Ndërlidhjet

P. MOORE:"XHINGJIQ SHFRYTËZON KRIZËN E IRAKUT PËR OFENSIVËN RRETH KOSOVËS"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Beogradi do të mbështet mini-shtetin serb në Kosovë nëse Perendimi pengon këthimin e trupave serbe në Kosovë, tha ditë më parë kryeministri Zoran Xhingjiq. Të mërkurën serbët e Kosovës ndërmorrën hap drejt krijimit të entitetit të tyre. Cili është komenti i juaj?

PATRICK MOORE
Mendoj se kjo çështje nuk është e lidhur vetëm me çështjen e trupave, por edhe me preambulën e kartës kushtetuese të shtetit të ri të Serbisë dhe Malit të Zi, në të cilën thuhet se Kosova është pjesë e Serbisë. Dhe kur 300 delegatët serbë u takuan javën e kaluar dhe themeluan bashkësinë e tyre serbe, kjo u lidh specifikisht me çështjen e integritetit territorial të Serbisë dhe me çështjen e kartës kushtetuese. Prandaj edhe kjo është një arsye që ka influencuar përveç asaj që përmendët ju më parë, përkatësisht ate të trupave serbe. Lidhur me atë që thatë se serbët ndërmorën një hap drejt krijimit të entitetit të tyre, unë kam mbetur i befasuar se sa i plotë është ky projekt, i cili përfshin strukturat shtetërore: një strukturë legjislative dhe një strukturë ekzekutive. Pra është mjaft e plotë si strukturë, siç thashë. Ajo që e gjeta shumë të befasueshme ishte që duket sikur u organizua shumë shpejt. Ajo që dua të them është se dyshoj që kjo ka qenë e planifikuar në mënyrë të fshehtë prej disa kohësh, pasi ishte mjaft e plotë dhe e përgatitur si veprim. Pra ajo me të cilën përballemi këtu është diçka që ka tendencë të bëhet shumë serioze dhe jo thjesht një lëvizje propagandistike.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoran Xhingjiq ka intensifikuar fushatën për zgjidhje të shpejt të çështjes së Kosovës. Disa analistë thonë se një nga motivet e tij mund të jetë kriza rreth Irakut.

PATRICK MOORE
Plotësisht e vërtetë dhe këtë mundësi e ka shfrytëzuar edhe Korea e Veriut. Kjo është një nga arsyet që edhe Korea e Veriut po shkakton kaq shumë probleme kohët e fundit, pasi e dinë shumë mirë se amerikanët dhe të tjerët janë të preokupuar me Irakun. Koreano-veriorët kanë bomba atomike, kanë ndoshta edhe armë të tjera dhe po e shfrytëzojnë mundësinë që iu dha nga kriza irakene që të shkaktojnë turbullira. Zoti Powell ka qenë shumë diplomatik me Korenë e Veriut dhe presidenti Bush ka thënë se çështja e saj nuk është veçanërisht e rëndësishme. Sidoçoftë, nuk jam i befasuar që Korea e Veriut me armët e saj bërthamore, biologjike dhe kimike, me raketat sofistikuara mund të shkaktojë turbullira dhe ta kalojë qetësisht. Ashtu edhe zoti Gjinxhiç me Serbinë e tij që nuk ka bomba atomike apo raketa të sofistikuara, mendon se Serbia mund të shkaktojë gjithashtu ca probleme dhe të kalojë pa u hetuar....

RADIO EVROPA E LIRË
Në një intervistë për gazetën "The Tajms" Gjinxhiq tha se përmes transferimit të sovranitetit te institucionet e Kosovës, bashkësia ndërkombëtare po krijon një Kosovë krejtësisht të pavarur. A mos është tarnsferimi pushtetit nga UNMIK-u te kosovarët shkak i tensioneve të fundit në Kosovë?

PATRICKI MOORE
Nuk mendoj që dikush të ketë vënë re ndonjë transferim serioz të pushtetit nga UNMIK-u tek vendorët dhe as unë nuk kam vënë re një transferim të tillë. Zoti Gjinxhiç ka në të vërtetë frikë për diçka tjetër. Ai ka frikë që herët apo vonë, parlamenti i Kosovës do të ketë më shumë kompetenca, do të fitojë më shumë pavarësi, struktura të tjera demokratike do të krijohen dhe do të fitojnë pavarësinë e tyre, të gjitha me shumicë shqiptare. Ai po përpiqet të veproj përpara se kjo të ndodhë dhe jo për faktin se kjo ka ndodhur realisht.
Intervistoi: Melazim KOCI

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG