Ndërlidhjet

KËSHILLI I SIGURIMIT NË KATËRVJETORIN E MIRATIMIT TË REZOLUTËS 1244 DEBATON PËR KOSOVËN


Robert McMahon, New York

Ndihmës-sekretari për operacionet paqëruajtëse i Kofi Ananit, Hedi Anabi, në fjalën e hyrjes në Këshillin e Sigurimit, tha se shqiptarët e Kosovës, serbët e Kosovës dhe zyrtarët serbë në Beograd, vazhdojnë të pengojnë pajtimin, duke u përpjekur të zbatojnë zgjidhje të njëanshme për problemet e Kosovës.
"Thirrjet e njëanshme nga ana e shqiptarëve të Kosovës, serbëve të Kosovës dhe Beogradit për zgjidhje të statusit përfundimtar të Kosovës kanë vazhduar, duke mos i kontribuar pajtimit dhe dialogut ndëretnik dhe duke ngrirë ecjen përpara drejt shumë çështjeve kyçe", tha Anabi.
Ai shtoi se UNMIK-u ballafaqohet me sfidat si: sigurimi i lirisë së qarkullimit për pakicat, zhvillimi i trupave lokale qeverisëse dhe nisja e dialogut midis përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit. Anabi tha se UNMIK-u do të vazhdojë të ndjekë politikën e arritjes së një shkalle të caktuar të reformave, para se t'i drejtohet statusit përfundimtar të Kosovës.
Anabi me këtë rast përmendi edhe rastin e vrasjes së tre serbëve në Kastriot përkatësisht Obiliq:
"Vrasja e pesë qershorit është goditje serioze ndaj përpjekjeve tona për të forcuar multietnicitetin në Kosovë dhe për të krijuar kushte për kthimin e serbëve dhe të tjerëve në rajonet ku ata janë pakicë", tha Anabi.
Ambasadori i Serbisë dhe Malit të Zi në Kombet e Bashkuara Dejan Shahoviç, kërkoi nga Këshilli i Sigurimit që vrasësit të sillen para drejtësisë.
"Nëse autorët e krimit nuk sillen shpejt para drejtësisë, ashtu siç nuk janë sjellë në rastet e mëparshme të vrasjeve ndëretnike që nga viti 1999, kjo vrasje do të shërbejë për të forcuar kulturën e mosndëshkimit që karakterizon sulmet ndaj pakicave," tha Shahoviç.
Por, zyrtari i lartë i Kombeve të Bashkuara Hedi Anabi, akuzoi edhe liderët serbë se kanë dështuar në bashkëpunimin me misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Ai tha se Beogradi po vazhdon të mbështetë strukturat parelele të serbëve në Kosovë, gjë që minon përpjekjet e Kombeve të Bashkuara.
Në paraqitjet e diskutuesve të tjerë u mbështet politika e standarteve para statusit. Në këtë kontekst ndihmës-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara Xhejms Keningem, vuri në pah nevojën e bashkëpunimit rreth çështjeve praktike.
"Standartet para statusit duhet të jenë më shumë se një parrullë. Duhet të jetësohet progres më i madh në çështjet praktike, për të tejkaluar dyshimet dhe për të ndërtuar besimin dhe pajtimin", tha ndihmës-ambasadori amerikan Xhejms Keningem.
XS
SM
MD
LG