Ndërlidhjet

ALI AHMETI HIQET NGA LISTA E ZEZË E PRESIDENTIT AMERIKAN


Zërijeta Hajro Jahjaga

Nga lista e zezë e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës largohen tre udhëheqësit e lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, Fazli Veliu dhe Hysni Shaqiri.
"Ne e përshëndesim vendimi e presidentit amerikan Xhorxh Bush për heqjen nga lista e tij të udhëheqësve të partisë sonë", thotë nënkryetarja e BDI-së Teuta Arifi, e cila vlerëson se ky vendim i presidentit amerikan është rrjedhojë e politikës konstruktive që e realizon Bashkimi Demokratik për Integrim.
"Në fakt me këtë pranohet politika konstruktive e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe njëkohësisht roli mjaft konstruktiv i kryetarit të partisë sonë, zotit Ali Ahmeti, në tërë proceset e rëndësishme stabilizuese dhe integruese, të cilat kanë qenë në rajon", thotë zonja Arifi.
Ndërkohë në listën e zezë hyn deputeti i VMRO-DPMNE-së Lube Boshkovski, i cili ishte dhe Ministër i Punëve të Brendshme gjatë kohës së krizës në qeverinë e Lubço Georgievskit dhe Daut Rexhepi, ish komandant "Leka". Në listën e zezë të presidentit Bush nga Maqedonia edhe më tej mbeten Xhemail Hyseini, Gafurr Adili dhe Nevzat Halili. Dy udhëheqësit e Partisë Demokratike Kombëtare, Kastriot Haxhi Rexha dhe Xhevat Ademi, gjithashtu janë pjesë e listës së presidentit amerikan, por në këtë parti nuk dëshirojnë të komentojnë asgjë para se të marrin njoftim zyrtar nga ambasada amerikane në Shkup.
"Ne deri sa të marrim njoftim zyrtar për këtë nuk kemi koment", thotë zëdhënësi i partisë Demokratike Kombëtare Rakip Doçi.
Ndërkohë ish-ministri i Punëve të Brendshme Lube Boshkovski duke komentuar prezencën e tij në listën e zezë të presidentit amerikan, tha se nuk duket i befasuar:
"Mua më asgjë nuk mund të më befasojë në këtë copë tokë", komenton ish-ministri i Punëve të Brendshme Boshkovski, duke theksuar se është i gatshëm të dëshmojë pafajësinë e tij edhe në Tribunalin e Hagës.
"Nëse çmimi që duhet paguar për mbijetesën e popullit tim është shkuarja ime në Hagë atëhere unë jam i gatshëm vetë të nisem në Tribunalin e Hagës", theksoi Lube Boshkovski.
XS
SM
MD
LG