Ndërlidhjet

R. HARNISH:"SHBA-të PËRKRAHIN SHUMË BISEDIMET TEKNIKE NDËRMJET PRISHTINËS DHE BEOGRADIT"


Rino HARNISH, shef i Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Harnish, Këshilli Kombëtar Serb në Mitrovicë dhe disa përfaqësues tjerë të pakicës serbe kanë formuar Bashkësinë e Komunave Serbe të Kosovës, duke kërkuar kthimin e forcave serbe të sigurimit dhe shpërbërjen e Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Si mund të ndikojë kjo qasje në procesin politik dhe në raportet ndëretnike në Kosovë?

RINO HARNISH
Këtu kemi të bëjmë me tri çështje të ndryshme. Ideja për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe është propozim i Këshillave Kombëtarë Serbë, disa prej të cilave paraqesin anën radikale të qytetarëve serbë në Kosovë. Mendoj se një ide e këtillë nuk e ndihmon zhvillimin e Kosovës. Kosova është në betejë të krijimit të një shoqërie të vërtetë shumëkombëshe dhe bashkësitë e këtilla, sikur që është kjo bashkësi e komunave serbe, është e bazuar në njëkombësi dhe qartazi është pengesë për përparimin në këtë rajon. Çështja e dytë që ju përmendët është ajo e Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe kjo organizatë nuk do të shpërbëhet. Por, komuniteti ndërkombëtar është duke kërkuar që ajo ta ndryshojë karakterin e saj. Që nga viti 1999, komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar që Trupat Mbrojtëse të jenë shumëkombëshe dhe në këtë rrafsh ata kanë ende punë për të bërë, meqë në përbërje të tyre gjendet një numër i vogël i pakicave kombëtare. Gjatë bisedimeve të mia me gjeneral lejtnant Agim Çeku, ai shpesh më ka premtuar se do të përkushtohet së bashku me gjeneralët tjerë që këtë vit të përfshijnë në rradhët e veta sa më shumë pjesëtarë të përkatësive të ndryshme dhe kësisoji të ndryshojnë karakterin e TMK-së. Ju më pyetët edhe për kthimin e forcave të Ushtrisë Jugosllave dhe policisë serbe. Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga KFOR-i që të përgjigjet për një ambient të sigurtë në Kosovë, në bazë të rezolutës 1244. KFOR-i vazhdon ta kryejë këtë funksion në mënyrë shumë të mirë dhe ata i kanë thënë zotit Gjingjiq, i cili edhe e ka bërë këtë propozim, se nuk ka ardhur koha që të flasim për kthimin e Ushtrisë Jugosllave dhe policisë serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Harnish, Kryeministri i Serbisë, Zoran Gjingjiq, kohët e fundit ka dalë me opcione të ndryshme mbi Kosovën, duke përfshirë idenë për një Dayton të dytë mbi Kosovën, federalizimin e saj…Si i shihni ju këto prononcime?

RINO HARNISH
Më duhet të them se këto prononcime janë shumë destabilizuese. Votuesit në Serbi janë të ndarë në mënyra të ndryshme, por partisë së zotit Gjingjiq i takon një numër i vogël i këtyre votuesve. Gjithashtu, ai del me këto ide në kohën kur partitë politike në Kosovë nuk janë gjithmonë unanime në atë që bëjnë. Në fakt, propozimet e këtilla janë të disenjuara që të thellojnë edhe më shumë dallimet ndërmjet reformuesve dhe nacionalistëve në tërë Ballkanin. Nuk është koha që të adresohet çështja e statusit përfundimtar. Qeveria ime, Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e sigurtë se koha ka ardhur që të gjithë në Kosovë të përqëndrohen në përmbushjen e standardeve të përcaktuara. Prandaj, mendojmë se propozimet e zotit Gjingjiq mbi federalizimin apo ndarjen janë të gabueshme dhe të paraqitura në mënyrë joadekuate për diskutimet mbi statusin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Bashkimi Evropian ka kërkuar fillimin e dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit mbi çështjet praktike. Por, çfarë do të thotë kjo në realitet?

