Ndërlidhjet

B. REXHEPI:"KOSOVA ËSHTË E GATSHME TË BISEDOJË ME TË GJITHË FQINJËT"


Dr. Bajram Rexhepi, kryeministër i Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, kanë mbetur edhe pak ditë deri në mbajtjen e Samitit të Selanikut. Si e shihni ju pozitën aktuale të Kosovës në proceset integruese në Evropë?

BAJRAM REXHEPI
Po, pavarësisht se ka spekulime të ndryshme ose panjohuri për qytetarët, është me rëndësi të madhe që Kosova merr pjesë bashkë me delegacionin e UNMIK-ut. Bashkarisht do të jemi në rolin e vrojtuesit dhe do të kemi në dispozicion tre minuta që të prezantojmë vizionet e Kosovës në lidhje me proceset integruese. Mirëpo kjo nuk është vetëm për Kosovën. Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë në të njejtin pozicion. Është ndoshta irrituese ose mund të mendohet nga qytetarët, pse ne nuk kemi mundësi të flasim drejtpërdrejt si liderë të institucioneve. Por çështja është, po përsëris dhe njëherë, që ne i kemi vetëm tre minuta të konceptuara dhe nëse do të flasë vetëm zoti Steiner, apo do të jetë një fjalim i përbashkët, të cilin do ta konceptojmë, ende nuk dihet njëqind për qind. Jemi në rrjedha që të jetë ai një prezantim i përbashkët i prezantuar nga zoti Shtajner, ose ndoshta do ta kem edhe unë një minutë, por ende nuk i dihet. Përndryshe ne si Qeveri i kemi bërë përgatitjet e duhura në atë drejtim që eventualisht, nëse gjatë këtij Samiti të Selanikut, ku Kosova shkon primarisht për shkak të proceseve integruese, ndodhin bisedime, të jemi të përgatitur se cilat tema mund të diskutohen në një të ardhme. Edhe pse unë nuk pres që aty do mund të diskutohen edhe çështje teknike-praktike të interesit të përbashkët, për arsye se është kohë shumë e shkurtër dhe e pamundur që aty të zhvillohen biseda të gjata. Ne jemi të hapur dhe për biseda me të gjitha shtetet në rajon, të cilat shprehin gatishmëri që të bashkëbisedojmë me të gjithë fqinjët, përfshirë këtu dhe Serbinë e Malin e Zi.

RADIO EVROPA E LIRË
Pikërisht te dialogu, është paralajmëruar nga komuniteti ndërkombëtar se do të vijë deri te një takim në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Unionit të Serbisë e Malit të Zi. Çfarë prisni ju si kryeministër i Kosovës, që me siguri se do të jeni në krye të këtij delegacioni, nga ky fillim i kontakteve?

BAJRAM REXHEPI
Po edhe pse ajo në mënyrë eksplicite nuk ka qenë kushtëzim për pjesëmarrje, megjithatë ka qenë një kërkesë e fuqishme e faktorit ndërkombëtar që eventualisht të fillojë një lloj bisedimi në Selanik. Ne më parë kemi deklaruar se jemi të hapur të bisedojmë me të gjithë fqinjët për çështje të interesit të përbashkët. Nuk duam të mbetemi të izoluar. Dhe ne, këtë gatishmëri e rikonfirmojmë edhe njëherë, duke e përfshirë këtu edhe Unionin Serbi e Mali i Zi. Mirëpo duke patur parasysh rrjedhat se si shkojnë në këtë moment, ose deklarimet nga pala serbe, është pak e mundur që të arrihet deri në këtë pikë, jo për shkak të pengesave që i bën Kosova. Megjithatë në një fazë të mëvonshme, bisedimet do të ndodhin, por a do zhvillohen në Selanik apo më vonë, kjo mbetet për t'u parë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në prononcimet tuaja të mëparshme keni theksuar se Beogradi nuk është i interesuar që të diskutohen disa çështje praktike për të cilat po flitet, por më tepër ka ambicie për ndarjen e Kosovës. Sa mendoni se do të jetë i vështirë vetë fillimi i dialogut me Beogradin?

BAJRAM REXHEPI
Kjo është një gjë shumë e qartë. Edhe kërkesa e faktorit ndërkombëtar, por edhe e jona në përgjithësi, është që të mos diskutohet për çështje statusore. Ky si projekt ka qenë i prezantuar më parë nga Gjingjiqi dhe të tjerët, pra ndarja e Kosovës, Prandaj kjo çështje nuk do të diskutohet, por vetëm ato të interesit të përbashkët, ashtu siç ka qenë dhe kërkesa decidive si e Bashkimit Evropian, ashtu dhe e zyrave të ndryshme perëndimore. Pra, në këtë aspekt, ne kemi caktuar një numër të çështjeve praktike, të cilat janë në interesin e Kosovës që të diskutohen. Sigurisht edhe Unioni Serbi e Mali i Zi do të ketë kërkesat e veta e pastaj ato që mund të harmonizohen që të kemi diskutime do të shkojnë, kurse ato për të cilat kemi qëndrime të ndryshme do të lihen për faza të mëvonshme. Prandaj, Kosova nuk mund t’ia imponojë Unionit Serbi e Mali i Zi të gjitha temat për të cilat dëshiron të bisedojë, ashtu si dhe Unioni Serbi e Mali i Zi nuk mund t’ia imponojë temat e tij Kosovës. Vetëm për ato tema ku ka interes të përbashkët është shumë më lehtë të fillohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Në analiza të ndryshme thuhet se Selaniku do të shërbejë vetëm për vënien e kontakteve, kurse përmendet Brukseli si një vend, i cili do të mund të intensifikonte bisedimet e tjera. Kështu që nga pozita e juaj si kryeministër, si e shihni finalen e këtyre bisedimeve, të cilat do të fillojnë me çështje praktike, mirëpo ku do të përfundojnë ato?

