Ndërlidhjet

TIRANA DHE BEOGRADI DUHET TË KONTRIBUOJNË PËR NJË KLIMË MË TË QËNDRUESHME NË KOSOVË


Ilir META, zëvendës kryeministër dhe ministër i Jashtëm i Shqipërisë

RADIO EUROPA E LIRË
Zoti Meta, dje është bërë e ditur ideja që ju keni hedhur, që Tirana të luajë rolin e një ure me Beogradin për zgjidhjen e statusit final të Kosovës. Çfarë në fakt është biseduar në këtë drejtim?

ILIR META
Mendoj se ky do të ketë qënë më shumë një keqkuptim i kuptuar në këtë mënyrë, pasi ajo që unë kam shprehur në mënyrë të vazhdueshme edhe dje, është se Tirana dhe Beogradi, përveç zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe zhvillimit të mëtejshëm të interesave të tyre reciproke, kam parasysh këtu fushën e ekonomisë, tregtisë, turizmit, transportit etj, duhet të kontribuojnë edhe për një klimë gjithmonë e më të qëndrueshme në Kosovë, për të inkurajuar shqiptarët e Kosovës dhe serbët e Kosovës që të punojnë së bashku në institucionet demokratike, për t'i bërë këto institucione më efikase dhe më vetëqeverisëse dhe njëkohësisht për të kuptuar se e ardhmja e Kosovës është dhe duhet të jetë pjesë e të ardhmes evropiane e të gjithë rajonit tonë.

RADIO EUROPA E LIRË
Zoti Meta, gjatë takimeve që keni pasur me autoritetet e Beogradit, biseduat për çështjen e Kosovës?

ILIR META
Kjo nuk ka qenë në fakt çështja më kryesore që ne kemi diskutuar, pasi duhet patur parasysh se ky është një samit për çështjet e bashkëpunimit të Evropës Juglindore dhe Serbia dhe Mali i zi kanë patur kryesimin. Këtu jemi përqëndruar kryesisht në prioritetet e deritanishme dhe në të ardhmen e këtij procesi të bashkëpunimit rajonal. Natyrisht kemi bërë një bilanc të marrëdhënieve tona bilaterale, marrëveshje që presim t'i nënshkruajmë së shpejti, veçanërisht atë për tregtinë e lirë, dhe sigurisht kemi biseduar edhe për problemin e Kosovës apo për problemet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

RADIO EUROPA E LIRË
Cili është konstatimi që del nga ky samit zoti Meta, sa shoqëria shqiptare, pra shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës dhe të Maqedonisë, po ecin drejt rrugës së duhur për t'u bërë pjesë e strukturave euro-atlantike?

ILIR META
Unë mendoj se shqiptarët janë më shumë se asnjëherë tjetër më parë në këtë rrugë. Këtu kam parasysh Shqipërinë, e cila tashmë ka filluar negociatat për marrëveshjen e Asocim-Stabilizmit me Bashkimin Evropian, që do të rrisë nivelin e marrëdhënieve kontraktuale midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Por kam parasysh edhe se më së fundi në Maqedoni pas zgjedhjeve të përgjithshme ka filluar jo vetëm të funksionojë qeveria e re, por edhe të punohet për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, dhe kjo është marrëveshja që jo vetëm do ta garantojë stabilitetin e Maqedonisë, por edhe do t'i hapë rrugë dhe realizimit të të drejtave të shqiptarëve në kuadër të integrimit evropian të Maqedonisë. Në këtë drejtim, unë mendoj se ky është një hap tjetër dhe një situatë më e mirë edhe për shqiptarët e Maqedonisë.
Gjithashtu ne dëshirojmë që Kosova të inkurajohet për t'u përfshirë në procesin e Stabilizim-Asocimit dhe kemi kërkuar që në samitin e Selanikut, të merret një angazhim më konkret për ta institucionalizuar këtë përfshirje. Është vendosur tashmë një mekanizëm midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës që quhet "Tracking Mechanism", por ky duhet shoqëruar me angazhime, të cilat marrin përsipër për ta inicuar edhe përfshirjen e Kosovës institucionalisht në procesin e Asocim-Stabilizimit.

Intervistoi Zërijeta Hajro - Jahjaga


XS
SM
MD
LG