RINO HARNISH
Unë besoj se Qeveria e Shteteve të Bashkuara përkrahë shumë idenë e fillimit të bisedimeve teknike në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Kjo ide në fakt është publikuar në një konferencë të një organizate joqeveritare në vjeshtë të vitit të kaluar. Fatkeqësisht, kjo nismë është përballur me shumë dyshime politike këtu në Prishtinë, por shpresoj se diskutimet teknike do të fillojnë. Palët në këto diskutime do të përqëndroheshin në çështje të caktuara prej të cilave do të përfitonin të dyja anët që ndahen nga një kufi administrativ. Çështjet si ajo e njohjes së dokumenteve të UNMIK-ut, ajo e targave të veturave të regjistruara në Kosovë, mund të ketë bashkëpunim rreth luftës kundër krimit, rreth furnizimit me energji elektrike dhe ka shumë çështje të tjera për të cilat do të mund të bisedohej, por të cilat asnjëherë nuk do të preknin statusin e Kosovës. Të mbajmë mend se që nga fillimi i ardhjes së zotit Mihael Steiner si Përfaqësues i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm, diskutimet teknike në mes të Prishtinës dhe Beogradit janë përfshirë në njërën nga standardet që duhet përmbushur. Këto diskutime mbi Kosovën do të na ndihmonin në qasjen që do të kemi në të ardhmen mbi të.

RADIO EVROPA E LIRË
Qasja “Standardet përpara statusit” është pranuar gjerësisht, por udhëheqësit shqiptarë kanë ngritur çështjen e mungesës së kompetencave në përmbushjen e këtyre standardeve. Deri në ç’masë mendoni se UNMIK-u duhet të transferojë kompetencat tek autoritetet vendore?

RINO HARNISH
Ankesat e udhëheqësve se nuk kanë përgjegjësi dhe autoritet për të realizuar standardet më duken të zbehura. Dhe unë do të sfidoja çdo lider i cili do të thoshte se institucionet e përkohshme kosovare nuk kanë autoritet. Ato kanë autoritet dhe duhet ta ushtrojnë atë. Kuvendet komunale janë rrënjësisht në mbikqyrje të aktiviteteve që zhvillohen nëpër komuna, si në sistemin e shëndetësisë, atë të arsimit dhe shumë sisteme tjera të përgjithshme. Ata mund të marrin shumë vendime për përmirësimin e jetës së kosovarëve në rrafshin e shëndetësisë, shkollimit dhe çështje tjera për të cilat kanë pushtet komunat. Ngjashëm me këtë, në Kuvend, udhëheqësia ka mundësi që të miratojë ligje, ndërkaq ministrat dhe kryeministri kanë mundësi që t’i ekzekutojnë ato. Nga këto ligje, kosovarët mund të përfitojnë në rrafshin ekonomik, duke krijuar kushte të përshtatshme që do të mundësonin investime të ndryshme dhe krjimin e vendeve të reja të punës. Shpeshherë kur bisedoj me udhëheqësit kosovarë, unë i ftoj ata që ta shfrytëzojnë këtë rast. Më lejoni të them edhe diçka, Përfaqësuesi i Posacëm i Sekretarit të Përgjithshëm ka premtuar se viti 2003 do të jetë vit i transferimit të përgjegjësive shtesë tek institucionet e përkohshme. Unë shpresoj se këto institucione janë të gatshme, kanë vullnet dhe mundësi që marrin përsipër disa nga çështjet e mëdha ekonomike, pushteti mbi të cilat do t’u transferohet atyre. Agjencia Kosovare e Mirëbesimit dhe procesi i privatizimit, Korporata Energjetike e Kosovës dhe cështja e furnizimit me energji elektrike për ekonominë, Post –Telekomi i Kosovës dhe çështja e vendosjes së një sistemi funksional të telekomunikacionit janë vetëm disa rrafshe mbi të cilat pushteti do t’i transferohet institucioneve të përkohshme me gjasë deri në fund të këtij viti. Prandaj, u takon institucioneve të përkohshme që të hartojnë një program solid mbi objektivat që ata duan të realizojnë këtë vit, në mënyrë që të jenë një hap përpara detyrave me të cilat do të përballen.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mund të ndihmojnë autoritetet vendore në procesin e kthimit të serbëve të zhvendosur?

