Ndërlidhjet

PRIORITET LUFTA KUNDËR KRIMIT TË ORGANIZUAR


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Nën tonin e marshit ka filluar sot ceremonia e diplomimit të brezit të 25 të policëve të SHPK-së në Prishtinë, ku fjalën kryesore e ka mbajtur shefi i zyrës amerikane Reno Harnish, i cili ka thënë se ndër detyrat më të vështira për policinë është përballja me dukurinë e kërcënimit dhe vrasjes së dëshmitarëve.
Harnish tha se për herë të parë në historinë e saj të gjatë, Kosova tani ka një forcë policore të aftësuar sipas standardeve perëndimore, e cila mbron qytetarët, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës mburren dhe janë të kënaqura me përparimin e arritur këtu dhe me zbatimin e rendit dhe të ligjit:
“Ndërkohë që ende ka punë për të bërë në këtë fushë, është e qartë se SHPK ka përparuar shumë në arritjen dhe përmbushjen e rolit të saj dhe për të zënë vendin e saj në institucionet qeverisëse”, tha Reno Harnish, duke u thënë policëve të rinj se rruga e tyre sapo ka filluar dhe do të jetë një rrugë e vështirë për të penguar manifestimet më të rënda të krimit, punë që duhet bërë me nder dhe dinjitet.
Ai tha se një ndër detyrat e vështira do të jetë edhe përballja me fenomenin e kërcënimit dhe vrasjes së dëshmitarëve që është e pranishme në Kosovë:
“Nëse policia dhe sistemi gjyqësor nuk ngrihen kundër atyre që kërcënojnë dëshmitarët dhe për të ndërtuar një nivel të lartë të besimit, atëherë ne do të dështojmë në përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe jetëgjatë”, tha shefi i zyrës amerikane, Harnish.
Sipas tij SHPK po bën përpjekje vitale për të ndërtuar një forcë policore multietnike dhe të balancuar në aspektin gjinor. Ky është pasqyrim i diversitetit të pasur të Kosovës, tha Harnish, sipas të cilit kjo do të luajë rol vendimtar për të luftuar krimin e organizuar, për t’i bërë rrugët më të sigurta për të gjithë dhe për t’i sjellë para drejtësisë ata që janë të përfshirë në krime:
“Këto përpjekje janë vendimtare për përpjekjet e Kosovës dhe për të ardhmen e saj në Evropë, tha Harnish, duke shprehur kënaqësinë për ndihmën që SHBA kanë dhënë për ngritjen e policisë së Kosovë, për të cilën, SHBA kanë dhënë më se 10 milionë dollarë, duke bërë që akademia policore e Kosovës të jetë një ndër më të mirat në Evropë.
Në emër të brezit 25 të kadetëve të policisë kosovare ka folur zëdhënësi i këtij brezi, Bekim Avdylaj:
“Ne jemi të vetëdijshëm se gjatë detyrave tona do të ballafaqohemi me probleme dhe sfida të ndryshme, prandaj qytetarë të nderuar të Kosovës, që ta bëjmë me efektive punën tonë, duhet të ketë bashkëpunim të ndërsjellë, për t’i luftuar dukuritë negative dhe kriminalitetin e pranishëm sot”, tha polici Avdylaj.
Më pas, diplomat kadetëve të klasës 25 ua ka dorëzuar shefi i zyrës amerikane Reno Hanish. Me diplomimin e sotëm, numri i përgjithshëm i policëvë të diplomuar ka arritur në 5 878, ndërsa deri në fund të vitit 2004, Shërbimi Policor i Kosovës do të ketë 6 400 policë.

XS
SM
MD
LG