Ndërlidhjet

M. SHTAJNER:"BASHKËPUNIMI ME TRIBUNALIN E HAGËS ËSHTË OBLIGIM I SECILIT"


Michael STEINER, shef i UNMIK-ut


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Steiner, si e komentoni situatën e krijuar pas aktakuzave te ngritura nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës, vecanërisht pas asaj që është ngritur kundër figurës politie, Fatmir Limajt?

MICHAEL STEINER
Jam shumë i kënaqur me faktin se institucionet e Kosovës janë përcaktuar në rrugën e duhur, duke thënë se bashkëpunimi me Tribunalin është obligim për secilin. Qeveria, kryeministri dhe kryetari e kanë bërë këtë të qartë dhe gjithashtu jam i kënaqur me faktin se Fatmir Limaj ka dhënë një deklaratë pasi që kishte dëgjuar aktakuzën, duke e pranuar obligimin për të bashkëpunuar me Tribunalin. Kjo është qasje e duhur dhe dëshmon se ekziston mirëkuptimi në Kosovë se duhet zbatuar obligimet. Jam i kënaqur se ky është një qëndrim i përgjithshëm, veçanërisht nëse merren parasyshë edhe emocionet në këtë kuadër. Mendoj se ky është një qëndrim i matur dhe dërgon sinjale të duhura këtu në Kosovë, por edhe nëse ndodhin raste të ngjashme në të ardhmen dhe kur paraqitet nevoja për bashkëpunim me Tribunalin.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarë të Tribunalit kanë thënë se zoti Limaj është arrestuar, ndërkohë që vetë zoti Limaj në deklaratën e tij ka thënë se do t’I dorëzohet autoriteteve kompetente, vendim ky të cilin hu e keni vlerësuar si dinjitoz. A keni që ju në kontakt gjatë ditës së djeshme me zotin Limaj apo me njerëzit përreth tij dhe cfarë informacionesh keni ju rreth kësaj cështjeje?

MICHAEL STEINER
Mendoj se të dyja këto opcione janë të vërteta. Fakti është se unë kam marrë porosi nga ai vetë, kryeministri në atë kohë ishte i ulur pikërisht këtu, në këtë dhomë, duke e bërë të qartë se ka gatishmëri që zoti Limaj t’i dorëzohet vullnetarisht Hagës, pasi që kishte dëgjuar për aktakuzën e publikuar dje pasdite. Por, pastaj, institucionet në Slloveni, duke respektuar kërkesën e Tribunalit, kanë vepruar ashtu siç duhet në bazë të nenit 40 të statutit. Mendoj se gjëja më e rëndësishme është fakti se zoti Limaj ka thënë se është i gatshëm të përballet me obligimet e tij, të paraqitet përpara gjykatës dhe së dyti, se ai së bashku me institucionet kanë konfirmuar detyrimet që të zbatojnë udhëzimet e Hagës. Fakti se më vonë autoritetet sllovene kanë pranuar që të bashkëpunojnë, është gjithashtu një shenjë e mirë. Pra, kemi një situatë në të cilën askush nuk mund ta mohojë apo sfidojë obligimet e përcaktuara me statut.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë, por edhe politikanë, kanë tërhequr vërejtjen se me këto aktakuza dhe me procese gjyqësore që janë zhvilluar dhe po zhvillohen, komuniteti ndërkombëtar po rrezikon që të barazojë krimin dhe keqbërësit në mes të serbëve dhe shqiptarëve. A mendoni se ky rrezik ekziston?

MICHAEL STEINER
Mendoj se kjo është nonsens. Ne nuk jemi duke folur për serbët, kosovarët apo shqiptarët. Jemi duke folur për individë dhe për aktakuza individuale, që nuk kanë të bëjnë me një popull të caktuar. Pra, aktakuzat nuk janë ngritur kundër serbëve apo shqiptarëve, por kundër individëve të caktuar dhe mendoj se do të ishte absolutisht gabim po të merrnim guximin që të sfidojmë përmbajtjen e këtyre aktakuzave. Të gjithë jemi pajtuar se ekziston një obligim ndërkombëtar ndaj kësaj gjykate, e cila është themeluar nga Këshilli i Sigurimit pas krimeve që janë bërë në Bosnjë. Kjo gjykatë mund të bëjë kërkesa ligjore mbi një person të caktuar. Çështja esenciale që ne të zbatojmë udhëzimet e përcaktuara në baza ligjore që vijnë nga kjo gjykatë dhe me pastaj kemi të bëjmë me vetë procesin. Këtij personi do t’i sigurohen mjetet dhe koha që të mbrohet. Nuk ka pra të bëjë me gjykimin e një populli, por me veprimet e një individi të caktuar. Roli im nuk është që të gjykoj, ky vendim i takon gjyqtarëve, por duhet të dini se kësi lloj spekulimesh do të ketë gjithmonë dhe kjo është e natyrshme. Një dukuri e këtillë ndodhë kohë pas kohe në Ballkan. Me rëndësi është që të kuptohet se individë të caktuar do të kenë mundësinë që të mbrohen, nëse nuk janë fajtorë, gjykatësit do të bëjnë punën e tyre, nëse janë fajtorë, gjykatësisht sërish do të bëjnë punën e tyre. Por, kjo nuk na takon neve.

