Ndërlidhjet

MICHAEL STEINER: STATUSI FINAL MUND TË ZGJIDHET BRENDA PESË VITESH


Rrahman Paçarizi, Prishtinë Steiner, pos tjerash, tha se bartja e kompetencave është vënë në rrugë të mbarë. “Mendoj se i gjithë ky proces është rilegjitimuar nga KS i KB dhe kjo është vënë në rrugë të mbarë dhe nuk besoj se ky proces mund të ndalet”- tha Steiner.

Statusi i Kosovës nuk mund të presë zgjidhjen edhe pesë vjet të ardhshme, ndërkohë që edhe Kosova edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të jenë të përgatitura për t’u përfshirë në këtë proces, ka thënë sot shefi i UNMIK-ut Michael Steiner në takimin e fundit me katër mediume, përfshirë edhe radion Evropa e Lirë, para se t’i japë fund mandatit të tij në Kosovë. Ai tha se nuk mund të pritet përgjithmonë që të shtyhet çështja e statusit të Kosovës. “Mendoj se diskutimet për statusin, sigurisht se nuk do të bëhen këtë vit, apo ndoshta brenda një viti, por gjithsesi se do të fillojnë më shpejt sesa para pesë vjetësh”- tha Steiner, sipas të cilit përmbushja e standardeve do të bënte shumë të lehtë përcaktimin e statusit përfundimtar. Ai kërkoi edhe më shumë gatishmëri të kryeqyteteve botërore, para së gjithash Uashingtonit dhe Brukselit për t’u marrë me çështjen e Kosovës dhe të statusit të saj, në mënyrë që edhe Kosova edhe bashkësia ndërkombëtare të jenë të përgatitura për këtë process. “Këto dy procese duhet të vijnë së bashku, në të kundërtën, nëse parakushtet këtu do të ekzistojnë, por bashkësia ndërkombëtare nuk do të jetë e gatshme për t’u marrë me këtë, atëherë do të kemi probleme”- tha Steiner.

Duke komentuar ndërkaq formulimin e shefit të zyrës amerikane Reno Harnish që në vend të "standardeve para statusit" të jetë formulimi "standardet drejt statusit", Steiner tha se me zotin Harnish kishin qëndrim të njëjtë dhe pajtohej me këtë formulim.
Lidhur me bisedimet Prishtinë-Beograd për çështje teknike, Steiner tha se roli amerikan është i rëndësisë së veçantë. “Neve na duhen amerikanët atje, amerikanët duhet të jenë pjesë e këtyre bisedimeve dhe për këtë nuk ka dyshim dhe këtë e kam thënë, por pasi kjo ndodh në Bruksel në kryeqytetin evropian, ombrella evropiane është e domosdoshme” - tha Steiner dhe theksoi se me këtë dëshmohet se Kosova është pjesë e Evropës. Ai tha se edhe samiti i Selanikut dëshmoi se pavarësisht nga statusi, Kosova do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Zoti Steiner sot tha se kryeministri Rexhepi ka arritur t’u bëjë ballë të gjitha sfidave dhe rezistencave, pasi ka qenë në një pozicion të vështirë, pasi është dashur të udhëheqë një qeveri koalicioni.

Ndërkaq, i pyetur nëse shkuarja e tij nga Kosova në një kohë mjaft kritike për disa procese do të pengoj fillimin e dialogut apo bartjen e kompetencave, Steiner tha se bartja e kompetencave është vënë në rrugë të mbarë. “Mendoj se i gjithë ky proces është rilegjitimuar nga KS dhe kjo është vënë në rrugë të mbarë dhe nuk besoj se ky proces mund të ndalet”- tha Steiner.

Ai tha se edhe vetë ishte bërë pjesë e Kosovës, por do të punonte deri në orën e fundit të nisjes, edhe pse e dinte se gjithçka lidhur me mandatin e tij kishte përfunduar. “Me gjithë disa çështje përfundimtare, tani e kam kuptuar se koha ime ka përfunduar dhe kjo është një ndjenjë e çuditshme pasi edhe përvoja në Kosovë ishte një përvojë unikate" - tha Steiner, i cili megjithatë ka paralajmëruar se nesër dhe pasnesër do të jenë dy ngjarje shumë të rëndësishme për Kosovën, pa dashur të tregoj se për çka është fjala.
XS
SM
MD
LG