Ndërlidhjet

INVALIDËT E PUNËS KËRCËNOHEN ME GREVË URIE


Bekim Bislimi, Prishtinë

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ahmet Isufi sot ka bërë të ditur se është bërë gati projektligji për pensionet e personave me aftësi të kufizuar. Ministri Isufi theksoi se ky ligj i është dorëzuar qeverisë së Kosovës dhe zyra e kryeministrit do ta bëjë përpunimin e tij, në mënyrë që t’i dorëzohet komisionit parlamentar dhe Kuvendit të Kosovës për ta aprovuar. Për lartësinë e këtij pensioni, sipas ministrit Isufi, është marrë për bazë lartësia e pensionit themelor, e cila aktualisht është 35 Euro, ndërkohë që për këtë do të vendosë qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.
“Në këtë ligj, përveç personave me aftësi të kufizuar, do të përfshihen edhe pensionistët invalidë, të cilët kanë invaliditet nga e kaluara”, tha ministri Isufi.
Në anën tjetër invalidët e punës kanë paralajmëruar se që nga dita e nesërme do të hyjnë në grevë urie. Shefki Myftari, sekretar i Organizatës së Invalidëve të Punës të Kosovës thotë:
“Prej nesër, çfarë të duan le të ndërmarrin të gjithë pushtetarët e Kosovës edhe vetë Ahmet Isufi, ne nuk do tërhiqemi nga greva e urisë deri në vdekje, sepse më mirë të vdesim kështu, se sa të presim pa kurrfarë sigurie ekonomike, sociale dhe shëndetësore”, tha zoti
Myftari.
Ndërkaq ministri Isufi theksoi se tashmë kanë kontaktuar përfaqësuesit e invalidëve të punës me qëllim që t’i njoftojnë ata lidhur me përgatitjen e ligjit.
“Ne do t’i lusim ata që të presin zbatimin e këtij ligji, në mënyrë që të përfitojnë nga ky ligj. Ajo që kërkojnë, normalisht është e drejta e tyre për punën që kanë bërë, për kursimet e tyre dhe
përfitimet nga invaliditeti i punës që kanë patur. Ato fonde janë grabitur nga Serbia dhe ne si ministri dhe qeveri do të kërkojmë që t’ju kthehen atyre që i meritojnë, qytetarëve të Kosovës”, tha ministri Isufi.
Ndërsa, zoti Myftari thotë se kërkesa kryesore e grevistëve do të jetë që pensionet invalidore të paguhen në mënyrë retroaktive që nga 1 korriku i vitit 2002.
“Në rast se në ligj, në bazë të vërrejtjeve për të cilat kam njoftuar Ministrinë e Punës, nuk janë përfshirë retroaktivisht as pagesa, as benificionet që i ka gëzuar kategoria më e rrezikuar, ata pa organe trupore dhe të sëmurët në shtretër, ne kemi për ta vazhduar grevën e urisë deri në plotësimin e këtyre kërkesave”, thotë zoti Myftari.
Sidoqoftë, ai thekson se kërkesat e grevistëve, në mënyrë të shkruar, do t’ju dërgohen zyrtarëve të institucioneve më të larta të Kosovës.

XS
SM
MD
LG