Ndërlidhjet

D. JANJIQ:"GJINGJIQ SINJALIZON TREGËTINË NDËRMJET KOSOVËS DHE REPUBLIKËS SERBE NË BOSNJË"


Dushan JANJIQ, analist nga Beogradi


EVROPA E LIRË
Zoti Janjiq, kohëve të fundit janë shpeshtuar deklarimet e kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, për Kosovën. Ai ka apostrofuar një Dejton të ri, bisedime ndërmjet Prishtinë dhe Beogradit, por edhe statusin përfundimtar të Kosovës. Cili është motivi i prononcimeve të këtilla të Gjingjiqit?

DUSHAN JANJIQ
Deklaratat e Zoran Gjingjiqit paraqesin kyqje të tij edhe si politikan dhe si kryeministër në temën e Kosovës dhe marrëdhënjeve shqiptaro – serbe. Ai ishte politikani i vetëm opozitar që kurrë nuk kishte marrë pjesë në bisedimet serbo – shqiptare dhe rrjedhimisht këto deklarata paraqesin një formë të pjekurisës së tij. Së dyti, si kryeministër ai gjatë dy viteve të fundit nuk ka bërë kush e di çfarë, përkundrazi qeveria e Serbisë ishte shumë pasive. Sëkëndejmi këto prononcime të tij unë i kuptoj si përpjekje për të kompensuar këtë vonesë dhe si përpjekje që në planin e brendshëm për vete të lidh sa më shumë popullatë që preokupohet me Kosovën dhe veqanërisht atë pjesën që kishte votuar për Koshtunicën ose Sheshelin dhe të tjerët. Mirëpo, kjo kyqje e Gjingjiqit ishte jo – fatlume. Ai thjesht lidhi çështjet e statusit me çështjet e teritorit në formë shumë jo-fatlume, duke apostrofuar Dejtonin që tashmë ka shkaktuar reagime të shumta, sepse në një formë sinjalizonte mundësinë e tregëtisë ndërmjet Kosovës dhe Republikës Serbe në Bosnjë. Personalisht mendoj se kemi të bëjmë me një formulë jo-fatlume, sepse Gjingjiqi sigurisht e di që nuk ka kurrfarë ndikimi në Republikën Serbe të Bosnjës dhe dhe as në Kosovë.

EVROPA E LIRË
Zoti Janjiq para disa ditësh keni deklaruar se rreth Kosovës ekzistojnë dy opcione. Cilat janë ato dhe kush qëndron pas tyre?

DUSHAN JANJIQ
Marrë në tërësi në opinionin politik serb një pjesë dërmuese e tyre ka hequr dorë nga Kosova, përkatësisht për ata ky rrëfim ka mbaruar. Por, më duhet të them se brenda tyre janë dy rryma: njëra mendon se Kosova është e humbur, sepse Millosheviqi e humbi me luftë dhe për faktin që forcat ndërkombëtare u ndihmuan shqiptarëve dhe se tash duhet hequr dorë nga Kosova, por që Kosovës t'i merret sa më shumë nga teritori i tashëm ose siç thonë ata që të shpëtohen serbët. Deri nga prilli i vitit të kaluar në aspektin politik pas këtij koncepti ka qëndruar Nebojsha Qoviq dhe Qendra Koordinuese, pastaj pas këtij koncepti është Dobrica Qosiq, dhe të gjithë ata që kanë qënë në strukturat e vjetra të pushtetit, pra socialistët dhe radikalët. Mjerisht një pjesë e mirë e liderëve serb në Kosovë mbështesin këtë koncept. Ideja e dytë thotë se në Kosovë kemi të bëjmë me një realitet të ri, brenda të cilit Kosova de fakto është e pavarur nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara, ndërsa de jure në suazat e Serbisë, përkatësisht Unionit serbo – malazez, por që rrethanat bëjnë që të shkohet në drejtim të krijimit të dy sistemeve krejtësisht të ndryshme dhe se duhet intensifikuar bisedimet për zbatimin e rezolutës 12 – 44 dhe për statusin e Kosovës. Në këtë grup pos tjerësh duke përfshirë edhe Qoviqin, pas ndryshimit të qëndrimin në prillin e kaluar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është edhe Zoran Gjingjiq. Por, brenda këtij grupi ekziston një fraksion që konsideron se në kuadër të punës për decentralizimin në Kosovë dhe zbatimit të rezolutës 12 –44 duhet krijuar institucione të tilla që do të mundësonin që në rast të pavarësimit të Kosovës, për hirë të paqjës në atë hapësirë, të realizohet marrëveshje paqësore për ri-përkufizimin. Mendoj se kjo është ide edhe e Gjingjiqit. Kuptohet ekziston edhe një pjesë e opinionit, por ai është në pakicë që konsideron se duhet pranuar suazën e tashme teritoriale dhe se duhet ndihmuar në shpejtimin e pavarësimit të Kosovës. Në këtë grup është kryetarja e grupit të Helsinkit, Sonja Biserko. Por, më duhet të them se ky koncept mbështetet nga një numër shumë i vogël njerëzish.
Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG