Ndërlidhjet

DEMAÇI: " ENDE MUNGON BESIMI NDAJ SHQIPTARËVE"


Adem Demaçi, veprimtar kosovar

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Demaçi, kohët e fundit ka pasur disa inciativa për fillimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe thuhet se ky dialog do të mund të fillonte në Samitin e Selanikut. Çfarë mendoni për këto iniciativa për fillimin e dialogut?

ADEM DEMAÇI
Po, shikoni, këta që janë të përfshirë në çështjen e Kosovës, janë të interesuar që të gjejnë ndonjëfarë mënyre që eventualisht ta zbatojnë dhe ta vënë në jetë projektin e rezolutës 1244, ku sipas disa interpretimeve të qarqeve me ndikim në qarqet ndërkombëtare duhet të përfundojë me njëfarë autonomie që është më pak se liria, më pak se pavarësia. Prandaj, ata po nguten që të gjejnë mënyra për t’i futur shqiptarët në një dialog me Serbinë, kur ende Serbia po përpiqet t’i detyrojë të tjerët ta zbatojnë atë projektin e Millosheviçit, që u mundua ta zbatonte me dhunë, duke i përzënë shqiptarët nga tokat e tyre, domethënë që të huajt t’i detyrojnë shqiptarët të pranojnë një lidhje çfarëdoqoftë që është më pak se liria, më pak se pavarësia. Në suazën e këtyre përpjekjeve po bëhen edhe presione të ndryshme që të detyrohen shqiptarët të hyjnë në biseda njëherë teknike e pastaj edhe esenciale, që do të përfundonin në një mënyrë apo në një mënyrë tjetër, duke e lidhur Kosovën me fatin e Serbisë e Malit të Zi.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Demaçi, por zyrtarët amerikanë, para së gjithash, kanë thënë se këto bisedime do të ishin vetëm për çështje praktike, pa prekur fare statusin e Kosovës.

ADEM DEMAÇI
Po, ashtu është, sepse qëllimi është pasi vetëdija e qytetarëve dhe plagët që ka marrë Kosova dhe të gjitha këto pësime dhe kjo gjakderdhje, kur ende po zbulohen kufomat, janë aq të freskëta sa do të krijonin një shok dhe situatë të pakontrolluar, nëse që tani do të përcaktohej statusi i Kosovës, sipas rezolutës 1244, që në një mënyrë nënkupton një lidhje shtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, ata edhe po e shtyjnë këtë problem, duke e përgatitur opinionin tonë dhe qytetarët tanë dalngadalë për një ditë që dikur të pajtohen edhe ata me një zgjidhje që do të ishte më pak se liria. Prandaj po hyjnë në bisedime teknike, e më pas pak më pak teknike, në njëfarë bashkëpunimi ekonomik, një bashkëpunim rajonal, një ndërlidhje ekonomike më të ngushtë të këtyre shteteve, kontrollimi i kufijve, bashkëpunimi në luftë kundër kriminalitetit e llojeve të tjera, domethënë një përgatitje që qytetarët e Kosovës të binden se zgjidhje tjetër nuk ka, përveçse t’i nënshtrohen edhe një herë regjimit serb dhe Serbisë e Malit të Zi, pavarësisht se ajo do të duket ndryshe, por megjithatë shqiptarëve do t’u mohohet liria, edhe pse ata kanë luftuar më se një shekull për lirinë e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Mirë, zoti Demaçi, por në çfarë forme atëherë duhet të organizohet bashkëpunimi i Kosovës me vendet fqinje?

ADEM DEMAÇI
Unë nuk shoh ndonjë pengesë të bashkëpunimit me vendet fqinje, edhe me serbët nëse ka nevoja ekonomike kulturore e të tjera, ne nuk kemi ndërmend të bëjmë mure kineze me Serbinë, por vetë fakti që po mundohet dikush me zor t’i shtyjë shqiptarët dhe jo t’u japë kompetenca e mundësi, është një fakt më vete. Në njërën anë, shqiptarëve nuk u jepen kompetenca në fushë të punëve të jashtme, por ato mbahen nën tutelën e të dërguarit special të Kombeve të Bashkuara këtu - domethënë edhe nuk u jepen kompetenca, edhe kërkohen përgjegjësi prej tyre. Pra, besimi ndaj shqiptarëve ende mungon dhe kjo shihet në ato pesë kompetencat e mëdha të zotit Steiner. Prandaj krejt këto unë i shoh në kuadër të frymës që të zbuten shqiptarët, me të mirë e me ndëshkime, me të mirë e me ndëshkime, në mënyrë që ta pranojnë një lidhje, e cila për shumicën e shqiptarëve nuk mund të merret me mennd - nën Serbinë e Malin e Zi.

RADIO EVROPA E LIRË
Pasi përmendët kompetencat, zoti Demaçi, sa kanë qenë të afta dhe sa kanë ditur institucionet e Kosovës të marrin më shumë kompetenca?

ADEM DEMAÇI
Unë mendoj se, nëse fëmija nuk lëshohet që vetë të zhagitet e të çohet vetë, të rrëzohet e të marrë në thua, por mbahet në njëfarë lulaku që s’ka mundësi ta tregojë forcën e vet, atëherë ai do të bëhet gjytyrym dhe nuk do të mund të çohet në këmbët e veta. Bashkësia ndërkombëtare, duke na vënë në një kontroll rigoroz me të gjitha ato që janë esenciale për krijimin e shtetit të Kosovës, na ka bërë gjytyrym. Mënyra e votimit dhe zgjedhjeve është më e keqja, pasi shqiptarët votojnë për partitë dhe jo për njerëzit, në kohën Kosova ka nevojë për njerëz kompetentë dhe të vërtetë që të vijnë në pushtet, si në atë lokal, si në këtë qendror. Kështu, po na bëhet e pamundur të zgjedhim njerëzit e duhur, ndërsa partive u mundësohet që t’i futin në pushtet njerëzit e vet, pavarësisht nëse janë kompetentë apo jo, dhe kemi ardhur në një situatë kur kemi një shumicë njerëzish që nuk janë kompetentë për punët e veta. Dhe, kjo është mundësuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka imponuar një sistem të tillë zgjedhor në baza partiake dhe ka pamundësuar që shqiptarët të çohen në këmbët e veta dhe të mësojnë se si bëhet dhe ushtrohet demokracia. Pra, duhet dikujt së pari t’i jepet mundësia, kompetencat dhe më pas të kërkohet përgjegjësia, ndërkohë që në nuk na janë dhënë kompetencat, prandaj po çalojmë kështu.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG