Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: KOSOVARËT DUHET T'I TREGOJNË BOTËS SE MUND TË MENAXHOJNË PUNËT E TYRE


”Është mirë që në rajonin e Ballkanit të kuptohet dhe të refuzohet ideja e Georgievskit…para se të bëhet e nevojshme ndërhyrja e huaj, e cila do të nënkuptonte se ju nuk do të anëtarësoheni në BE e as në NATO… nëse do të vazhdoni të flisni në këtë mënyrë" – thotë, pos tjerash, analisti i Radios Evropa e Lirë, Patrick Moore, duke komentuar idenë e ish kryeministrit maqedonas, për ndarje sipas linjave etnike.

RADIO EVROPA E LIRË
Çështje kryesore në Kosovë aktualisht është transferi i kompetencave. Kosovarët do të dëshironin sa më shumë kompetenca që është e mundur për institucione, por kjo gjë kundërshtohet nga Unmiku. Si i vlerësoni ju zhvillimet e ardhshme në këtë sferë?

PATRICK MOORE
Të fillojmë duke parë së pari arsyet pse UNMIKu po lëvizë kaq ngadalë në realizimin e këtyre transfereve. Së pari e dimë që ekzistojnë kundërshtimet nga ana e Beogradit, por nuk mendoj se Serbia do të jetë një faktor veçanërisht i rëndësishëm në këtë çështje… për një kohë shumë të gjatë, madje, tashmë, mund të jetë jashtë loje. Prandaj mendoj se kur njerëzit thonë se nuk duam të bëjmë këtë sepse serbët do të kundërshtojnë, ky është një arsyetim që nuk është serioz. Ajo që kemi këtu është një burokraci e centralizuar dhe e paguar mjaft mirë, e cila po e shijon pushtetin dhe privilegjet e saja dhe nuk nxiton për të hequr dorë nga të gjitha këto. Për fat të keq ky është reputacioni që burokracitë ndërkombëtare kanë fituar. Tendenca për të ruajtur të ardhurat e mira dhe pushtetin është diçka që ka ekzistuar në shoqëri që nga fillimi i kohërave. Por le të shohim se cili është rezultati…Nuk është vetëm në Kosovë, atë e shohim në Bosnjë dhe në Afganistan dhe për këtë arsye mund të kuptoj se pse shumë veta në Shtetet e Bashkuara dhe në Britani nuk duan të përsërisin të njëjtën përvojë në Irak…Siç e shohim, janë amerikanët dhe britanikët që po luajnë rolin udhëheqës në Irak, së bashku me një ish gjeneral të ushtrisë. Prandaj, mendoj se është e rëndësishme për kosovarët që t'i tregojnë botës se mund të menaxhojnë punët e tyre. Dhe kjo përfshinë mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, përfshinë eleminimin e krimit të organizuar dhe përfshinë dhënien e provave që Kosova mund të menaxhojë punët e veta në nivelin e standarteve evropiane. Kjo është mënyra që kosovarët mund ti mohojnë argumentet e atyre që duan t'i mbajnë ata përgjithmonë qoftë si një protektorat ndërkombëtar qoftë që t'i kthejnë ata nën Serbi.

RADIO EVROPA E LIRË
Para disa ditësh kryetari i Kuvendit të Kosovës tha se shqiptarët në Kosovë kanë besim të madh në Kforin. Se e shpjegoni ju këtë qasje ndaj trupave të Kforit në krahasim me administratën ndërkombëtare? Ose çka mendoni a janë kosovarët të kënaqur me Unmikun apo jo?