RADIO EVROPA E LIRË
Shtypi vendor ka njoftuar kohët e fundit se ju mund të jeni takuar me kryeministrin e Serbisë, Zoran Gjingjiq. A janë të vërteta këto njoftime dhe nëse po, cfarë keni diskutuar me zotin Gjingjiq?

MICHAEL STEINER
Më duhet t’ju them se unë kam pasur shumë takime me Zoran Gjingjiqin tash e sa vjetë me rradhë. Dhe, që kur unë jam përfaqësues i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm në Kosovë, natyrisht se takohem. Më duhet të takohem, meqë këtë e kam edhe obligim. Do të ishte absurde po të mos e bëja këtë. Ai është kryeministër dhe një person me të cilin duhet biseduar. Nuk po them se kemi mendime të njejta mbi shumë cështje, larg prej kësaj. Një gjë të këtillë e kam qartësuar përpara Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kur e kam bërë të ditur mendimin tim mbi një cështje të caktuar, për cka ai ka një mendim tjetër. Qëndrimi im se duhet punuar në përmbushjen e standardeve para se t’i qasemi statusit është përkrahur nga komuniteti ndërkombëtar, nga Uashingtoni, nga Këshilli i Sigurimit, por edhe nga rusët dhe evropianët. Fakti se ne bisedojmë është normale, por temat që i diskutojme ndonjëherë janë publike, e ndonjëherë nuk janë. Nuk kam arsye që të flasë publikisht për diskutimet që kam pasur me Zoran Gjingjiqin, ky nuk stili im i shqyrtimit të çështjeve. Por, po, mund të konfirmoj se deri më tash kam zhvilluar shumë bisedime me zotin Gjingjiq.

RADIO EVROPA E LIRË
Qasja juaj “Standardet Përpara Statusit” është pranuar gjerësisht. Por, realisht, a mendoni se institucionet mund t’i përmbushin këto standarde me përgjegjësit dhe kompetencat që aktualisht i kanë?

MICHAEL STEINER
Ju jam mirënjohës për këtë pyetje, meqë mendoj se është një keqkuptim. Natyrisht, nga institucionet nuk mund të presim që të jenë përgjegjës për çështjet mbi të cilat nuk kanë fuqi. Por, këto institucione kanë mjaft fuqi në sistemin e shëndetësisë, arsimit, në financa dhe rrafshe të tjera dhe këtu mund të veprojnë dhe prej tyre pritet që të veprojnë. Së dyti, ne do të transferojmë çkado që mundemi ligjërisht deri në fund të këtij viti dhe institucionet do të kenë një sasi të madhe kompetencash. Por, këtu duhet ngritur edhe një çështje tjetër. Nëse për shembull flasim për mbrojtjen e komuniteteve më të vogla etnike, atëherë natyrisht, kjo është e drejtë e imja e rezervuar dhe me të kontrolloj nëse respekti për këto komunitete ekziston. Por, kjo nuk do të thotë se institucionet dhe popullata shumicë nuk kanë përgjegjësi për të vepruar dhe për të respektuar të tjerët. Fakti se unë kontrolloj dhe do të kontrolloj nëse respekti ekziston, nuk do të thotë se nuk ka nevojë që institucionet ta përkrahin këtë, të bëjnë diçka në këtë rrafsh, të thonë fjalët e duhura. Këtu duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pra nuk mund t’ua lehtësojmë institucioneve deri në atë masë sa që ato të thonë se nuk kemi mjaft pushtet për të përmbushur këtë standard. Çështja e fundit që dua të ngris është se askush nuk pret krijimin e një bote ideale në Kosovë, kjo botë duhet të jetë në raport me ambientin. Kjo do të thotë se Kosova nuk mund të matet me përmasat e Zvicrës, Kosova duhet të shihet në kuadër të rajonit. Ajo nuk mund t’i tejkalojë standardet të cilat tashmë ekzistojnë në rajon, ato duhet të maten me përmasat e Ballkanit. Nëse të gjitha këto merren parasyshë, matja do të bëhet në raport me vendet fqinje, do të bëhet në raport me kompetencat aktuale dhe askush nuk mund të mbahet përgjegjës për çështjet rreth të cilat kompetencat nuk ekzistojnë, dhe gjithashtu do të bëhet edhe transferimi i këtyre kompetencave, mendoj se është një koncept i drejtë, i cili merr në konsideratë vështirësitë e mundshme në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cfarë prisni ju si përfaqësues i komunitetit ndërkombëtar nga institucionet vendore që të sigurojnë mbrojtjen e grupeve më të vogla etnike?

