Ndërlidhjet

NË BERLIN FILLON NDËRTIMI I QENDRËS PËRKUJTIMORE PËR HOLOKAUSTIN


Roland Eggleston, Radio Evropa e Lirë, Munih Pothuajse 58 vjet pas përfundimit të luftës së dytë botërore, Gjermania ka filluar procesin e ndërtimit të monumentit përkujtimor për 6 milionë hebrenjtë evropianë të vrarë nga nazistët. Vendi i ndërtimit të këtij monumenti dikur ishte tokë e askujt përgjatë murit të Berlinit. Pritet që ky monument përkujtimor do të hapet në Maj të vitit 2005...kur edhe shënohet 60 vjetori i përfundimit të Luftës së dytë botërore.

Fillimi i punimeve për ndërtimin e memorialit kushtuar hebrenjve të vrarë në Evropë, është në qendër të një prej debateve më emocionale në Gjermani, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Disa kritikë thonë se një memorial i tillë do zgjojë hijet e së kaluarës naziste në vend, çfarë nuk është e përshtatshme për një vend që ka ndryshuar drejt një demokracie paqësore. Të tjerë thonë se asnjë monument nuk mund të vërë në vend drejtësinë për tmerret e holokaustit.

Fituesi i çmimit Nobel, shkrimtari Gunter Gras, është në mesin e atyre që thonë se memorialet e vërteta janë fotografitë dhe reliktet e mbetura nga kampet e përqëndrimit. Kritiku hebre, Majkëll Nauman, thotë se një vizitë në kish kampin e përqëndrimit në Bergen –Bellsen flet më shumë për tmerret e asaj kohe se çdo gur memoriali. Mbështetësja e projektit, Ruth Elster, sqaron se memoriali nuk synon t'ju kujtoj gjermanëve fajësinë kolektive, por tu tërheqë vëmendjen për atë se çfarë të këqijash janë në gjendje të bëjnë njerëzit.

"Ne kemi si detyrim ti mbajmë të gjalla kujtimet e asaj se çfarë krimesh qënia njerëzore është në gjendje të kryejë... jo të shpërndajmë kompleksin e fajësisë por të nxisim përgjegjshmërinë" - thotë Elster.

Memoriali do të përbëhet nga 2 700 rrasa guri të errëta. Ideja e tij është vepër e arkitektit, Peter Ajenman nga Nju Jorku. Kryetari i parlamentit gjerman, Volfgang Tiers, thotë se guri i parë i memorialit do vihet në gushtin ose shtatorin e ardhshëm. Ndërkaq memoriali parashihet të përfundojë në vitin 2004, por përurimi i tij do jetë në maj të 2005, çfarë përkon me 60 vjetorin e përfundimit të luftës. Memoriali do të përmbajë dhe një qendër të nëndheshme dokumentacioni. Kjo bëhet pasi gjeneratat e ardhshme nuk do të mund të informohen plotësisht mbi atë që ka ndodhur thjesht nga gurët e monumentit në fjalë. Vlera e memorialit është llogaritur në 28 milionë euro.

Ish kryebashkiaku i Berlinit, Eberhard Diepgen, një nga kritikët e formës së memorialit, e cilëson atë si tepër të madh dhe shumë modern. Sipas tij mënyra e konceptimit është më shumë e periudhës së pas luftës se sa e Holokaustit. Ndërkaq Elster, mbështetëse e projektit, thotë se sinagogat, kampet e përqëndrimit, etj do kujtojnë çfarë ka ndodhur, por vendi ka pasur nevojë për një vend kujtese nacionale.

"Ka shumë monumente të tjera në gjithë Gjermaninë për atë se çfarë ka ndodhur gjatë holokaustit. Por Gjermania ka nevojë për një monument qëndror dhe ai do të jetë këtu në Berlin" - përfundon Elster.
XS
SM
MD
LG