Ndërlidhjet

SERBËT PARALAJMËROJNË REFERENDUM


Rrahman Pacarizi

Në një deklaratë për Evropën e Lirë, kryetari i Këshillit Nacional Serb Milan Ivanoviç, ka thënë se në muajin e ardhshëm do të organizohet referendumi për veriun e Mitrovicës.
" Pas këtij referendumi që nuk dyshojmë të jetë pozitiv, do të dalim në zgjedhje dhe do të formojmë komunën në pjesën veriore të Mitrovicës, " tha Milan Ivanoviç, sipas të cilit zgjedhje të tilla do të mbahen edhe në komuna të tjera të Kosovës. Mirëpo zgjedhje të tilla do të konsideroheshin të pavlefshme dhe ilegale tha zëdhënësi i UNMIK-ut Sunin Narula.
" Zgjedhjet legjitime në Kosovë janë vetëm ato që organizohen nga UNMIK-u dhe OSBE-ja dhe çfarëdo referendume apo zgjedhje të organizuara privatisht nuk kanë fuqi ligjore," tha zoti Narula.
Kjo iniciativë është kundërshtuar ashpër nga kryetari i komunës së Mitrovicës Faruk Spahia, i cili sot tha se kjo nxjerr në shesh synimet e serbëve.
"Me këtë kujtoj se dalin në shesh qëllimet e të gjitha atyre veprimeve që janë bërë deri tani nga ekstremistët serbë, në një hapësirë tolerance të pakuptimtë nga bashkësia ndërkombëtare. Pra qëllimi ka qenë që me shpërnguljen sistematike të shqiptarëve të krijohet një realitet i ri; në këtë pjesë është paramenduar të ndërtohet një prani, entitet me shumicë serbe," thotë zoti Spahia.
Ai tha se kjo është kundër vullnetit të shumicës shqiptare, por edhe kundër vullnetit të edhe vetë shumicës serbe, pasi politika e liderëve të vetëquajtur të veriut e dirigjuar nga Beogradi, i ka lodhur edhe vetë serbët që po hetojnë mbi shpinën e tyre çmimin e vetëizolimit.
Mirëpo përveç referendumit dhe zgjedhjeve Ivanoviç paralajmëroi edhe protesta njëjavëshe kundër zotit Shtajner. "Në këto protesta ne do të shprehin kundërshtimin tonë për bartjen e kompetencave dhe bashkësia serbe dhe pakicat e tjera do të bëjnë që të ndërpritet ky proces", tha Ivanoviç, sipas të cilit zoti Shtajner nuk ka të drejtë që në fund të mandatit të tij të destabilizojë Kosovën dhe rajonin. Prandaj, tha Ivanoviç, serbët kanë filluar një fushatë diplomatike në Këshillin e Sigurimit për ndërrimin e kryeadministratorit Shtajner. Mirëpo UNMIK-u nuk shqetësohet shumë dhe i sheh protestat si një të drejtë të secilit.
"Gjithkush ka të drejtë të protestojë ndërsa zoti Shtajner nuk do të japë dorëheqjen, sepse dikush proteston," tha zëdhënësi Sunin Narula.
Kërkesa e Këshillit Nacional të serbëve, ka ardhur pas kërkesës së Ministrit serb të Drejtësisë, Vladan Batiç, për dorëheqjen e Shtajnerit, një kërkesë kjo që nga zëdhënësit e UNMIK-ut qe vlerësuar si e pakuptimtë.
XS
SM
MD
LG