Ndërlidhjet

KATER VJET PAS BOMBARDIMEVE


Nadie Ahmeti

Në katër vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe, qytetarët e Prishtinës shprehen se kanë paramenduar një standart jetësor më të mirë duke u bazuar në përparimin ekonomik dhe politik. Njëri prej tyre është Ibrahim Murati, i cili thotë se mbas këtyre viteve është i zhgënjyer me të arriturat e deritanishme:
" Kam qenë i mendimit se kjo periudhë katërvjeçare do të premtonte shumë, por në realitet është arritur shumë pak. Mbretëron një papërgjegjësi, një korrupsion, të gjitha janë prezente", thotë zoti Murati.
Salit Mkolli pohon se nuk ka paramenduar se pas katër viteve do të ballafaqohet me të gjitha problemet e tanishme në Kosovë. Siç thotë ai njëra prej tyre është mungesa e energjisë elektrike:
" Mungesa e energjisë është katastrofë. Janë bërë investime, por me ato kanë mundur të bëhen elektrarna të reja ose të ndërrohen makineritë e reja", thotë zoti Mkolli, ndërsa Nehat Spahiu thotë se gjatë këtyre viteve është dashur të punohet më tepër për hapjen e vendeve të lira të punës: " Papunësia duhej të zvogëlohej më shumë. Tani ka disa tendenca të cilat nuk më pëlqejnë fare. Ka shkurtime të numrit të punëtorëve. Në vend që të shkohet përpara dhe me gjithë këto investime që janë bërë të punësohen edhe punëtorë të tjerë, të ulet kështu papunësia, po shkohet në të kundërtën," pohon zoti Spahia.
Ndërkaq një i intervistuar tjetër Skënder Isufi thotë se ky zhvillim që është arritur tani pas këtyre viteve mund të ishte arritur që pas një viti. Sipas tij përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare duhet t'i bartin kompetencat në institucionet vendore:
" Pengesat janë të ndryshme. Besoj se UNMIK-u mundet të bëjë më shumë, mundet t'u japë më shumë kompetenca kosovarëve, më shumë përgjegjësi, më shumë detyra", thotë zoti Isufi.
Ndryshe nga kolegët e tij, Jusuf Shala mendon se është arritur një përparim i dukshëm, siç e cilëson ai lëvizjen e lirshme të qytetarëve:
" Ka ndryshime të mëdha në të mirë të popullit kosovar. Ka përparime edhe pse po i arrijmë shumë ngadalë. Kam shpresë se do të bëhet shumë më mirë," përfundon zoti Shala.
XS
SM
MD
LG