Ndërlidhjet

BEARPARK: " PRIVATIZIMI I NDËRMARRJEVE SHOQËRORE DO TË ÇOJË NË ZHVILLIMIN E KOSOVËS"


Andy Bearpark, Zëvendës-shefi i UNMIK-ut për Ekonominë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bearpark, si e shikoni ju procesin e privatizimit të ndërmarrjeve në pronësi shoqërore dhe publike?

ANDY BEARPARK
Këto dy gjëra janë komplet të ndara. Nuk po privatizojmë ndërmarrjet në pronësi publike. Ndërmarrjet publike ndodhen në proces ristrukturimi, i cili është i nevojshëm kudo, por për momentin nuk jemi duke privatizuar asnjë ndërmarrje të këtij lloji.
Ajo për të cilën bëhet fjalë është privatizimi i ndërmarrjeve në pronësi shoqërore. Objektivi i këtij procesi është që të risillen këto ndërmarrje prodhimi në funksion, t'i japim pak motivim ekonomisë që të sillen investorë strategjikë për ato ndërmarrje në pronësi shoqërore të cilat kanë shanse për sukses dhe dhimbshëm por realisht të likuidohen ato që nuk kanë këto shanse.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë i sjell privatizimi një qytetari të thjeshtë të Kosovës?

ANDY BEARPARK
Në mënyrën më optimale shpresa është që privatizimi do të çojë në një zhvillim të ekonomisë këtu në Kosovë. Vetë privatizimi nuk do të krijojë një rritje thelbësore të vendeve të reja të punës. Nga 550 ndërmarrje në pronësi shoqërore që ndodhen në Kosovë, rreth 400- 450 nuk kanë shanse për sukses, por 50 apo 100 të tjerat i kanë këto shanse, dhe ne mund të tërheqim investorë për këto ndërmarrje. Si rrjedhojë mund të krijohen vende pune më të sigurta në këto ndërmarrje. Pika tjetër që duhet theksuar është se privatizimi i ndërmarrjeve me pronësi shoqërore është një hap thelbësor në drejtim të zhvillimit të ekonomisë. Deri tani edhe investorët në sektorin e bujqësisë kanë nguruar për të ardhur në Kosovë. Kur i shikojnë këto ndërmarrje shoqërore si janë tani u lindin shumë pyetje se për çfarë saktësisht janë këto ndërmarrje, çfarë po bëjnë aktualisht, si mund të bashkëpunohet me to. Prandaj siç e thashë nga privatizimet disa prej tyre do krijojnë vende të reja pune, disa nuk do të krijojnë, por në përgjithësi është një hap thelbësor për rritjen e ekonomisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë metodat që po përdorni për privatizimin e këtyre ndërmarrjeve dhe çfarë do të thotë kjo në realitet?

ANDY BEARPARK
Në realitet ajo që po bëjmë është metoda e njohur në ekonomi si spin-off për këto ndërmarrje. Kemi pretendime të kreditorëve të cilat e dimë që do duan një farë kohe që të zgjidhen dhe kjo është natyra e Kosovës. Këto pretendime të kreditorëve ndoshta do të duhet të zgjidhen përmes dhomës së veçantë brenda Gjykatës Supreme. Ajo që po bëjmë është spinning off i ndërmarrjeve që të krijojmë ndërmarrje të reja, të pastra, transparente në aksionet e tyre, në të cilat pastaj mund të jetë i sigurtë investimi.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shikoni komunitetin tregtar kosovar ndaj procesit të privatizimit? Si duhet të reagojnë biznesmenët kosovarë?

ANDY BEARPARK
Ata duhet të reagojnë ashtu siç kanë vepruar derimë tani, gjë që ka qenë shumë mbështetëse për procesin, shumë e mprehtë për fillimin por nuk mundem të parashikoj se çfarë mund të ndodhë. 6 tenderat e parë janë shpallur dhe le të shohim se cili do jetë interesi për këto ndërmarrje. Shpresoj që do të jetë i lartë, megjithatë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të presim.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra është shpallur tenderi për gjashtë ndërmarrjet e para që do të privatizohen. A ka ndonjë strategji shtylla e Bashkimit Evropian për punësimin e punëtorëve të cilët në fillim do të humbin punën e tyre?

ANDY BEARPARK
Po kjo është çështje e ekonomisë së tregut të lirë, nuk bëhet më fjalë për ekonomi socialiste të kontrolluar. Pra shtylla e Bashkimit Evropian nuk do të punësojë njerëzit që mund të humbin punët e tyre. Nuk do ishte e mundur që të funksiononim në këtën mënyrë. Ajo që shpresojmë është që investorët që do të vijnë do të kenë nevojë për një forcë punëtore të kualifikuar dhe kështu do të ketë mundësira për punësim.

Intervistoi Lulzim Mjeku


Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG