Ndërlidhjet

SH. BARBIER:"DUHET LËVIZUR PËRTEJ REZOLUTËS 12-44"


Shawn BARBER, shef i Zyres së Kanadasë në Prishtinë


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Barber, së fundi ka pasur mjaft diskutime mbi mundësinë e fillimit të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Çfarë mendoni ju, a është klima e përshtatshme për fillimin e këtij dialogu?

SHAWN BARBER
Fillimisht, është me rëndësi që të mbahet në mend se dialogu në mes të Prishtinës dhe Beogradit është një nga standardet që bashkësia ndërkombëtare ua ka parashtruar kosovarëve si parakusht për të mundësuar definimin e statusit politik. Sidoqoftë, mendoj se koha është e duhur. Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në përmirësimin e gjërave në terren dhe është e vetëdijshme se disa çështje nuk mund të adresohen fare pa biseduar me Beogradin. Ata mund të bisedojnë për çështjen e personave të zhdukur dhe cështje jopolitike, prej të cilave do të përfitonin të dyja palët. Kosovarët duhet të fillojnë të shohin përtej kufijve, ta shohin veten si pjesë të këtij rajoni dhe të bisedojnë me partnerët e tyre në rajon, në mesin e të cilëve, tash për tash më i rëndësishëm mbetet Serbia.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët standardet, por duke pasur parasyshë autoritetin e kufizuar që kanë institucionet vendore, çfarë mund të bëjnë ato konkretisht në përmbushjen e këtyre standardeve?

SHAWN BARBER
Që nga fillimi kemi dëgjuar ankesat se Qeveria e Kosovës nuk mund t’i realizojë standardet për shkak të mungesës së përgjegjësive. Por, unë mendoj se ky arsyetim është i ekzagjëruar. Me koncensusin e bashkësisë ndërkombëtare, institucionet vendore do të marrin shumë përgjegjësi deri në fund të këtij viti. Pra, përmbushja e standardeve nuk është e dobishme vetëm për kosovarët. Ky proces njëkohësisht e sinjalizon edhe bashkësinë ndërkombëtare se është koha që shoqëria kosovare të dalë nga kornizat e institucioneve të përkohshme, dhe të marrë rrugën e definimit të statusit përfundimtar të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Barber, përfaqësuesit e institucioneve vendore gjithashtu janë ankuar mbi dinamikën e deritashme të transferimit të përgjegjësive. A pajtoheni ju me këto ankesa apo mendoni se UNMIK-u nuk ka zgjidhje tjetër?

SHAWN BARBER
Mendoj se tensionet në këtë rrafsh janë të natyrshme dhe këto tensione gjithmonë do të jenë aty. Unë do t’i porositja kosovarët të shfrytëzojnë pushtetin që e kanë. OSBE-ja ka lëshuar një raport në të cilin thuhet se 1/3 e kuvendeve komunale pothuajse fare nuk janë duke funksionuar. Çfarë sinjali është ky për bashkësinë ndërkombëtare, por edhe për vetë kosovarët?
Por, nëse duam të jemi vetëkritikë, atëherë duhet të them se edhe ne nuk kemi bërë mjaft. Flas për Kanadanë, për UNMIK-un dhe për të tjerët. Nuk kemi bërë mjaft në përgatitjen e kosovarëve për të qenë të aftë dhe për të pasur mundësi menaxhimi në realizimin e përgjegjësive që i kanë. Prandaj, porosia ime do të ishte të kenë durim, të qeverisin më mirë me pushtetin që kanë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përfaqësuesit e institucioneve pohojnë se administrata e Kombeve të Bashkuara përballet me vështirësi të shumta në administrimin e veriut të Kosovës. Çfarë konkretisht mund të bëhet në përmirësimin e gjendjes atje?

SHAWN BARBER
Së pari më duhet të them se në këtë rrafsh, kemi arritur mjaft përparime. Jam në Kosovë që nga 1999. Më kujtohen shumë mirë zhvillimet në janar dhe shkurt të vitit 2000, që filluan me sulmin me predhë në një autobus dhe përfunduan me vdekjen e 12 qytetarëve në veri të Mitrovicës gjatë trazirave. Ishte kaos i vërtetë. Policia e UNMIK-ut rrezikohej gjatë çdo patrullimi.
Sot veriu i Mitrovicës është relativisht i qetë, policia e UNMIK-ut patrullon lirshëm, gjithashtu edhe Shërbimi Policor i Kosovës, ndërkaq administrata e UNMIK-ut është zgjeruar edhe në veri të Mitrovicës. Situata nuk është ashtu siç do të dëshironim. Por, problemi në veriun e Kosovës nuk mund të ndahet nga problemet që ekzistojnë në pjesët tjera të saj, që dalin nga raportet aktuale në mes të shqiptarëve dhe serbëve.
Serbët në Kosovë janë të kërcënuar dhe ata që jetojnë në veriun e Kosovës ndihen të sigurtë për shkak se mendojnë se atje kanë lidhje më të drejtëpërdrejta organike me Serbinë. Kjo mund të jetë e papranueshme për shqiptarët e Kosovës, por ky është fakt, të cilin ne megjithatë bëjmë përpjekje ta ndryshojmë. Mundohemi t’i bëjmë serbët të kuptojnë se e ardhmja e tyre qëndron në ndërtimin e institucioneve bashkë me shqiptarët. Gjithashtu jemi duke u marrë me Serbinë për ta detyruar t’i zhbëjë strukturat paralele në veri të Kosovës. Por, për të çuar këtë proces përpara na duhet mirëkuptimi i shqiptarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa zyrtarë të lartë evropianë kanë dalë me idenë që Bashkimi Evropian të marrë përsipër kontrollin mbi Kosovën për shkak të, siç kanë thënë, qëndrimeve kundërthënëse ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Shteteve të Bashkuara që mund të destablizojnë Kosovën. Çfarë mendoni ju?

SHAWN BARBER
Nuk mendoj se ka ndryshime në qëndrimet e Kombeve të Bashkuara, të Shteteve të Bashkuara dhe të Evropës mbi Kosovën. Kosova nuk është më cështja kryesore që diskutohet në Berlin, Washington, Otavë apo Paris. Megjithatë, kemi filluar të kuptojmë se Kosova vazhdon të mbetet problem i pazgjidhur dhe se në kohë të caktuar, duhet të largojmë vëmendjen për një çast prej krizave tjera botërore dhe t’i përkushtohemi Kosovës. Diskutimet e kësaj natyre tashmë kanë filluar në mes të kryeqyteteve perëndimore. Prandaj kosovarët duhet të demonstrojnë përpara bashkësisë ndërkombëtare se qeverisin me përgjegjësi. Ne nuk mund të mbesim përgjithmonë këtu, duhet të shkojmë përpara, të lëvizim përtej rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, por koha dhe mënyra e kësaj rruge në shumë aspekte varet nga kosovarët dhe udhëheqësit e tyre.
INTERVISTOI: Arbana VIDISHIQI

XS
SM
MD
LG