Ndërlidhjet

NJË MJEK THOTË SE "NË IRAK, KUDO QË TË GËRMOSH, GJEN OSE NAFTË OSE ANTIKITETE"


Zamira Eshanova, Radio Evropa e Lirë, Bagdad Duke folur për personat që vodhën në Muzeun e Bagdadit, eksperti Don George thotë "dyshojmë se ata ishin specialistë, që mund të identifikonin objektet e rëndësishme që kishim në muzeum. Ka pasur dhe të tjerë që vetëm donin të vidhnin ndonjë antikitet si dhe një grup i fundit që kanë qenë grabitës".

Për shumë irakianë muzeu kombëtar ishte gur i çmuar në kurorën e trashëgimisë kulturore irakiane. Në një nga pak librat informativ turistikë për Irakun, botuar në vitin 1982 shkruhet se "pak vende janë aq të pasura në arkeologji sa Iraku. Muzeu kombëtar i Irakut me koleksionin e tij të madh arkeologjik pasqyron pasurinë e vendit". Më tej në librin në fjalë shkruhet se "shumë popuj dhe kultura që kanë jetuar në Mesopotami, që nga kohët që nuk mbahen mend deri në perandorinë arabe kanë gjurmët e zhvillimit të tyre në muzeun kombëtar irakian. Aty gjen objekte dhe dëshmi të artit dhe qytetërimit të sumerëve, babilonasve, asirianëve etj".

Por gjithë kjo pasuri e vendit është dëmtuar seriozisht që nga hyrja e trupave të koalicionit në Bagdat. Rënia e regjimit u shoqërua me vjedhje dhe plaçkitje, të cilat prekën rëndë edhe Muzeun. Një prani e shtuar e trupave amerikane shihet tani përreth muzeut, por dëmtimet kanë ndodhur. Shumë irakianë vijnë për çdo ditë përpara muzeut për të parë nga afër dëmet e shkaktuara.
Në mesin e tyre është dhe një mjek në pension, 67 vjeç, i cili prej vitesh është ndër vizitorët e rregullt të muzeut. Pamja e sotme është trishtuese për të.

- Jam i sigurt se nëse presidenti Bush do ta kishte parë muzeun e Irakut, ai nuk do ta kishte sulmuar Irakun. Ai duhet ta kishte mbrojtur muzeumin nga plaçkitësit, - thotë mjeku i pasionuar pas këtij muzeu, i cili tashmë kalon ditët para hyrjes qëndrore të tij.

Don George, drejtor i përgjithshëm për kërkime në bordin irakian të antikiteteve, së bashku me një numër ekspertësh po përcaktojnë shkallën e dëmtimit. Salla e hyrjes është e mbushur me pjesë të materialeve të dëmtuara. Drejtori i muzeut nuk ka një përgjigje të saktë se sa pjesë janë vjedhur. Por ai thotë se është e sigurt se reliktet më të çmuara të muzeut nuk janë më.
Don George thotë se muzeu nuk është vjedhur nga hajdutë të rëndomtë.

- Dyshojmë se ata ishin specialistë, që mund të identifikonin objektet e rëndësishme që kishim në muzeum. Ka pasur dhe të tjerë që vetëm donin të vidhnin ndonjë antikitet si dhe një grup i fundit që kanë qenë grabitës për të grabitur ç'të mundnin, - thotë George.
Punonjësit e muzeut mbajnë përgjegjëse forcat amerikane për dëmet dhe kanë kërkuar prej tyre të ndihmojnë në gjetjen e objekteve të vjedhura. Një grup ekspertësh nga agjencia FBI po punon me ekspertët për të hartuar një katalog të sendeve që mungojnë.

Por ka pasur dhe disa momente gëzimi në gjithë këtë mes. Kështu është kthyer një reliev në bronz i shekullit të 4-të para epokës së re. Por një tjetër ekspert, Ziad Xhureidini, thotë se ka pak gjasa të kthehen pjesë të tjera të humbura.

- Muzeumet, jo vetëm moralisht, por ligji i ndalon të blejnë pjesët e vjedhura. Megjithatë ka shumë njerëz të pasur që janë koleksionistë. Kështu që nuk është problem të gjesh njerëz që i blejnë ato, - thotë eksperti Xhureidini.

Ndërsa mjeku në pension, vizitori i përhershëm i muzeut thotë:

- Ka aq shumë gjëra që nuk kthehen dot. Një person vdes dhe ai nuk mund të lind më. Eshtë e njëjta gjë edhe në këtë rast, - thotë ai.

Ai mëtutje shton se megjithatë në Irak, kudo që të gërmosh, gjen ose naftë ose antikitete.
XS
SM
MD
LG