Ndërlidhjet

HESHTET PËR DUKURINË E PEDOFILISË


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Abuzimi seksual i të miturve në Kosovë është një dukuri, e cila çdo ditë po shënon një rritje të madhe, thotë Sevdije Ahmeti, drejtuese e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Kosovë. Ajo tha se ka shumë raste, të cilat qendra e saj i ka paraqitur tashmë në gjykatë, por nuk dëshiron të japë më shumë hollësi për shkak të sigurisë së viktimave. Zonja Ahmeti mendon se arsyeja kryesore pse fëmijët në Kosovë pësojnë nga dukuria e pedofilisë, qëndron në mungesën e të drejtave të këtyre fëmijëve, shumica e të cilëve qëndrojnë në rrugë deri në orët e vona të natës, në përpjekje për të siguruar jetesën.
" Pedofilia merr përmasa pak më të mëdha, jo vetëm nga aspekti i mospasjes së marrëdhënieve gjinore, ose familjare por edhe ndërfamiljare, pasi incesti është një pjesë e pedofilisë. Fëmijët me të vërtetë janë të rrezikuar. Ata vetë nuk e lajmërojnë rastin, nga frika se kanë bërë turp, janë të frikësuar, të manipuluar", thotë zonja Ahmeti. Ajo më tej vazhdon se kjo dukuri heshtet në Kosovë, ngaqë shoqëria e saj nuk është e gatshme të dënojë shfrytëzuesin, por vetë viktimën. Shfrytëzuesit e viktimave ndërkaq, sipas zonjës Ahmeti janë vendorë dhe ndërkombëtarë.
" Do citoja një rast që kemi patur një polic ndërkombëtar, i cili vetë ka qenë i arrestuar për shkak të abuzimit të një viktime, e cila ka qenë 13 vjeçare. Ai vetë pranon që së paku 9 herë ka patur marrëdhënie seksuale me fëmijën. Mirëpo në anën tjetër gjyqësia ka dështuar në këtë aspekt. Megjithëse ka qenë ky krim i denoncuar, polici ndërkombëtar ka qenë i paraburgosur dhe në rastin e gjykimit ai është liruar nga prokurori ndërkombëtar", thotë zonja Ahmeti.
Flora Brovina, udhëheqëse e Qendrës për Rehabilitimin e Nënës dhe Fëmijës, thotë se qëndra të cilën e udhëheq, angazhohet në këshillimin e fëmijëve për t'u mbrojtur nga dukuria e shfrytëzimit të tyre.
" Fëmijët pas kësaj në shumicën e rasteve marrin rrugë shumë të këqija, bëhen delikuentë për tërë jetën. Shumë nga meshkujt e abuzuar në moshë të re marrin rrugën e seksualizmit, të drogës dhe rrugë të tjera delikuente. Prandaj asaj i duhet thënë stop para se të shfaqet dhe tani, në këtë fazë që ndodhet shoqëria," thotë zonja Brovina.
Ndryshe rasti i fundit i dyshuar i pedofilisë është shënuar në Pejë, për çka autoritetet ndërkombëtare kanë paditur katër persona, njëri prej të cilëve polic ndërkombër nga Pakistani, nën dyshimin se kanë keqtrajtuar një grup fëmijësh të përkatësisë rome.
XS
SM
MD
LG