Ndërlidhjet

KOSOVA U PËRFSHI NË DEKLARATËN PËRFUNDIMTARE TË SAMITIT TË OHRIT


Sefer Tahiri

Deklarata e përbashkët për procesin e Stabilizim-Asociimit të vendeve të rajonit të Ballkanit në Bashkimin Evropian, e miratuar në takimin e sotëm në Ohër, është mesazh që shpreh vullnetin e përbashkët të këtyre shteteve për integrim në Bashkimin Evropian, theksuan liderët e shteteve të rajonit. Miratimi i deklaratës është strategji e përbashkët për përshpejtimin e reformave politike dhe ekonomike në këto shtete, theksuan kryetarët e pesë shteteve të Ballkanit jugperëndimor. Liderët e rajonit theksuan se do të kërkojnë nga Bashkimi Evropian të bëjë revidimin e regjimit të vizave për qytetarët e rajonit.
Shefi i diplomacisë greke, Jorgos Papandreu, vendi i të cilit është kryesues i radhës i Bashkimit Evropian, theksoi se takimi i Ohrit është një iniciativë për nxitjen e procesit të Stabilizimit dhe Asociimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian. Ai theksoi se BE-ja pret që vendet e rajonit ta intensifikojnë bashkëpunimin mes tyre.
Kryetari i Maqedonisë, Boris Trajkovski, tha se bashkëpunimi i shteteve të rajonit është mbështetja konkrete për procesin e Stabilizimit dhe Asociimit në Bashkimin Evropian. Ai shtoi se BE-ja si partner strategjik, është i pranishëm në Ballkan dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e çështjeve me rëndësi për sigurinë e rajonit. Kryetari Trajkovski theksoi se samiti i ardhshëm i Selanikut do të mbahet mend si një moment historik në krijimin e një Evrope të Bashkuar. Kryetari i Shqipërisë, Alfred Moisiu, tha se ky bashkëpunim do të jetë i rëndësishëm për të arritur standartet evropiane. Ndërkohë kryetari shqiptar shprehu nevojën që vendet e rajonit të intensifikojnë lëvizjen e lirë për qytetarët e tyre. Me kërkesë të zotit Moisiu, në deklaratën e përbashkët është inkorporuar edhe çështja e Kosovës dhe në të thuhet që, edhe pse statusi i Kosovës nuk është i zgjidhur, kryetarët e pesë shteteve të rajonit janë dakort që, pa përjashtim, e ardhmja e qytetarëve të Evropës juglindore është në Evropë.
Qëndrimi i Shqipërisë është që për statusin e Kosovës do të vendosin qytetarët e saj, pa marë parasysh nëse janë shqiptarë, serbë apo turq, në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, tha Moisiu, duke theksuar se pjesëmarrja e përfaqësuesve të Kosovës në samitin e Selanikut do të hapë një dritare të re në përmirësimin e marrëdhënieve midis shtetit shqiptar dhe Bashkësisë së Serbisë dhe Malit të Zi. Ndërkohë kryetari i Serbisë dhe Malit të Zi, Svetozar Maroviç, thotë se nuk është koha kur duhet të zgjidhim statuse, por qëllimi është të arrihet zbatimi i standarteve evropiane. Edhe kryetari i Bosnjës dhe Hercegonës, Borisllav Starovaç, theksoi se rajoni bëhet i njohur me zbatimin e reformave demokratike dhe ekonomike, të cilat janë prioritete në pajtim me standartet ndërkombëtare. Ndërkaq kryetari kroat, Stipe Mesiç, thotë se vendet e rajonit e shohin Evropën e Bashkuar duke tejkaluar mosmarrëveshjet e së kaluarës dhe duke përkrahur iniciativat e reja.
XS
SM
MD
LG