Ndërlidhjet

KRYEMINISTRI I KOSOVËS DHE PËRFAQËSUES TË UNMIK-UT ANGAZHOHEN PËR KTHIMIN E PERSONAVE TË ZHVENDOSUR NË SHTËPITË E TYRE


Rrahman Paçarizi

Kthimi është proces i vështirë, por është mirë që ai të shkojë në dy drejtime, sidomos në Mitrovicë, ku edhe shqiptarët dhe serbët si dhe komunitetet e tjera, duhet të kthehen në shtëpitë e tyre, ka thënë sot në Mitrovicë kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, në hapjen e një seminari për të drejtat e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas që mbahet në pesë rajone të Kosovës, organizuar nga Këshilli i Evropës dhe Komisariati për Refugjatë. Kryeministri Rexhepi tha se kthimi dhe integrimi është proces i vështirë dhe nuk mund të priten mrekulli për një kohë të shkurtër, por nisma të tilla ndihmojnë për një përparim të dukshëm. Ai tha se nuk dëshironte të bënte ndarje ndërmjet pakicave, por problemet kryesore janë me integrimin e serbëve dhe të romëve.
" Si simbolikë është shumë e mirë që ka filluar me Mitrovicën për arsye se Mitrovica është një ndër komunat apo rajone,t ku ka patur më pak sukses procesi i kthimit të të shpërngulurve në pronat e tyre, dhe është pjesa më e politizuar e Kosovës, e cila e pengon këtë proces," tha kryeministri duke e parë procesin të mundshëm, nëse zhvillohet në dy drejtime të kthimit. Ai tha se korniza kushtetuese respekton të gjitha të drejtat individuale apo kolektive, ndërkohë që egziston një aksion afirmativ për komunitetet minoritare në institucionet e Kosovës, si në parlament e në qeveri, por implementimi paraqet problemin kryesor.
" Implementimi është një kompleksitet që formalisht apo juridikisht, është e drejtë e rezervuar e UNMIK-ut, mirëpo është dhe obligim i institucioneve kosovare që të japin kontributin e tyre, për arsye se ata janë qytetarë të Kosovës dhe duhet ta kenë trajtimin e njëjtë", tha zoti Rexhepi.
Më pas përfaqësuesi rajonal i UNMIK-ut për Mitrovicën, David Mitchel tha se kthimi është e drejta themelore për të gjithë.
" Romët, ashkalitë dhe egjiptasit shpesh lihen anash gjatë bisedimeve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve dhe rezultati i kësaj ka qenë vullneti i pamjaftueshëm politik, mungesa e parave dhe për pasojë edhe pak njerëz janë kthyer në shtëpitë e tyre", tha Mitchel, duke pranuar se UNMIK-u dhe të gjitha trupat e tjera të përfshira në këtë proces kanë dështuar në procesin e kthimit të romëve, pasi vetëm 138 ashkalinj janë kthyer në shtëpitë e tyre, duke u falenderuar kryetarit të komunës së Vushtrisë, ndërkohë që edhe 6 000 romë të tjerë janë të zhvendosur në rajonin e Mitrovicës.
Ndërkaq drejtuesi i Komisariatit të lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, Wollter Irvin tha se kthimi i romëve, ashkalinjve dhe egjiptasve në rajonin e Mitrovicës është njëri nga problemet më të rëndësishme, pasi kthimit të këtyre komuniteteve nuk u është kushtuar vëmendja e duhur.
" Lagjia e romëve dhe 2 korriku janë lokacionet e identifikuara për kthimin e romëve, ashkalinjve dhe egjiptasve në Mitrovicë, por ka disa dallime të rëndësishme mes dy lokacioneve", tha zoti Irvin, duke theksuar se e drejta e kthimit dhe plani urbanistik i qytetit përbëjnë problemin esencial për të realizuar kthimin në këto dy lokacione.
Seminari do të vazhdojë punimet edhe në Prishtinë, Pejë Gjilan dhe Prizren, gjithnjë duke trajtuar të drejtat e pakicave rome, ashkali, dhe egjiptas.
XS
SM
MD
LG