes dhe krijimin e një mjedisi ku do të mund të bëhen investime.

EVROPA E LIRË
Sa është pragmatike të diskutohet çështja e statusit të Kosovës tani, duke pasur parasysh edhe krizën irakene?

JAMES RUBIN
Kemi një ndarje të jashtëzakonshme ndërmjet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara si dhe brenda vetë Evropës. Unitetin në luftën e katër viteve më parë, në mënyrë të trishtueshme e kemi humbur sot.
Unë nuk do të këshilloja që njerëzit e Kosovës të ngulin këmbë fuqimisht në këto momente për të diskutuar çështjen e pavarësisë. Kjo pasi që vendi, që kosovarët kanë nevojë të marë një pozitë udhëheqëse, në rast se ata duan të arrinë më shumë liri sesa çfarë kanë për momentin, janë Shtetet e Bashkuara. Këto të fundit kanë për të qenë shumë të preokupuara për një kohë jo të shkurtër dhe nuk do të munden të përqëndrohen në çështjen e statusit të ardhshëm të Kosovës. Mendoj se tani nuk është koha më e përshtatshme për dy arsye: së pari, sepse ka shumë mosmarrëveshje ndërmjet këtyre vendeve për momentin dhe është e vështirë t'i shohësh ato me të njëjtin mendim lidhur me çështjet e Ballkanit; së dyti këto vende janë të preokupuara për sfidat e luftës kundër terrorizmit, edhe tani ndoshta edhe nga një luftë e mundshme në Irak.

EVROPA E LIRË
Sipas mendimit tuaj kur do të ishte koha më e përshtatshme për hapjen e bisedimeve për statusin e Kosovës dhe sa janë gjasat që Kosova të fitojë pavarësinë?

JAMES RUBIN
Sa i përket pavarësisë, sipas meje, nuk është diçka që ata kanë për ta marë shpejt. Njerëzit në Kosovë duhet të kenë parasysh sesa përparim kanë bërë dhe të mos mendojnë për pavarësinë si një zgjidhje të problemeve të tyre. Edhe në qoftë se ata do të jenë të pavarur sërisht atyre u duhet të ndërtojnë sistemin qeverisës, kodin penal, kodin ligjor, kodin civil, të nevojshme këto për njerëzit. Sipas mendimit tim, sa më shumë që arrijnë kosovarët në kuadrin e autonomisë që kanë tani, sa më tepër që tregojnë se mënyra e tyre e vetëqeverisjes funksionon, kur bëhet fjalë për çështje ekonomike, ligjore, politike, aq më shumë bashkësia ndërkombëtare do të jetë e hapur dhe e vullnetshme ndaj idesë së pavarësisë.
Sipas mendimit tim, ata duhet të tregojnë se ia vlen t'u jepet pavarësia duke e bërë Kosovën të funksionojë si duhet duke ngritur shtetin ligjor dhe mirëqënien ekonomike në mënyrë që të bëhet anëtarë të denjë të Evropës, ashtu si shumë prej tyre e dëshirojnë.

EVROPA E LIRË
Sa ka ndikuar dhe sa e si mund te ndikoje ne te ardhmen lufta kunder terrorizmit lidhur me zotimin amerikan në Kosovë?

JAMES RUBIN
Para 11 shtatorit, administrata e re kishte shtuar përpjekjet për kalimin e rolit drejtues në planin ushtarak dhe politik tek evropianët. Dhe mendoj se ky zhvillim vetëm sa është thelluar për shkak të nevojës që Shtetet e Bashkuara të përqëndrohen në luftën kundër terrorizmit, në Irak apo në armët e shkatërrimit në masë.
Prandaj mendoj se koha kur Ballkani ishte në qendër të vëmendjes së ministrive të jashtme të një numri vendesh evropiane, të Shteteve të Bashkuara dhe të mediave ka kaluar dhe nuk besoj se do të ketë një kthim të paktën së shpejti.
Nga ana tjetër nuk besoj se Shtetet e Bashkuara do ta braktisin Ballkanin. Nuk mendoj se ne do të tërheqim të gjitha trupat tona nga Bosnja dhe Kosova së shpejti. Do të ketë një pakësim të ngadalshëm të këtyre trupave dhe një rritje të rolit të evropianëve dhe mendoj se është shumë e rëndësishme për njerëzit në Kosovë dhe të tjerët në Ballkan të kuptojnë që roli udhëheqës i Amerikës në orët më të këqija në vitet 90, nuk do të jetë i njëjtë në një kohë më të mirë siç janë vitet 2000.
Shtetet e Bashkuara erdhën dhe luajtën rolin udhëheqës në Ballkan sepse ishte një krizë dhe një kohë e tmerrshme për njerëzit atje dhe ata duhet ta kuptojnë se ne ishim shpresa e tyre e fundit, ndërsa në të ardhmen shpresa e parë duhet të jetë në kryeqytetet evropiane.


Intervistoi: Iliriana BAJO

XS
SM
MD
LG