BAJRAM REXHEPI
Po ky do të jetë një proces. A do të fillojë në Selanik, në Bruksel apo në një fazë të mëvonshme, kjo është një çështje që paraprakisht nuk mund të parashikohet. Sa i përket çështjes që të fillohet në Bruksel ai ka qenë një deklarim i udhëheqësve të Serbisë, i zotit Zhivkoviç, po ashtu drejtpërdrejt ndoshta edhe në kontakt me Solanën. Mirëpo këto nuk janë çështje të definuara dhe këto bisedime do të jenë një proces, i cili së pari nuk është i sigurt se kur do të fillojë dhe as kur do të përfundojë, edhe pse ne jemi të gatshëm për këtë çështje. Pra, është një proces që do të ndodhë me angazhimin aktiv të zyrës amerikane, ose të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në nivel më të lartë, si dhe të Unionit Evropian. Që të ketë sukses është i domosdoshëm roli aktiv i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i Unionit Evropian dhe është një proces që do të zgjasë, ndoshta me muaj.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, përfundimi i tyre a do të jenë dhe bisedimet për çështjen e statusit të Kosovës?

BAJRAM REXHEPI
Mendoj se sa i përket çështes së statusit të Kosovës, kjo duhet të organizohet në nivel shumë më të lartë. Së pari ne si liderë të institucioneve dhe liderë të partive politike duhet ta bëjmë një platformë të përbashkët. Do të duhet të jetë i angazhuar një nivel shumë më i lartë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i Unionit Evropian dhe kjo mund të jetë ndonjë konferencë e posaçme për Kosovën, megjithatë ka edhe mekanizma tjerë paraprakë për të cilat ne duhet të mendojmë seriozisht, siç është çështja e referendumit që duhet t’u paraprijë bisedimeve për çështjen e statusit. Pra, është një platformë, e cila duhet të përpunohet detajisht. Për çështjen e statusit të Kosovës është herët të mendohet por në një fazë të afërt, ndoshta disa muajshe ajo do të vijë në rend të ditës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, zoti kryeministër, Qeveria juaj është procesin e marrjes së kompetencave. Ju keni thënë se keni ambicie për të marrë më tepër autorizime dhe në fushat e rezervuara sot për zotin Steiner, apo shefin e UNMIK-ut. Si po ecën ky proces?

BAJRAM REXHEPI
Kjo nuk ecë në dinamikën që ne e dëshirojmë. Megjithatë pas një ngrirjeje faktikisht, ose një deklarimi, që ne mund të bisedojmë vetëm kompetencat të cilat janë të transferueshme në bazë të kapitullit të pestë, në takimin e fundit të Këshillit për transferin e kompetencave, u sqarua shumë qartë, se mund të preken edhe kapituj tjerë ku janë fusha të transferueshme. Prandaj, në përgjithësi mund të ndahen në pjesë të transferueshme dhe të rezervuara dhe jo të ndahen sipas kapitujve. Në takimin e fundit ne shprehëm edhe ambiciet tona që të krijojmë hapësirë edhe në fushat e tjera. Janë disa zyra, si zyra për energjetikën, zyra për planifikimin strategjik e implementimin, zyra për koordinimin rajona dhe evropian, që do të bëhen bashkarisht edhe me UNMIK-un, edhe me presidencën, si dhe shumë fusha të tjera që gradualisht do të transferohen. Pra, mendoj se do të arrihet një përshpejtim i dinamizmit të transferimit të kompetencave në këta gjashtë muajt e fundit.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe për fund zoti kryeministër, për këtë vit janë paralajmëruar shumë sfida, shumë angazhime, ndër to: kthimi i të zhvendosurve, hapa konkrete në zgjidhjen e problemit të Mitrovicës si dhe luftimi i krimit të organizuar. Nëse mund të përmblidhni punën e bërë gjatë këtyre gjashtë muajve të parë, sa është punuar konkretisht në zgjidhjen e këtyre tre problemeve si më të ndjeshmet aktualisht në Kosovë?

BAJRAM REXHEPI
Po ndoshta më tepër mund të themi se janë bërë disa parapërgatitje që këto tri sfida kryesore të kenë pak më tepër sukses, përndryshe rezultate konkrete shumë nuk shihen. Shpresojmë se ky proces do të jetë i gjatë, i përbashkët, por duhet të arrijmë maksimumin në kuadër të kompetencave çfarë janë bashkarisht. Sa i përket kthimit nuk mund të priten mrekulli, duhet të jetë gatishmëria jo vetëm e UNMIK-ut dhe kosovarëve, por edhe e qeverisë serbe që ta ndihmojnë procesin dhe jo ta pengojnë e politizojnë si deri tani. Sa i përket Mitrovicës janë bërë disa hapa të parë, megjithatë është e pamjaftueshme dhe është proces. Të gjitha këto janë sfida para të cilave ne nuk do të tërhiqemi, por do të bëjmë përparimin më të madh në këtë drejtim, mirëpo është iluzore të mendohet se do të bëhet ndonjëfarë përparimi i shpejtë në këtë drejtim.


XS
SM
MD
LG