Ndërlidhjet

UDHËTIMI I PRESIDENTIT BUSH KA QENË I FRUTSHËM NË LINDJEN E MESME POR JO DHE NË EVROPË


Jeffrey Donovan, Washington

Presidenti Bush është kthyer në Shtëpinë e Bardhë pas turneut më të ngjeshur gjatë dy vjetëve e gjysmë të presidencës së tij.
Analistët janë dyshues për të arriturat e presidentit amerikan sa i përket përmirësimit të marrëdhënieve ndër atlantike, veçanërisht kur dihet se takimi mes Bushit dhe Shirakut nuk ishte aspak i përzemërt.
Por ata vlerësojnë më së tepërmi si të arritur të turneut të fundit të presidentit Bush, takimet lidhur me planin e paqes në Lindjen e Mesme.
Nil Gardner nga Fondacioni Heritage, me qendër në Uashington thotë:
"Mendoj se presidenti Bush ka qenë i sukseshëm në arritjen e kompromiseve të mëdha nga të dyja palët, çfarë është arritje e madhe. Por mbetet të shihet nëse këto arritje do të pasohen nga të tjera. Besoj se presidenti ka treguar vendosmëri për të gjetur një zgjidhje paqësore në konfliktin izrealito-palestinez", thotë Gardiner.
Në Jordani, Bushi u tregua i aftë të merrte nga Ariel Sharon premtimin se do prisheshin vendbanimet e paligjshme hebreje në territoret e pushtuara. Ndërsa kryeministri palestinez, Abbas, deklaroi në arabisht se "intifada e armatosur duhet të marrë fund".
Por ata që dyshojnë në rezultetet e këtij takimi e kanë cilësuar atë thjesht si teatër politik. Për më tepër që izraelitët kanë protestuar se nuk duan të prishen vendbanimet hebreje, ndërsa militantët palestinezë thanë se nuk do të çarmatosen.
Ted Karpenter, nga Instituti Kato, me qendër në Washington thotë se problemet kryesore të konfliktit izraelito-palestinez lidhen me të drejtën për kthim të refugjatëve palestineze dhe me statusin e Jerusalemit. Të dyja këto çështje sipas Karpenter janë ende të pazgjidhura.
"Ne kemi kaluar përmes një rruge të tillë, ku ka patur premtime të mjegullta dhe deklarata të përgjithshme bashkëpunimi shumë herë dhe në të shkuarën. Dhe në çdo rast në të kaluarën, këto shpresa janë shuar brenda disa muajsh, madje ndonjëherë dhe brenda javësh", thotë Karpenter. Por Xhudit Kiper nga qendra për Studime Strategjike mendon se ky takim në Jordani së paku ndryshoi atë atmosferë gjakderdhje që ka sunduar në dy vitet e fundit.
"Por puna e vërtetë nis pas ngjarjes zyrtare, domethënë pas takimit. Dhe çështja shtrohet nëse Shtetet e Bashkuara do të vendosin një ekip në terren, i cili do të punojë si me izraelitët ashtu me palestinezët, për të siguruar që plani i paqes do të zbatohet", pohon Xhudit Kiper.
Nga një tjetër këndvështrim, një plan paqeje për konfliktin izraelito-palestinez presidentit amerikan i duhet edhe për të përmirësuar marrëdhëniet me Francën. Dhe sa i përket marrëdhënieve Paris-Uashington dhe takimit Bush-Shirak në Evian të Francës, Karpenter nga Instituti Kato thotë:
"Gjithshka në takimet në fjalë ishte atmosferë. Të paktën në sipërfaqje ishte një pamje mirëkuptimi. Mendoj se në përgjithësi udhëtimi i Bushit ia arriti qëllimit. Tek e fundit ai krijoi përshtypjen se është realizuar pajtimi", pohon Karpenter.
XS
SM
MD
LG