PATRICK MOORE
Mendoj se dëgjuesit tuaj e dinë më mirë se a janë apo jo të kënaqur me administrimin e OKB-së…Nga ajo që dëgjoj mendoj se nuk janë. Siç thashë, mendoj se kemi rënë dakort në diskutimet e mëparshme, në Unmik kemi virtutet dhe problemet e gjithë burokracive ndërkombëtare dhe kjo lëvizje e ngadalshme, kjo mungesë efektiviteti i shqetëson njerëzit. Mund të shohim për shembull se jemi në vitin e katërt dhe akoma ka probleme me energjinë elektrike, ndërsa francezët dhe gjermanët në zyrat e shtypit dhe televizionet ankohen se amerikanëve po u merrë shumë kohë sigurimi i energjisë elektrike në Bagdad. Le të shohim tani KFORin…Ata nuk kanë asnjë interes të madh që të rrinë dhe nuk kanë rroga të mëdha. Mendoj se qeveritë perëndimore vazhdimisht llogarisin se sa para duhet të shpenzojnë për këtë ushtri, duan që t'a mbajnë ushtrinë pak po saktë dhe, siç thashë, nuk mendoj se do të jenë aty pakufi. Sa për t'ju dhënë disa statistika, lexova para disa ditësh se prania ushtarake gjermane i kushton qeverisë gjermane 800 milionë euro, që është një shumë tepër e madhe. Të gjithë pra shikojnë ato që harxhojnë dhe mendoj se kur trajtohet diçka si KFORI apo SFORI në Bosnjë shikohet se njerëzit kanë një buxhet të kufizuar, një qëllim të qartë dhe nuk kanë ndërmend të rrinë përgjithmonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur shumë komente lidhur me propozimet e fundit të dy liderëve të partive opozitare në Maqedoni për kufinjë sipas linjave etnike. Çka mund të na thoni lidhur me sfondin e kësaj ideje, që ishte refuzuar nga përfaqësuesit ndërkobëtar dhe partnerët e koalicionit qeveritarë?

PATRICK MOORE
Para se të fillojmë me diskutimin e kësaj ideje do të doja së pari t'ju bëj një përshkrim të shkurtër dy liderëve, Georgievskit dhe Xhaferit. Këta tash janë jashtë pushtetit dhe pa diskutim që do t'u pëlqente të riktheheshin në pushtet ndoshta jo nesër po në të ardhmen. Ata e patën rastin e tyre, por dështuan dhe ndoshta po kërkojnë një mënyrë të re për të fituar vota dhe shpresojnë që një ditë njerëzit do ti zgjedhin ata për të qeverisur. Po cila është ideja e propozuar? Ajo është ndarja etnike. Kjo është praktikisht një formë e pastrimit etnik, dhe nuk është asgjë e re. Kemi parë në shekullin e kaluar pastrime masive etnike në Ballkan në fillim të luftërave ballkanike më 1912 dhe 1913, ka patur më shumë se gjatë dhe pas luftës së parë botërore dhe akoma më shumë gjatë dhe pas luftës së dytë botërore dhe dëgjuesit tuaj e dinë më mirë se unë se çfarë ndodhi aty gjatë dhjetë viteve të kaluara. Kjo është një ide e vjetër, një ide e keqe, që përfshinë shumë vuajtje dhe humbje të jetëve të shumë njerëzve… Çfarë mund të themi tjetër për këtë ide: është një ide e vjetër dhe nuk i përket më botës së sotme. Është thënë shpesh herë prej politikanëve nga të gjitha pjesët e Evropës dhe nga Shtetet e Bashkuara që trendi në Evropë duhet të jetë bashkimi dhe kufizimi i rëndësisë së kufijve. Mendoj se kemi patur këtë koment edhe nga liderët shqiptarë të BDIsë në Maqedoni, që thonë se nuk kanë më nevojë për mure…se muret nuk kanë më vend në Evropën moderne. Kjo është ideja që besoj se do të kuptohet në rajonin e Ballkanit dhe se njerëzit do të propozojnë alternativa të tjera dhe se do të refuzojnë idenë e Georgievskit dhe do të ndërhyjnë… para se të bëhet e nevojshme ndërhyrja e huaj, e cila do të nënkuptonte se "ju nuk do të anëtarësoheni në BE e as në NATO… nëse do të vazhdoni të flisni në këtë mënyrë".
Intervistoi Fatmir Bujupi.
XS
SM
MD
LG