Ndërlidhjet

KOMISIONI EVROPIAN KËRKON KOORDINIM PËR POLITIKAT E MIGRACIONIT DHE AZILIT


AHTO LOBJAKAS

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë bërë me dije se blloku patjetër do të duhet ta përkrahë migracionin, të paktën deri në një masë.
Shumica e ekspertëve janë dakord se për më pak se 10 vjet, plakja e popullatës në disa vende të unionit, do të shkaktojë shtypje në buxhetin dhe sistemin social.
Migracioni shihet si nevojë, por çështja mbetet e ndjeshme dhe jo popullore në shumicën e shteteve.
Jean Louis de Brower, drejtues i deprtamentit të migracionit pranë Komisionit evropian, thotë se propozimet nisen nga pohimi se migracioni paraqet një fakt të jetës, nga i cili unioni duhet të përfitojë.
"Sipas një të thëne të njohur, imigracioni nuk është as problem, e as zgjidhje e problemit, por një dukuri e rëndësisë së përhershme dhe të përgjithshme. Evropa shkon drejt gjendjes ekonomike dhe demografike, e cila do të krijojë mangësi të shumta", thotë de Brower.
Ndër masat e propozuara është politika e përbashkët e regjimit të vizave, standardizimi i tyre dhe i leje-qëndrimeve.
E dyta, komisioni dëshiron të shkojë më larg me autoritetin e përbashkët për kontrollin e kufirit, dhe ndarjen e barrës me vendet anëtare, që nuk janë të goditura nga presionet e imigracionit.
E treta është politika e integruar e kthimit, që paraqet bazë legale për largimin e imigrantëve ilegalë, dhe do të përfshijë disa shtete anëtare. Testi kryesor do të jetë riatdhesimi i mijëra refugjatëve afganë nga fundi i muajit.
De Brower thotë se të gjitha përgatitjet janë bërë.
"Gjithçka është gati për zbatimin e planit. Ne ishim në Kabul. Atje kemi organizuar edhe qendra të pranimit. Operatorët kryesorë janë caktuar, kryesisht do të jenë Komesariati i Lartë për Refugjatë dhe Organizata Ndërkombëtare e Migracionit. Por, vendimin e sjellin vendet anëtare", thotë de Brower.
Ekziston një marrëveshje brenda unionit për reforma urgjente në procesin e azilit. Momentalisht diskutohet ideja kundërthënëse e Britanisë për formimin e të ashtuquajturave "qendra të procesimit" për azil-kërkuesit jashtë Bashkimit Evropian. Atyre që do t'u jepej statusi i refugjatit, do të vendoseshin në vendet e BE-së, të tjerët do të ktheheshin në vendet e tyre.
Si vende ku do të mund të ngriteshin qendrat e tilla janë përmendur Shqipëria, Rumania, Ukraina dhe Turqia.
De Brower thotë se kanë mbetur edhe shumë "çështje kryesore legale, finansiare dhe praktike", por sipas tij, nëse shtetet duan të eksperimentojnë me idenë e tillë, atëherë Komisioni do të asistojë.
"Para vendosjes së qendrave të tilla, vendimet duhen marrë nga vendet që dëshirojnë t'i ngrejnë ato. Por, shtrohet pyetja, cilat ligje do të zbatoheshin nëpër ato qendra? Kush do t'i menaxhonte ato? A do të vepronte njëri vend në emër të vendeve anëtare. Këto janë çështje kyçe që duhen përgjigjur", thotë de Brower, duke përfunduar se "të gjitha hipotezat mund të vihen në sprovë, ndërsa tani topi gjendet në oborrin e vendeve anëtare".
XS
SM
MD
LG