Ndërlidhjet

STEINER: " PJESËMARRJA E INSTITUCIONEVE TË KOSOVËS NË DELEGACION, NUK NDRYSHON NË ASNJË MËNYRË STATUSIN E KOSOVËS"


Alma Çupi

Kryeadministratori i Kosovës, Michael Steiner tha sot në Tiranë se çështja e statusit të Kosovës është e hapur dhe se duhet zgjidhur duke marrë në konsideratë aspektin rajonal.
Gjatë një konference për shtyp me Ministrin e Jashtëm shqiptar Ilir Meta, kryeadministratori Steiner tha se më i rëndësishëm se rezultati i këtij procesi, është mënyra se si do të vemi atje.
"Sa më shumë të kemi prova që ka institucione, që sillen siç duhet dhe marrin përgjegjësitë që kanë, aq më e lehtë do të jetë për të zgjidhur këtë çështje. Kam thënë gjithmonë që kjo çështje do të zgjidhet dhe në fund Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të miratojë një rezolutë, por nuk kemi arritur deri aty. Tani për tani duhet të përqëndrohemi në detyrat që kemi përpara dhe detyra më e afërme është pjesëmarrja në Samitin e Selanikut, që është një shans i madh. Dhe detyra e institucioneve të Kosovës është të provojnë se janë partnerë, me të cilët të tjerët mund të bisedojnë dhe që janë në gjendje të mbrojnë interesat konkrete që i kanë zgjedhur", tha zoti Steiner.
Ndërsa zëvendës kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, tha se për përcaktimin e statusit të Kosovës duhet të kihen parasysh dy faktorë të rëndësishëm: e drejta e të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim etnik për t'u shprehur për të ardhmen e saj dhe së dyti, ky proces duhet bërë dhe duhet realizuar në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar.
" Dua të theksoj se ajo që është më e rëndësishmja është se politikanët e Kosovës, qytetarët e Kosovës, duhet të synojnë një status me ndërkombëtarët dhe në bashkëpunim të ngushtë me ta dhe jo pa ndërkombëtarët dhe në kundërshtim me ta; një status që sjell integrim dhe prosperitet dhe jo një status, i cili do të sillte probleme për stabilitetin e Kosovës dhe për stabilitetin e rajonit tonë", tha Ministri i Jashtëm Meta.
Pyetjes se cilat janë efektet e pjesëmarrjes së drejtuesve të institucioneve të Kosovës në Samitin e Bashkimit Europian në Selanik, kryeadministratori Steiner iu përgjigj:
" Fakti që në delegacionin e UMNIK-ut unë do të përfshij dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës, tregon pranimin e nevojës politike se ata që janë zgjedhur, duhet të marrin pjesë në mënyrë të drejtë e të ligjshme në ngjarje që janë të rëndësishme për Kosovën. Por në asnjë mënyrë kjo nuk ndryshon statusin e Kosovës. Nuk ishte ky qëllimi dhe nuk do të jetë as efekti", tha kryeadministratori Steiner.
Gjatë bisedimeve, që zoti Steiner zhvilloi sot në Tiranë me zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar, u ra dakort për thellimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe u diskutua perspektiva evropiane e vendeve të rajonit.
XS
SM
MD
LG