Ndërlidhjet

CAKTOHET PËRBËRJA E DELEGACIONIT Ë KOSOVËS NË SAMITIN E SELANIKUT


Rrahman Paçarizi Prishtinë

Kryetari Rugova, kryeministri Rexhepi, kryeparlamentari Daci, lideri i PDK-së, Hashim Thaçi dhe Milorad Todoroviç, do të jenë pjesëtarë të delegacionit të UNMIK-ut që do të marrë pjesë në Samitin e Selanikut, është bërë e ditur gjatë takimeve që përfaqësuesi i BE-së, Havier Solana ka pasur me drejtues të institucioneve dhe të partive politike në Kosovë.
Ndërkaq, në një konferencë shtypi, zoti Solana ka konfirmuar pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kosovës në Selanik:
"Dua të them se Selaniku është shumë i rëndësishëm, ndërsa delegacioni i UNMIK-ut do të përfshijë edhe përfaqësues të Kosovës dhe kjo do të thotë se në Selanik po ndodh diçka e rëndësishme", tha zoti Solana, duke shfaqur shpresën se samiti do të jetë i suksesshëm, pasi ka për qëllim që nga njëra anë t’i afrojë vendet e Ballkanit me BE-në dhe nga ana tjetër t’i afrojë vendet e rajonit me njëri-tjetrin.
Pjesëmarrjen e kosovarëve e vërtetoi edhe shefi i UNMIK-ut Steiner, duke thënë se synimi i tij është që në delegacionin e UNMIK-ut të përfshijë një përfaqësim multietnik nga institucionet e përkohshme të Kosovës. Steiner e çmoi këtë samit si shumë të rëndësishëm dhe vendimtar për Ballkanin:
"Selaniku ka të bëjë me dialogun, prandaj ky është një parim që duhet të respektohet nga të gjithë që duan të marrin pjesë. Kjo do të thotë se secili duhet të jetë në gjendje të flasë me secilin", tha zoti Steiner, për të shtuar se megjithatë, sa i përket dialogut, ende duhen bërë përgatitje për të qartësuar këtë çështje dhe siç tha ai, "ne ende do të vallëzojmë rreth kësaj çështjeje."
I pyetur nëse ky ishte momenti i duhur për fillimin e dialogut Havier Solana tha:
"Përgjigja është e thjeshtë – po. Bisedimet dhe dialogu gjithëherë është një vlerë që evropianët e çmojnë dhe nëse doni të jeni evropianë duhet ta pranoni dialogun," tha Solana, i cili megjithatë nuk ka përmendur emra të pjesëmarrësve, edhe pse të gjithë bashkëbiseduesve të tij të sotëm ua ka konfirmuar ftesën për të shkuar në Selanik.
Ndërkohë, pjesëmarrja e Kosovës në samitin e Selanikut është vlerësuar si e rëndësishme edhe nga kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova:
"Kërkova nga zoti Solana të jemi më aktivë në procesin e Asociim-Stabilizimit në BE dhe biseduam edhe për çështje të tjera, para së gjithash që Kosova të ecë sa më shpejt drejt integrimeve", tha kryetari i Kosovës.
Ndërkaq, kryeministri Rexhepi ka kërkuar nga BE të inkurajojë integrimin e Kosovës në proceset e saj:
"Pritjet tona, realiteti që na pret në Selanik është moment i rëndësishë. Ne i paraqitëm kërkesat dhe mendojmë se duhet të inkurajohemi më shumë për inkuadrim në BE”, tha zoti Rexhepi.
Në konferencën e sotme për shtyp përfaqësuesi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Javier Solana i cili është takuar edhe me kryeparlamentarin Daci, me kryetarin e PDK-së Hashim Thaçin, me përfaqësuesin e koalicionit "Kthimi" Todoroviç dhe me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Mini, tha se vrasjet si ajo e djeshmja e tre serbëve në Kastriot janë të dënueshme dhe duhet të ndërpriten njëherë e përgjithmonë.
"Ky,- tha Solana- është mesazhi im i sinqertë i një njeriu që edhe kur nuk është me trup në Kosovë, mendjen e ka këtu".
XS
SM
MD
LG