RINO HARNISH
Mendoj se çështja e të zhvendosur duhet të zgjidhet në partneritet ndërmjet bashkësisë ndërkombëtare dhe bashkësisë që pranon të zhvendosurit, e cila në Kosovë është e përbërë prej shqiptarëve. Bashkësia ndërkombëtare mund të sjellë ide, para dhe projekte të organizatave joqeveritare. Vetë Qeveria ime është përkushtuar mbi këtë çështje me 5 milionë e 500 mijë dollarë që i kemi sjellur vitin e kaluar për procesin e kthimit, ndërsa këtë vit kjo shumë ka arritur në 8 milionë dollaë. Personi që gjendet në kampin e të zhvendosurve duhet të dëshirojë që të kthehet dhe pastaj ne i ndihmojmë që të reintegrohen në shoqërinë kosovare. Bashkësia ndërkombëtare, nëpërmjet Komesariatit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara, dhe zyrës së UNMIK-ut për koordinimin e refugjatëve përcjellin një qasje të ngjashme, por në nivel më të gjerë shpresojmë. Pra, bashkësia ndërkombëtare është duke e luajtur rolin e vet, por procesi mund të jetë i suksesshëm në fund vetëm nëse kosovarët i mirëpresin me gjithë zemër fqinjët e tyre, të cilët flasin serbisht, fqinjët të cilët aktualisht jetojnë në kushte të tmerrshme nëpër kampet e të zhvendosurve. Disa prej tyre në këto kampe gjenden tre deri në katër vjetë dhe ata duan të kthehen. Unë kam takuar disa prej tyre dhe është shumë e dhembshme për t’i parë këta fshatarë, mësues dhe të tjerë, të cilët do të kontribuonin në krjimin e një shoqërie moderne në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Harnish, kohët e fundit ju keni mbajtur disa takime me udhëheqësit shqiptarë pas aktakuzave të ngritura nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës. Si e vlerësoni ju situatën e krijuar pas këtyre aktakuzave?

RINO HARNISH
Unë mendoj se në këtë kuadër ka disa elemente pozitive. Të akuzuarit, veçanërisht zoti Limaj kanë bashkëpunuar me Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës. Zoti Limaj u ka thënë qytetarëve të Kosovës se është i gatshëm të dorëzohet posa morri vesh për aktakuzën dhe ky akt mendoj se ka qenë në përkrahje të rendit dhe ligjit në Kosovë. Ngjashëm me këtë, deklarata e miratuar nga Kuvendi i Kosovës mbi çështjen e Tribunalit ka qenë e hartuar me shumë kujdes dhe në të thuhej se besojmë në procesin e Tribunalit Ndërkombëtar dhe e përkrahim atë, ndonëse është ngritur edhe mënyra se si është bërë arrestimi dhe është bërë edhe kërkesa që zoti Limaj të kthehet në Kosovë për t’u mbrojtur në liri. Mendoj se ka pasur shumë zhvillime pozitive në skenën kosovare, çdokush ka vepruar me pjekuri politike dhe përgjegjësi mbi këto rrethana sprove për shumë kosovarë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Harnish, për fund një pyetje e pashmangshme. Përballë angazhimit amerikan rreth Irakut dhe mbi luftën globale kundër terrorizmit, kosovarët kanë frikë se Shtetet e Bashkuara do ta zvogëlojnë praninë amerikane në Kosovë. Sa është e arsyeshme kjo frikë?

RINO HARNISH
Nuk mendoj ashtu. Kësaj pyetjeje i jam përgjigjur shumë herë dhe e tëra ka të bëjë me disa fakte bazë. Aktualisht, derisa presidenti amerikan është duke bërë gjithëçka është e mundshme që të ndërtojë një forcë e cila do të çarmatoste diktatorin Sadam Husein, Shtetet e Bashkuara kanë një brigadë shumëkombëshe në Kosovë, qendra e së cilës është në kampin Bondsteel. Pavarësisht nga zhvillimet e fundit, Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara me prani ushtarake në Kosovë. Ngjashëm me këtë, në kohën kur po mundohemi që të ndihmojnë rindërtimin e Afganistanit, rindërtimin e Irakut, Kongresi ka ndarë gati 100 milionë dollarë ndihmë për Kosovën. Duke marrë parasyshë se Kosova ka vetëm dy milionë banorë, kjo ndihmë është e madhe. Dhe së fundi, mund të shihni interesimin e Kongresit dhe degëve ekzekutive mbi çështjen e stabilitetit në Ballkan, kjo çështje diskutohet në NATO, në Bashkimin Evropian. Prandaj, nuk mendoj se ekziston rreziku që Kosova të largohet thënë figurativisht nga radari. Unë mendoj se është pikërisht në qendër të interesimit për krijimin e një Evrope stabile.
Intervistoi: Arbana VIDISHIQI

XS
SM
MD
LG