Ndërlidhjet

George Bush & Tony Blair : Lufta do të vazhdojë deri në fitore


Jeremmy BRANSTEIN

Duke thënë se janë të përcaktuar që luftën në Irak ta vazhdojnë deri në fitore, presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush dhe kryeministri britanik Tony Blair, pas takimit në Kemp Dejvid thanë se prioritetet e tyre mbeten çlirimi dhe mirëqenia e popullit iraken.
Në bisedimet dyditëshe me presidentin Bush dhe zyrtarët tjerë të lartë amerikanë, është riafirmuar uniteti amerikano-britanik.
Pas takimit, presidenti i Shteteve të Bashkuara tha:
"Së bashku, forcat e koalicionit çdo ditë shënojnë progres të qëndrueshëm kundër armikut. Ngadalë, por sigurtë, shtrëngimi i terrorit në grykën e popullit iraken ka filluar të shlirohet", tha George Bush.
"Tani jemi të angazhuar me njësitet më të forta dhe më të dëshpëruara të diktatorit. Fushata e mëtejme do të kërkojë guxim dhe sakrifica tjera, por rezultatin e dijmë: Iraku do të çarmatoset, regjimit të Irakut do t'i vijë fundi, kurse populli aq shumë i përvuajtur iraken do të jetë i lirë", tha presidenti amerikan.
Bindje për fitore në luftën në Irak shfaqi edhe kryeministri britanik Tony Blair.
"Sadam Huseini dhe regjimi i tij i urryer do të hiqen nga pushteti, Iraku do të lirohet nga armët e shkatërrimit në masë dhe irakenët do të jenë të lirë. Ky është përkushtimi dhe përcaktimi ynë, dhe kjo do të ndodhë", tha Blair.
"Dita ditës po e shohim realitetin e regjimit të Sadamit. Rrugaçët e tij e vrasin popullin e vet, bëjnë parada me të burgosurit e luftës, kurse i shfaqën edhe pamjet e ushtarëve të ekzekutuar. Nëse dikujt i duhet ndonjë dëshmi për barabarinë e regjimit të Sadamit, këto krime janë dëshmia më e mirë", tha kryeministri britanik.
George Bush dhe Tony Blair e theksuan nevojën që Kombet e Bashkuara të vazhdojnë programin e pezulluar humanitar naftë për ushqim.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara tha se Amerika është e gatshme t'i ndihmojë popullit të Irakut, menjëherë sa të krijohen kushtet e duhura.
"Jemi të gatshëm të dërgojmë ndihma humanitare në një shkallë të gjerë, dhe ndërkohë që bisedojmë, dërgimi i tyre ka filluar. Bashkë me kryeministrin Blair u bëjmë thirrje Kombeve të Bashkuara që menjëherë ta vazhdojnë programin e tyre humanitar, sepse gjysma e irakenëve varen nga këto ndihma", tha Bush.
Duke folur për gjendjen në Irakun e pasluftës, kryeministri britanik tha: "Ne do të kërkojmë rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit, që ta riafirmojë integritetin territorial të Irakut, të mundësojë dërgimin e menjëhershëm të ndihmave humanitare, dhe pas konfliktit, të mbështesë një administratë të duhur në Irak", tha Tony Blair.


XS
SM
MD
LG