Ndërlidhjet

DËSHIRA E SERBISË PËR FILLIMIN E BISEDIMEVE ME PRISHTINËN ËSHTË RETORIKE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Pas mospranimit nga ana e bashkësisë ndërkombëtare të kushteve të Beogradit për fillimin e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, zyrtarë të lartë të qeverisë së Serbisë kanë dalë me deklarata se Selaniku nuk është vend i përshtatshëm për fillimin e bisedimeve mes përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe qeverisë serbe, deklaron për Radion Evropa e Lirë Shkëlzen Maliqi, analist politik, duke komentuar deklaratat e dy zëvendës-kryeministrave të qeverisë serbe, Çedomir Jovanoviç dhe Nebojsha Çoviç.
" Po, është një farë ndryshimi në qëndrimet e Beogradit. Ato më herët insistonin që dialogu të fillojë sa më parë, mirëpo si duket ideja e tyre ka qenë që këto biseda të zhvillohen sipas kushteve që ata do t'i përcaktonin, kurse konteksti apo korniza e Selanikut nuk u përgjigjet interesave të tyre, dhe mendojnë ose frikësohen se do të legalizohet kështu një njohje nga ana e Bashkimit Evropian të një statusi më të avancuar të Kosovës", thotë Shkëlzen Maliqi.
Nuk do t'i komentoja këto deklarata të zyrtarëve serbë, thotë Fatmir Sejdiu, anëtar i kryesisë së Kuvendit të Kosovës për të shtuar:
" Po them se institucionet e Kosovës, përfaqësuesit e tyre dhe vetë populli i Kosovës, kërkojnë që Kosova të përfaqësohet si një entitet i veçantë si në takimin e Selanikut, ashtu dhe në takime të tjera të karakterit ndërkombëtar qoftë në rajon, qoftë në nivele të tjera, duke patur parasysh nevojën që vërtet të shtrohet çështja e statusit të Kosovës në mënyrën më të drejtë të mundshme, gjë që do të përputhet dhe natyrisht do të rezultojë me respektimin e vullnetit të popullit të saj", thotë zoti Sejdiu.
Edhe pse një kohë të gjatë qeveria dhe institucionet e Kosovës, akuzoheshin se nuk janë të gatshme për të filluar dialogun me fqinjët e veçanërisht me Beogradin, nga deklaratat e dy nënkryetarëve të qeverisë serbe, del se Beogradi nuk është i gatshëm për fillimin e bisedimeve Prishtinë –Beograd, thotë Adrian Gjini, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës.
" Për disa kohë me rradhë ne kemi insistuar që edhe qeveria e Beogradit nuk është e gatshme të fillojë bisedimet me Kosovën, ashtu siç pretendonte të jetë, dhe unë mendoj se me deklaratat e fundit të dy zëvendës-kryeministrave serbë, u vërtetua ajo që ne e kemi përsëritur disa herë me rradhë, që qeveria e Serbisë dëshirën për fillimin e bisedimeve e ka retorike', thotë Adrian Gjini.
Sidoqoftë shumë nga dilemat dhe kundërthëniet në deklaratat e qeveritarëve serbë, kryeadministratori i Kosovës Michael Steine,r do të ketë mundësi t'i sqarojë gjatë takimit të nesërm me kryeministrin serb Zoran Zhivkoviç, gjatë vizitës që do t'i bëjë Beogradit.
XS
SM
MD
LG