Ndërlidhjet

FORCAT AMERIKANE DEPËRTOJNË GJITHNJË E MË THELLË NË "ZONËN E KUQE"


ANDREW F. TULLY

Ushtria e Shteteve të Bashkuara tha se forcat e saj janë afruar 50 kilometra afër paralagjeve jugore të Bagdadit, që ishte qëllimi i fushatës dyjavëshe në Irak.
Gjenerali i brigadës Vincente Brooks tha se koalicioni anglo-amerikan i ka shkaktuar dëmtime të rënda dhe e ka sakatosur Gardën elite Republikane të Saddam Husseinit.
Brooks tha se forcat aleate Bagdadin tani e kanë para syve.
"Do t'i afrohemi Bagdadit. Kama tani është drejtuar në zemrën e regjimit, dhe do të mbetet ashtu derisa regjimi të zhduket", tha Brooks.
Disa forca amerikane, të veshura me rroba mbrojtëse nga armët kimike, janë afruar madje 30 kilometra larg Bagdadit. Ata gjenden në të ashtuquajturën "zonë të kuqe".
Komandantët amerikanë thonë se depërtimi në këtë zonë mund ti nxitë irakenët të urdhërojnë përdorimin e armëve kimike dhe biologjike. Armët e tilla deri tani nuk janë përdorur, por udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara thonë se megjithate, nuk do të ndalen së depërtuari drejt Bagdadit.
Gjenerali Brooks pohon: "Mund të ketë një vijë, për kalimin e së cilës regjimi do të mund t'i përdorte armët e shkatërrimit në masë. Ne e dijmë se i kanë, sepse i kanë përdorur kundër njerëzve të vet në të kaluarën. Kjo është ajo "zonë e kuqe", thotë Brooks.
Përparimi drejt Bagdadit zhvillohet në dy drejtime, nga jug-lindja dhe jug-perëndimi. Nga drejtimi i parë, njësitet e ushtrisë amerikane i kanë shtyrë pozicionet e Gardës Republikane në perëndim të Qerbelasë drejt Bagdadit dhe e kanë pushtuar pendën e afërt. Kishte droje se irakenët mund ta hedhnin në erë dhe ta përmbytnin rajonin, për të penguar lëvizjen e trupave të koalicionit.
Nga jug-perëndimi, afër qytetit Kut, sipas pohimeve të gjeneralit Brooks, marinsat amerikanë e "shkatërruan" Divizionin "Bagdad" të Gardës Republikane, si dhe e pushtuan urën kryesore mbi lumin Eufrat.
Brooks tha se njësitet tjera të Gardës Republikane kaluan pak më mirë se Divizioni "Bagdad".
"Nëse do ta vlerësonim gjendjen e pjesës së mbetur të komandës së Gardës Republikane, do të thosha se janë në hall. Ata u janë nënshtruar sulmeve tona serioze, që do të vazhdojnë derisa ta përfundojmë detyrën", tha Brooks.
Avansimi i shpejtë i forcave të Shteteve të Bashkuara nuk kaloi pa probleme. Së pari, guerilët irakenë vazhdimisht i kanë sulmuar konvojet e furnizimit dhe trupat e aleatëve, duke e ngadalësuar kështu përparimin e tyre drejt Bagdadit. Kohëve të fundit, irakenët kanë filluar të vendosen nëpër ndërtesa civile, duke i shkelur kështu rregullat ndërkombëtare të luftës. Brooks këtë e përshkroi si vijon: "Dy gjëra më duket të jenë çështje emergjente. E para, e armatimin e vendosin nëpër shkolla, në të shumtën e rasteve pranë fëmijëve, dhe kjo ka ndodhur në disa qytete. E dyta, ata i vendosin qendrat komanduese dhe kontrolluese nëpër spitalet", tha gjenerali Brooks.
Pjesëtarë të një njësiti iraken në Najaf, 150 kilometra në jug të Bagdadit, kanë hapur zjarr pa u ndëshkuar nga forcat e koalicionit, sepse kanë gjuajtur nga xhamia , ku besohet të jetë i varrosur Aliu, dhëndërri i Muhamedit. Forcat amerikane dhe britanike kanë deklaruar se objektet e tilla në Irak nuk janë caqe të sulmit.
XS
SM
MD
LG