Ndërlidhjet

SERBËT PROTESTUAN PËR SHKAK TË LARGIMIT TË TRUPAVE RUSE NGA SPITALI USHTARAK NË FUSHË-KOSOVË


Rrahman Paçarizi Prishtinë

Së paku tre policë ndërkombëtarë kanë pësuar lëndime të lehta sot në Fushë-Kosovë, pasi janë sulmuar me gurë dhe mjete të tjera nga protestuesit serbë që kishin tentuar të okupojnë një ndërtesë shëndetësore në këtë qytezë në afërsi të Prishtinës, ndërtesë kjo ku ndodhej spitali ushtarak rus. Një zëdhënës i policisë rajonale të Prishtinës, Jack Kraus, tha se incidenti kishte filuar në orët e pasdites së sotme:
“Rusët janë duke u larguar nga zona e tyre e operacioneve dhe sot lëshuan spitalin. Më pas disa serbë lokalë erdhën në spital dhe vendosën ta okupojnë atë", tha zëdhënësi Kraus. Sipas tij në spital ka shkuar komandanti rajonal i policisë për të negociuar me protestuesit, mirëpo në një moment policia ishte përpjekur ta mbyllte portën kryesore për të penguar acarimin e situatës:
“Ndërsa policët po përpiqeshin ta mbyllnin derën, u sulmuan nga masa, me ç’rast tre policë pësuan lëndime të lehta, prandaj policia u detyrua të përdorë gaz lotësjellës," tha zëdhënësi Kraus sipas të cilit më pas është arritur njëfarë marrëveshjeje e përkohshme dhe situata e vënë nën kontroll e tani është e qetë.
Ndërkohë që oborrin e spitalit ende ndodheshin disa serbë lokalë, kryetari i komunës së Fushë-Kosovës, zoti Skënder Zogaj i ka quajtur të manipuluar qytetarët serbë dhe ka hedhur poshtë pohimet se serbët do të mbeteshin pa spital pas largimit të ushtarëve rusë të KFOR-it:
“Normalisht, ne kemi ndërmarrë masa institucionale me policinë e UNMIK-ut dhe SHPK. Është edhe diçka tjetër që duhet të thuhet: është kalkuluar se shqiptarët kanë dashur ta marrin objektin. Kjo nuk është e vërtetë dhe nuk ka pasur asnjë lëvizje pasi shqiptarët nuk kanë nevojë të marrin objektet që ndodhen në Kosovë," tha zoti Zogaj, sipas të cilit objekti do të administrohet nga komuna tani e tutje, ndërsa Ministria e Shëndetësisë do të udhëheqë një pjesë për prodhimin e infuzioneve.
"Ndërkohë, -tha zoti Zogaj, "qytetarët serbë nuk kanë pse frikësohen, pasi komuna edhe ashtu i ka rezervuar 53 vende për personelin serb në shtëpinë e shëndetit në Fushë-Kosovë."
XS
SM
MD
LG