MICHAEL STEINER
Duhet të kemi qëndrime të qarta publike në të gjitha nivelet, qofshin ato qendrore apo komunale, në të cilat duhet të qartësohet se shumëkombësia duhet të bëhet dhe duhet jetuar së bashku me qytetarët tjerë të Kosovës që kanë të drejta të barabarta me të tjerët. Mesazhet duhet të jenë të qarta, mendoj se gjithashtu duhet të kemi programe konkrete të financuara nga buxheti i Kosovës, me të cilat do të dëshmohej gatishmëria për të zhvilluar një shoqëri shumëkombëshe, për të çuar procesin e kthimit dhe duhet gjithashtu të kemi qëndrime të politikanëve, të cilët do të thonë se është politikë zyrtare që Kosova të reflektojë një shoqëri shumëkombëshe, të cilat ekzistojnë në vendet evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohët e fundit, disa kanë përfaqësues të Kosovë kanë shprehur pakënaqësinë me punën dhe politikën e UNMIK-ut në cështje të ndryshme. Sipas jush, ku janë rrënjët e këtij disponimi?

MICHAEL STEINER
Mendoj se nuk është spektakulare. Përshembull, situata ekonomike vazhdon të jetë e rëndë, krimi vazhdon të jetë i pranishëm dhe këto probleme nuk mund t’i zgjidhim brenda natës. Kësisoji njerëzit fillojnë të kërkojnë ata që janë përgjegjës për këtë situatë. Kjo është krejtësisht normale, është një reagim njerëzor. Por, vërtetë nuk mendoj se kështu qëndron puna. Unë udhëtoj shumë brenda Kosovës dhe kur flas me njerëzit ata i adresojnë çështjet e duhura dhe ata presin nga ne që të vazhdojmë qëndrimin tonë këtu që t’u ndihmojmë në përmirësimin e situatës. Fakti se ka ankesa është normale, fakti se çdokush përpiqet që të shfajësohet dhe fajësojë dikë tjetër, gjithashtu është reagim i natyrshëm njerëzor. Jemi këtu tash e tre vjetë e gjysmë dhe është e natyrshme që në një situatë të rëndë, jo gjithkush është i kënaqur. Por mendoj se në themel njerëzit vazhdojnë të presin nga ne që t’u ndihmojmë. Kjo mund të dëshmohet lehtë. Kur dëgjojmë njoftimet se KFOR-i më raport me përmirësimin e situatës është duke e zvogëluar numrin e trupave, pavarësisht nga kritikat e mëparshme, njerëzit nuk e pëlqejnë një gjë të këtillë. Atyre nuk u pëlqen zvogëlimi i numrit të trupave të KFOR-it dhe e njejta gjë vlen edhe për UNMIK-un. Të njejtit që e kritikojnë UNMIK-un, në momentin kur ne u themi se nuk mund të qëndrojmë në përbërje të njejtë për shumë kohë, atëherë ata kritikojnë, meqë e dinë se këtu një rol të madh luan faktori ekonomik. Fundja, nuk guxojmë të harrojmë se Kosova është në një situatë të veçantë, me faktin se financohet nga bashkësia e gjerë ndërkombëtare, nga vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara, të cilat janë të pranishme këtu dhe mundohen të ndihmojnë që Kosova të jetë një vend më i mirë. Kosovarët mendoj se e dinë se është në interesin e tyre që të përfitojnë nga prania e komunitetit ndërkombëtar.
Intervistoi: Arbana VIDISHIQI


XS
SM
MD
LG