Ndërlidhjet

PËR INTEGRIMIN EVROPIAN KËRKOHET PLOTËSIMI I KRITEREVE


Isuf Kadriu, Shkup

Kushti kryesor për integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian është jetësimi i plotë i marrëveshjes paqësore dhe ndërtimi i një shteti multi-etnik, ku do të respektohen parimet dhe normat ndërkombëtare. Kjo u tha për Evropën e Lirë nga Teuta Arifi, kryetare e Komisionit parlamentar të Politikës së Jashtme, njëherësh anëtare e delegacionit të Maqedonisë në Samitin e BE-së në Porto Karas të Greqisë.
" Bashkimi Evropian dëshiron që të shikojë një Maqedoni multi-etnike dhe demokratike, ndërsa implementimi i plotë dhe i shpejtë i Marrëveshjes së Ohrit, nënvizohet në dokument, është kushti kryesor për të integruar Maqedoninë në Bashkimin Evropian dhe për të arritur standartet kryesore. Ne si shqiptarë të Maqedonisë mendojmë se këto mesazhe janë pozitive dhe normalisht mjaft të qarta"- tha Teuta Arifi, për të vazhduar se këto sugjerime janë të detyrueshme për Maqedoninë, ashtu si kushtet e tjera për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa sipas saj në përmbushjen e këtyre detyrimeve është e nevojshme patja e një sasie të konsiderueshme mjetesh financiare.
" Ndërsa ajo që nuk u arrit në këtë samit është fakti që ndoshta BE-ja, akoma nuk do të dedikojë një sasi më të madhe të mjeteve materiale, në mënyrë që këto ndryshime të arrihen sa më shpejt. Në këtë drejtim mbase do duhej që shtetet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë rajonale, të arrijnë një konsesus të përbashkët dhe të bëjnë presion mbi Bashkimin Evropian, duke kërkuar më tepër mjete, me të cilat faktikisht do të forcohet demokracia në këto vende dhe njëkohësisht kohezioni social"- sqaron zonja Arifi.
Sidoqoftë thotë anëtarja e delegacionit të Maqedonisë, se me rëndësi të madhe është mesazhi i qartë i liderëve të Bashkimit Evropian se dyert për integrimin janë të hapura për vendet e Ballkanit Perëndimor.
"I'u tha shumë qartë vendeve të Ballkanit Perëndimor se dera për integrimin e tyre në BE është e hapur dhe tani varet nga secili vend veç e veç, sesa do të jetë në gjendje të përmbushë obligimet dhe standartet, të cilat kërkohen për t'u integruar në Bashkimin Evropian"- tha Teuta Arifi.
Në Samitin e BE-së në Selanik, kryetari i Maqedonisë Boris Trajkovski, ka realizuar një takim me kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepi. Ndërsa sipas Teuta Arifit, kryetari i Maqedonisë ka ftuar për një vizitë në Maqedoni, kryetarin e Kosovës Ibrahim Rugova.
"Me zotin Rexhepi njëkohësisht u tha se hapësira për komunikim është shumë e madhe dhe duhet të shfrytëzohet. Ndërkohë ne presim që së shpejti presidenti Rugova mbase do qëndrojë në Maqedoni, në bazë të ftesës që i bëri presidenti Trajkovski për të vizituar Maqedoninë"-tha Teuta Arifi.
XS
SM
MD
LG