Ndërlidhjet

LUFTA NË IRAK I ILUSTROI PËRPARËSITË E USHTRIVE PROFESIONALE


VALENTINAS MITE

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e fituan shpejtë luftën në Irak. Pajisjet ushtarake të Bagdadit nuk mundën t'u bëjnë ballë teknologjive të zhvilluara që u përdorën nga forcat e koalicionit. Konflikti e ilustroi jo vetëm epërsinë e teknologisë moderne, por edhe përparësitë e forcave profesionale ndaj ushtarëve të rekrutuar. Analistët thonë se koha e ushtrive të tilla ka perënduar.
Marius Vahl, nga Qendra Evropiane për Studime Politike në Bruksel, thotë se armatimi bashkëkohor mund të përdoret më me efektivitet vetëm nga ushtarët profesionistë, e jo nga ata që shërbejnë një vit apo më pak.
"Faktori i teknologjisë është shumë i rëndësishëm, kurse ushtarët e rekrutuar nuk janë ide e mirë. Ushtritë tani shumë më pak përdoren në Evropë, kurse më shumë jasht saj", thotë Vahl.
Ian Kemp, botues i revistës britanike "Jane's Defence Weekly", thotë se shkaku i kësaj, shumë ushtri evropiane janë profesionalizuar.
"Franca habit shumë sepse e ka historinë më të gjatë të rekrutimit të ushtarëve që daton prej kohës së Napoleonit. Por tani Franca të gjitha forcat i ka vullnetare. Të njëjtën e kanë bërë Holanda, Belgjika dhe Spanja. Edhe Italia e ndjek atë rrugë", thotë Kemp.
Megjithate, ai thotë se ushtritë profesionale kushtojnë shumë, prandaj disa vende të perëndimit e kanë vështirë të ecin përpara.
Përjashtim bën Gjermania, për të cilën Vahl thotë se ajo ka arsye historike.
"Në shumë vende që rekrutojnë ushtarë, kjo ka edhe rëndësi politike, e sidomos në Gjermani, ku paraqet simbol të kontrollit civil ndaj forcave të armatosura", thotë Vahl.
Shumica e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore gjithashtu kanë filluar të ecin drejt profesionalizimit të armatës. Analisti Kemp thotë se ky trend vërehet në tërë Evropën Qendrore.
"E njëjta vlen edhe për shtatë vendet që janë ftuar t'i bashkangjiten NATO-s. Rumania për shembull, po e rrit përqindjen e pjesëtarëve të rregullt në armatë, kurse Republika e Çekisë planifikon që deri në vitin 2005 plotësisht ta transformojë ushtrinë me ushtarë profesionistë", thotë Kemp.
Ndërkaq analisti rus Pavel Felgenhauer thotë se Rusia duhet rrënjësisht t'i reduktojë dhe reformojë forcat e armatosura. Sipas tij, problemi kryesor nuk janë ushtarët e dobët, por oficerët e dobët, të cilët paguhen shumë pak dhe kanë stërvitje ushtarake sovjetike.
Felgenhauer thotë se Rusia ka filluar të angazhojë ushtarë me kontratë, por pa oficerë kompetentë, këta ushtarë vetëm e bëjnë gjendjen më të vështirë.
"Gjithçka në armatën ruse u shkatërrua. Tani as që ka kuptim të mendohet për ushtarë profesionistë, sepse kjo asgjë nuk do të ndryshojë. Kur nuk ka oficerë profesionalë, këta ushtarë do të bëhen banda pijanecësh, siç ka ndodhur disa herë në të kaluarën", thotë Felgenhauer, duke shtuar se lufta në Irak tregoi se sa e prapamnetur është ushtria ruse.
"Mësimi kryesor në lufta në Irak është se forcat tona nuk vlejnë për asgjë. Ne duhet të krijojmë diçka si forcat amerikane apo britanike, me të cilët madje edhe australianët shumë mirë bashkëvepruan. Ne kemi një ushtri që i takon shekullit të kaluar", thotë analisti rus Felgenhauer.
XS
SM
MD
LG