Ndërlidhjet

B. ZENELI: VAZHDOHET ME STATUS QUON


Intervistë me Bernard Zenelin, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Zeneli, ditë më parë kryeministri i qeverisë së Kosovës ka kërkuar nga Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë që të formohen dhe pesë ministri të reja. Si i vlerësoni arsyet për një kërkesë të tillë?

BERNARD ZENELI
Në rradhë të parë do ta shikoja këtë si një kërkesë nga qeveria kosovare për fuqizim të pozitave të saj në situatën aktuale që po kalon Kosova sot për sot. Në rradhë të dytë kjo, në varësi se kush mund t'i drejtojë këto ministri, mund të jetë një kërkesë për të përforcuar rolin e kryeministrit brenda kësaj qeverie. Më duket që situata mund të jetë paksa e komplikuar, sepse kalohet jashtë strukturave të cilat janë miratuar më përpara, dhe në qoftë se do të themi se do të miratohet kjo, gjë që e vë në dyshim, nuk e di se si do të zgjidhen këto kandidatura dhe kush do jenë personat që do t'i drejtojnë këto ministri.

RADIO EVROPA E LIRË
Lidhur me këto çështje zyrtarët e administratës ndërkombëtare vazhdimisht kanë theksuar të drejtat e rezervuara të Shefit të UNMIK-ut.

BERNARD ZENELI
Në fakt nuk pritet ndonjë përgjigje tjetër prej zotit Shtajner përsa i takon këtij problemi dhe kjo karta e rezolutës 1244 do të luhet vazhdimisht. Për gjithshka ajo nuk është shumë e qartë. Në fakt ka një lloj përplasjeje shumë të fortë sepse një pjesë e këtyre ministrive, me përjashtim të energjitikës, ndoshta janë me të vërtetë pjesë e rezervuar e posteve ndërkombëtare, por për mua kjo nuk është shumë e rëndësishme. Ajo që unë vë re, ose të cilën unë do ta nxirrja si problem do kishte të bënte me faktin sa e përgjegjshme ka qenë kjo qeveri për të mbajtur mbi supet e veta përgjegjësitë që i ka shtruar koha. Në qoftë se në këto përgjegjësi të cilat ka patur deri më tani, kjo qeveri është treguar e suksesshme, egziston e drejta, legjitimiteti i duhur që kjo të kërkojë pushtete të reja domethënë të kërkojë edhe këto ministri. Unë së pari nuk jam i bindur që kjo qeveri i ka realizuar ato detyrat e veta. Mund të kalojmë në shembuj të veçantë ku mund të përmend shembujt nga arsimi dhe kushdo në Kosovë është shumë i ndërgjegjshëm për situatën e rëndë që egziston aty, pa kaluar në ministritë e tjera.
Pa marrë përsipër mirë përgjegjësitë që i takojnë në kuadrin e kësaj qeverie aktuale, pa krijuar një strukturë me të vërtetë përgjegjëse për zhvillimet nëpër të cilat kalon Kosova sot dhe pa krijuar një vizion se si do të jetë Kosova në të ardhmen, më duket shumë e parakohshme që të kërkohen shtesa të reja të përgjegjësive.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Zeneli, shikuar përgjithësisht, sa ka baza reale për kërkesat e qeverisë?

BERNARD ZENELI
Baza mund të jetë reale, sepse këto janë ministri që quhen në përgjithësi ministri kryesore dhe duke qënë se mes nesh ka shumë rëndësi statusi, Kosova paraqet një shoqëri në të cilën titujt kanë shumë më tepër vlerë sesa puna aktuale që mund të bëjë një njeri. Duke e parë në këtë kontekst të kulturës politike që ushtrohet sot për sot në Kosovë, që më tepër ka rëndësi paraqitja sesa vlerat, atëhere kjo është me të vërtetë një kërkesë reale sepse i jep një lloj fuqizimi qeverisë. Por në anën tjetër unë do të thoja që nëqoftë se kjo kërkesë do të miratohet, atëhere formula për qeverinë, raporti i forcave në të dhe personat që e drejtojnë këtë qeveri do të jenë të gjitha në procesin e ndryshimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Zeneli, në fund cilat janë lëvizjet që mund të priten në këtë drejtim?

BERNARD ZENELI
Unë i qëndroj asaj idesë që do të vazhdohet me status quon. Nuk do të kemi ndonjë lëvizje të jashtëzakonshme nga ana e UNMIK-ut. Ndërkohë më duket se është kuptuar edhe nga ne ky koncepti që "të kërkoj 100 të më japin 20 ose 30" dhe ka mundësi që ndonjë gjë të jepet, por jo aq sa kërkohet. Kështu që në përgjithësi mendoj se do të jetë në nivelin e status quos, nuk do të ketë ndryshime. Edhe kjo kërkesë si shumë të tjera do të kalojë në atë dosjen e gjërave që i harron koha.

Intervistoi Bekim Bislimi

XS
SM
MD
LG