Ndërlidhjet

E. HOXHAJ: "AGJENDA POLITIKE E BEOGRADIT NDAJ PRISHTINËS NUK KA NDRYSHUAR"


Enver Hoxhaj, Profesor ne Fakultetin e Shkencave Politike ne UP

RADIO EUROPA E LIRË
Zoti Hoxhaj si i vlerësoni ju deklaratat e nënkryetarit të qeverisë së Serbisë, ku thuhet se nëse Kosova do të shkojë drejt pavarësisë, atëhere konflikti do të jetë i pashmangshëm?

DR. ENVER HOXHAJ
Çoviçi edhe në të kalurarën ka formuluar deklarata të tilla, të cilat pak a shumë e kanë përcjellë mesazhin politik, mirëpo kërcënimin në formë tekstuale përmes një konflikti të ri, apo përmes një lufte të re, sigurisht është një nivel i ri i një qasjeje politike. Mendoj që edhe përkundër përfundimit të luftës, edhe përkundër asaj që në Kosovë e kemi të pranishme bashkësinë ndërkombëtare dhe në Serbi kemi ndryshime strukturore, domethënë që nuk është i njëjti regjim, i cili ka sjellë luftën në Kosovë, deklarata të tilla edhe njëherë konfirmojnë se agjenda politike e Beogradit ndaj Prishtinës nuk ka ndryshuar fare. Dhe në situata të tilla, kur pas përfundimit të luftës agjenda politike dhe strukturat, të cilat kanë qenë në konflikt, nuk ndryshojnë dhe qasja është pak a shumë e njëjtë, kjo tregon se konflikti nuk ka përfunduar dhe se mund të marrë forma të tjera.

RADIO EUROPA E LIRË
Në cilat forma më konkretisht atëherë zoti Hoxhaj mendoni se mund të zhvillohet ky konflikt?

DR. ENVER HOXHAJ
Secila deklaratë, e cila formulohet në Beograd në një formë të tillë do duhej të shihej në dy prizma. Perspektiva e parë është që Çoviçi sigurisht i mendon edhe qytetarët serbë kur formulon një deklaratë të tillë. Pra më tepër synohet të fitohet një mbështetje nga zgjedhësit e ndryshëm serbë dhe partia e zotit Çoviç sigurisht që nga kjo anë është shumë e dobët. Një situatë e tillë synon të bindë qytetarët serbë se ai do të jetë në gjendje ta ndalojë Kosovën që të shkojë drejt pavarësisë. Ideja mbrapa është mbi të gjitha që të tregohet se nëse Kosova lëviz drejt pavarësisë, atëhere Serbia duhet t'i përdorte të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, ndoshta edhe mjetet e dhunës, me qëllim që të mos ndodhë diçka e tillë.

RADIO EUROPA E LIRË
Vlerësimeve në Beograd se shtimi i kompetencave për qeverinë e Kosovës do të thotë hapje e rrugës drejt pavarësisë së saj, u janë bashkuar dhe subjektet serbe të Kosovës, të cilat e kanë bojkotuar grupin për bartjen e kompetencave. Si e shihni ju pozicionimin e subjekteve serbe të Kosovës dhe çfarë mund të sjellë kjo për procesin aktual politik në Kosovë?

DR. ENVER HOXHAJ
Mendoj se një nga problemet kryesore që nga përfundimi të luftës në Kosovë, ka qenë fakti se bashkësia ndërkombëtare nuk ka qenë në gjendje të njohë pavarësinë e Kosovës menjëherë pas përfundimit të konfliktit, gjë që për mendimin tim, në atë kohë ka qenë shumë më e lehtë të ndodhë sesa mund të ndodhë sot. Dhe si rezultat i një statusi politik të paqartë, serbët e Kosovës praktikisht kanë jetuar në një realitet dual politik: simbolikisht kanë marrë pjesë në institucionet e Kosovës, mirëpo njëkohësisht kanë marrë pjesë në institucionet e jetës politike serbe dhe në mënyrë të prerë deri më tani kanë deklaruar se pjesëmarrja e tyre në institucionet e Kosovës është vetëm simbolike. Kështu, ose ata marrin pjesë në institucionet e Kosovës me qëllim që ta pengojnë Kosovën drejt pavarësisë, ose me qëllim që të demonstrojnë se Kosova është pjesë e Serbisë. Ky pozicionim i ri i liderëve politikë serbë për mendimin tim, është vetëm një vazhdimësi e një qasjeje të tillë politike dhe pa zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës, jam shumë i sigurt se nuk do të ketë integrim të mirëfilltë të pakicës serbe, meqë për ta Kosova është ende pjesë e Serbisë, meqë për ta çështja e statusit është diçka e papërcaktuar dhe praktikisht nuk dinë a do të jenë pjesë e Kosovës apo pjesë e Serbisë.

RADIO EUROPA E LIRË
Ndërsa Kosova vazhdon me statusin e saj të ngrirë, ndërkohë kanë dalë edhe nisma të tjera siç janë kërkesa e disa subjekteve serbe për ndarjen e Kosovës në njërën anë dhe tani nisma e disa subjekteve shqiptare në anën tjetër për idenë që të krijohet unioni mes Kosovës dhe Shqipërisë. Si i komentoni ju këto zhvillime?

DR. ENVER HOXHAJ
Unë mendoj se lidërshipi kosovar pas vrasjes së kryeministrit Gjinxhiç ka dështuar në shfrytëzimin e një shansi në termin pozitiv. Unë kam mundur të përcjell vazhdimisht debatet brenda për brenda jetës politike serbe dhe një pjesë e madhe e qytetarëve në Serbi kanë frikë nga e ardhmja e tyre. Mendoj se lidershipi shqiptar duhet ta formulonte ose ta riformulonte qëndrimin e tij në atë formë që: nëse qytetarët në Serbi kanë frikë nga e ardhmja e tyre, atëherë pse e ardhmja e qytetarëve të Kosovës të lidhet përsëri me Beogradin dhe me Serbinë.
Opsioni që të krijohet një lloj unioni mes Kosovës dhe Shqipërisë mendoj që është një element pozitiv në kuptimin e pasurimit të bisedimeve rreth çështjes së Kosovës. Mirëpo edhe në Prishtinë edhe në Tiranë aktualisht nuk ka forca politike të cilat vërtet e përcaktojnë dinamikën e zhvillimeve politike. Po ashtu bashkësia ndërkombëtare e ka mbështetur krijimin e Unionit mes Serbisë dhe Malit të Zi, vetëm si një zgjidhje afatshkurtër, kështu që jam shumë i sigurt që bashkësia ndërkombëtare një opsion të tillë të unionit Kosovë Shqipëri nuk e mbështet fare, të paktën deri tani.


Intervistoi Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG