Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: VENDET NË TË CILAT NDODHEN BAZAT AMERIKANE KANË PËRFITIME FINANCIARE


"Është e qartë se për shkak të sjelljes së Belgjikës në konfliktin e Irakut dhe për shkak të zërit të fortë kundër Amerikës, në ngritjen e një trupi të përbashkët ushtarak me Gjermaninë, Francën dhe Luksemburgun, që praktikisht i përjashtonte Shtetet e Bashkuara, popullariteti i Belgjikës në administratën Bush, në këto momente, nuk është shumë i mirë" – thotë Patrick Moore, analist i Radios "Evropa e Lirë".

RADIO EVROPA E LIRË
Në një ndërrim strategjik që synon përmirësimin e aftësisë së Amerikës për të luftuar terrorizmin, Pentagoni ka plane për tu larguar nga bazat tradicionale në Gjermani, në Turqi dhe nga vendet e tjera, për të krijuar një rrjet të ri, më të vogël dhe më të lëvizshëm të bazave operative në Evropën Lindore, në Kaukaz, në Azinë Qendrore dhe në Afrikë. Çka do të thotë kjo?

PATRICK MOORE
Çështja qëndron në tërheqjen nga bazat e mëdha tradicionale që kishin si qëllim kryesisht luftimet tokësore kundër ish Bashkimit Sovjetik dhe satelitëve të tij evropianë. Duke i lëvizur këto në baza të veprimit të shpejtë, ato do të jenë më afër qendrave të reja problematike, që do të jenë pak a shumë në zonën nga Briri i Afrikës e deri në Indonezi… Këto nuk do të kërkojnë baza të mëdha tradicionale ushtarake, por baza më të vogla afër zonave të konflikteve potenciale, afër zonave ku terroristët kanë bazat e tyre, dhe ku trupat ushtarake do të lëvizin sipas nevojës dhe nuk do të jenë të vendosur në mënyrë të përhershme. Kjo është pjesë e një strategjie të re dhe nënkupton që disa, por jo të gjitha bazat e mëdha tradicionale ushtarake, do të braktisen. Një bazë ushtarake që nuk do të braktiset është për shembull baza amerikane Ramshtajn e cila ka qenë shumë e dobishme dhe do të ruhet ende.

Por çdo të thotë tjetër kjo lëvizje…Do të tregoheshim politikisht naivë nëse nuk do të vërenim se në këtë strategji ka pluse dhe minuse. Në anën e minuseve… përmendët Turqinë dhe Gjermaninë. Këto janë dy vende që u treguan shumë jobashkëpunuese me Shtetet e Bashkuara gjatë konfliktit në Irak. Gjermania i lejoi Shtetet e Bashkuara që të përdornin bazat e saj gjatë luftës, ndërsa Turqia nuk lejoi, por Gjermania nuk kishte në fakt shumë motiv për t'u shqetësuar pasi nuk ndodhet në kufi me Irakun, ashtu siç ndodhet Turqia. Prandaj mund të shohim se duke folur veçanërisht për mbylljen e bazave ushtarake në Turqi dhe në Gjermani, këto dy vende, në një farë mënyre, po ndëshkohen për sjelljen e tyre gjatë konfliktit të Irakut.

Vendet në të cilat ndodhen këto baza kanë përfitime të shumta financiare dhe për disa komunitete specifike ku janë të vendosura këto baza ushtarake, mbyllja e bazave do të thotë humbje të mëdha. Nga ana tjetër vendet ku amerikanët mendojnë të vendosin bazat e reja…të themi Rumania, Bullgaria, do kenë përfitime dhe do të kenë prestigj politik të krijuar nga prania amerikane në territorin e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Sekretari i përgjithshëm i Natos, George Robertson deklaroi këtë javë se "Kjo është Natoja e re…Natoja e transformuar". Çka do të thotë Natoja e re dhe e transformuar?

