Ndërlidhjet

P. MOORE:"UNIONI EVROPIAN I NGATHTË PËR TË ZGJIDHUR ÇËSHTJEN E KOSOVËS"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, koordinuesi i Paktit të Stabilitetit Erhard Busek këtë javë deklaroi se Bashkimi Evropian duhet të marrë përgjegjësinë për Kosovën. Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi u përgjigj duke thënë se në çështjet politike dhe të sigurisë Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të kenë rolin prijës në Kosovë ndërsa në çështjet ekonomike Bashkimi Evropian. Cili është komenti juaj?

PATRIK MOORE
Sipas rezolutës 12-44 Kosova është përgjegjësi e Kombeve të Bashkuara dhe derisa kjo rezolutë është në fuqi, Kosova do vazhdojë të mbetet nën administrimin e saj. Nuk e di pse dikush që e njeh rajonin si zoti Busek, del tani me këtë sugjerim. Kjo nuk është një kohë e përshtatshme për t'u sugjeruar amerikanëve politikisht që të heqin dorë nga diçka për të cilën kanë çfarë të thonë përmes Kombeve të Bashkuara. Dhe sinqerisht mendoj se kalimi i diçkaje të komplikuar si puna e Kosovës në duart e Bashkimit Evropian do të ishte një "Pasaportë për katastrofën". Pse? Sepse Bashkimi Evropian funksionon në një mënyrë shumë të ngadaltë. Së dyti, mënyra se si e kanë trajtuar Unionin e imponuar Serbi - Mali i Zi, tregon që atyre nuk u interesojnë pikëpamjet e njerëzve në rajon. Ishte një vendim jo demokratik, byrokratik që u bë nga një organizatë jodemokratike dhe byrokratike. Nëse Bashkimi Evropian do të merrte përgjegjësinë në për Kosovën kam frikë se aty nuk do zgjidhej asgjë për shumë vite me rradhë. Dhe kjo nuk është ajo për çka ka nevojë Kosova.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga Prishtina dhe me rastin e privatizimit, Beogradit i është dërguar porosi se Kosova sipas rezolutës 1244 nuk është pjesë e Serbisë. Nënkryetari i qeverisë Nebojsha Çoviç u përgjigj duke thënë se në rast të pavarësimit të Kosovës hapet çështja e Bosnjes dhe Maqedonisë. A egziston lidhja mes Kosovës, Bosnjes dhe Maqedonisë?

PATRIK MOORE
Jo nuk ka asnjë lidhje. Dhe nuk ka asnjë lidhje as me Malin e Zi. Çfarë kemi këtu? Janë pohime të vjetra të propagandës serbe që është versioni ballkanik i teorisë aziate "Domino", me fjalë të tjera ashtu si luhet me domino në tavolinë, nëse gjuan një bien të gjitha. Unë nuk e miratoj këtë pohim dhe mendoj se shumë njerëz jashtë Bashkimit Evropian , në ish-administratën Klinton dhe në disa vende të tjera, nuk e kanë miratuar këtë logjikë. Kemi vënë re se këshilltari për siguri i Crvenkovskit sapo tha javën e kaluar se Kosova nuk është problemi i Maqedonisë dhe shqetësimet e Maqedonisë e kanë burimin në vend tjetër. Edhe ambasada amerikane në Shkup paralajmëroi politikanët në Shkup se Kosova nuk është problemi i tyre. Mesazhi nga ambasadori amerikan në Maqedoni ishte shumë i qartë: "Çdonjeri duhet të përqëndrohet në problemet e veta dhe të mos shqetësohet më për ato të fqinjit". Mendoj se kjo do të ishte një ide shumë e shëndetshme për gjithkënd.

RADIO EVROPA E LIRË
UNMIK-u dhe zyrtarë të tjerë perëndimorë thonë se ende nuk është koha për bisedime kushtuar statusit përfundimtar të Kosovës dhe se para kësaj duhen përmbushur standardet. Por ka analistë që thonë se statusi i pazgjidhur i Kosovës po shkakton frustrime tek kosovarët, por njëkohësisht po bllokon dhe Serbinë dhe Malin e Zi.

PATRIK MOORE
Në parim më pëlqen ideja e standardeve para statusit. Megjithatë nëse Bashkimi Evropian do të marrë përgjegjësinë për administrimin e Kosovës, ky proces mund të zgjatet me vite. Mua më duket mëse e qartë dhe është një çështje që është ngritur në mënyrë shumë inteligjente para disa vitesh në "Frankfurter Algemaine Zeitung", nga profesori Stephan Twibst i Lajpcigut, i cili thoshte se është e rëndësishme që statusi të zgjidhet herët dhe jo vonë. Ka një arsye për këtë dhe kjo është se zhagitja dhe pasiguria do të bëhen burim problemesh dhe derisa gjërat të mbeten të paqarta, probleme të ndryshme përfshirë ato që prekin pakicat, refugjatët, dhe krimin e organizuar do të mbeten dhe do të përkeqësohen. Ka ardhur koha që në Kosovë të shqyrtohet ajo që është bërë një veprimtari konstante byrokratike dhe të lihen njerëzit të marrin në dorë punët e tyre. Kosova nuk do të bëhet kurrë një demokraci e qëndrueshme nëse komuniteti ndërkombëtar do vazhdojë t'i trajtojë kosovarët si fëmijë.
Intervistoi: Melazim KOCI

XS
SM
MD
LG