Ndërlidhjet

COLIN POWELL VIZITON TIRANËN


ALMA ÇUPI

Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, mbërriti mesditën e sotme në aeroportin "Nënë Tereza" të Tiranës.
Ai u prit nga kryeministri Fatos Nano, zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm Ilir Meta.
Takimin e parë, Sekretari amerikan i Shtetit e pati në selinë e presidencës, me presidentin e republikës, Alfred Moisiu.
Presidenti i Shqipërisë i akordoi Sekretarit amerikan të Shtetit medaljen “Gjergj Kastrioti - Skërnderbeu”.
Më pas Sekretari amerikan, Powell, bëri një takim kokë më kokë me kryeministrin Fatos Nano dhe pas disa minutash në praninë e medias nënshkruan marrëveshjen mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në lidhje me mosdorëzimin e qytetarëve amerikanë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.
Sipas kësaj marrëveshje, qytetarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ndodhen në territorin e Shqipërisë, në mungesë të miratimit të shprehur prej qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk do të dorëzohen apo transferohen në asnjë mënyrë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për çfarëdolloj qëllimi.
Pyetjes se përse u zgjodh Shqipëria për nënshkrimin e kësaj marëveshje Sekretari i Shtetit iu përgjigj:
"Është vendi i duhur dhe momenti i duhur. Unë jam në një udhëtim në Evropë dhe do shkoj në Siri sot në mbrëmje. Unë kam dëshiruar të vizitoja Shqipërinë. Dhe e dimë se Karta është gati, të gjitha dallimet janë sheshuar gjatë diskutimeve të këtyre muajve. Është një dokument i shkëlqyer dhe mendoj se nuk ka vend më të mirë për ta bërë se në Shqipëri. Kështu rirregullova axhendën e udhëtimit, që të mund të vija këtu dhe të takoja liderët nga Kroacia dhe Maqedonia për të nënshkruar Kartën këtu. Mendoj se është një shprehje e miqësisë ndaj Shqipërisë si dhe ndaj Kroacisë dhe Maqedonisë."
Gjithashtu Sekretari amerikan i Shtetit tha se Shqipëria dhe qeveria shqiptare po ecin përpara dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë miqtë ndihmës në procesin e zhvillimit.
Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, tha se vizita e Sekretarit Powell është një shpërblim për kontributin e Shqipërisë në stabilitetin rajonal dhe global.
"Mendoj se Sekretari Powell ka shpërblyer përpjeket politike institucionale dhe shoqërore të Shqipërisë për këtë transformim të madh nga konsumues i stabilitetit në përforcues të stabilitetit rajonal dhe global, siç e kemi dëshmuar në Bosnjë, Afganistan dhe tani në Irak si anëtarë të Koalicionit të Vullnetit të Mirë.
Shqipëria po bëhet përfundimisht partner i besueshëm për të ndarë vlerat euroatlantike", tha kryeministri Nano.
Në orët e para të pasdites Sekretari amerikan i Shtetit asistoi në nënshkrimin e një marrëveshjeje trepalëshe Shqipëri-Maqedoni-Kroaci për integrimin në NATO.
Kjo marrëveshje e njohur si Karta e Adriatikut është një dokument tepër i rëndësishëm për integrimin në Aleancën e Atlantikut Verior.
Marrëveshja i shërben një plani të përbashkët veprimi mes tri vendeve të rajonit nën mbikëqyrjen e SHBA-së. Synimi kryesor është anëtarësimi në NATO në samitin e ardhshëm të Aleancës.

XS
SM
MD
LG