PATRICK MOORE
Ashtu siç e diskutuam në pyetjen tuaj themelore, këtu bëhet fjalë për një çështje të gjerë strategjike, politike dhe ushtarake për ridefinimin dhe reformimin e sistemit të Aleancës Veriatlantike pas rënies së komunizmit në Evropën Lindore më 1989 dhe rënien e Bashkimit Sovjetik më 1991. Ashtu siç po riorganizojmë dhe po ridefinojmë se çfarë lloj bazash na nevojiten, ashtu edhe NATO nuk ka më për qëllim luftimin e Bashkimit Sovjetik dhe satelitëve të tij, pasi disa prej ishsatelitëve janë anëtarë të NATOs dhe vetë Rusia dhe Ukraina kanë një vend në tavolinën e bisedimeve. Prandaj ajo që po bën Robertson këtu është vënia e një theksi shumë pozitiv në ndryshimet brenda NATOs të cilat ishin shtyrë për një kohë shumë të gjatë, një përcaktim të ri të misionit të Aleancës, i cili do të drejtohet, të paktën ashtu siç e thotë sekretari amerikan i mbrojtjes Donald Rumsfled, në luftimin e terrorizmit dhe kërcënimeve jotradicionale globale. Kjo është ajo për të cilën ka folur Robertson.

RADIO EVROPA E LIRË
Sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld të Enjten u tha autoriteteteve të Belgjikës se rrezikojnë humbjen e së drejtës për të qenë mikpritës të aleancës më të rëndësishme ushtarake të botës…

PATRICK MOORE
Belgjika ka një ligj në fuqi i cili i lejon gjithkujt të bëjë padi ndaj çdokujt për krime të kryera në cilindo vend. Pra kemi parë se ka pasur disa njerëz, përfshirë, unë besoj disa avokatë nga Greqia, të cilët kanë ngritur padi ndaj zyrtarëve amerikanë…për shembull padi është ngritur kundër gjeneralit Tommy Franks, i cili komandoi trupave amerikane në operacionin "Çlirimi i Irakut"…dhe le të themi se nga aspekti teorik do të ishte e mundur që serbët të shkojnë në Belgjikë dhe të ushtrojnë padi ndaj ishpresidentit Clinton apo gjeneralit Clark. Ndoshta disa e kanë bërë një gjë të tillë por nuk kam të dhëna për këtë. Por për çdo rast kjo është ajo për të cilën po flasim. Nëse një nga këto padi arkivohet në gjykatat belge, dhe dikush që është subjekt i kësaj padie, pavarësisht nga serioziteti i saj, për ne apo për dikë tjetër, belgët sipas ligjeve të tyre do të jenë të detyruar t'i arrestojnë këta persona. Pra ajo që po thotë zoti Rumsfeld është se nëse ata lejojnë ngritje të padive kundër zyrtarëve amerikanë, atëherë zyrtarët amerikanë nuk do të dërgohen atje. Kjo mendoj se ishte pika të cilën e theksoi zoti Rumsfeld.

Është e qartë se për shkak të sjelljes së Belgjikës në konfliktin e Irakut, dhe për shkak të zërit të fortë kundër Amerikës në ngritjen e një trupi të përbashkët ushtarak me Gjermaninë, Francën dhe Luksemburgun, që praktikisht i përjashtonte Shtetet e Bashkuara, popullariteti i Belgjikës në administratën Bush, në këto momente, nuk është shumë i mirë. Dua t'ju rikujtoj se çështja e padive të motivuara politikisht ndaj zyrtarëve amerikanë nuk është një shaka e parëndësishme… dhe kjo është arsyeja që amerikanët janë kundër Gjykatës ndërkombëtare të përhershme penale në formën e saj aktuale dhe për këtë arsye kërkojnë marrëveshje bilaterale që ndalojnë dërgimin e qytetarëve amerikanë në këtë gjykatë. Për këtë arsye shumë amerikanë i kujtojnë gjyqet e ngritura gjatë periudhës së luftës në Vietnam, si gjyqi Burt Russel dhe komisioni Olaf Palme, që kishin si qëllim gjykimin politik të zyrtarëve ushtarakë amerikanë. Këto nuk ishin asgjë më tepër sesa gjyqe ilegale, por në rastin e Belgjikës, kemi të bëjmë me diçka krejtësisht tjetër. Kur bëhet fjalë për luftën në Vietnam, mund të them se i kuptoj përse disa njerëz në Uashington shqetësohen për gjyqet e motivuara politikisht ndaj ushtarakëve dhe zyrtarëve të tjerë amerikanë.
Intervistoi Melazim KOCI.
XS
SM
MD
LG