Ndërlidhjet

STEINER I THA LAMTUMIRËN E FUNDIT DREJTUESVE TË INSTITUCIONEVE TË KOSOVËS


Nadie Ahmeti, Prishtinë

E ardhmja e Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian, ka thënë shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Michael Steiner, në ditën e fundit të qëndrimit të tij në Kosovë në postin e shefit të administratës ndërkombëtare. Ai këto komente i ka bërë në një takim lamtumire me drejtues të institucioneve dhe të partive politike të Kosovës:
"Procesi drejt Evropës që është i rëndësisë qëndrore për Kosovën, tani ka marrë udhën e mbarë dhe unë personalisht jam i bindur për këtë. Nëse shikojmë se çfarë është me rëndësi për Kosovën, aty ka shumë gjëra, por sigurisht se në planin afatgjatë më e rëndësishmja është që të kemi një rrugë të operacionalizuar drejt BE-së", ka thënë Steiner, i cili fillimisht është takuar me kryetarin e Kosovës, Ibrahim Rugovën, i cili e ka falënderuar atë për punën e deritashme dhe ka shtuar se pret nga Steiner që edhe në të ardhmen ta ndihmojë Kosovën:
" Gjithsesi perspektiva e Kosovës është ajo e një vendi të pavarur të integruar në NATO dhe Bashkimin Evropian. Ne i kemi filluar disa procese me Bashkimin Evropian gjatë mandatit të zotit Steiner dhe miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës", tha Ibrahim Rugova. Edhe kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, e ka cilësuar mjaft të suksesshme punën e Steinerit në Kosovë. Kryeministri Rexhepi tha se zoti Steiner ka ardhur me një energji dhe me një gadishmëri vendimmarrëse:
"Pra ka qenë konstituimi i Qeverisë dhe presidencës pas humbjes së kohës dy-tre muaj; po ashtu në transferin e kompetencave janë bërë përgatitjet e duhura, ka ardhur deri te një transfer i tyre dhe do të vazhdojë si proces. Shumë me rëndësi janë edhe ligjet të cilat i ka nënshkruar, po ashtu duhet ta përmend edhe Marrëveshjen e parë të Tregtisë së Lirë me Shqipërinë, që për ne bashkarisht është një sukses mjaft i madh që ka ndodhur sot", tha Bajram Rexhepi.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, ndërkaq duke i dhuruar zotit Steiner një libër, tha se ai në konceptin e tij kishte përmbushur tërësisht atë që pritej nga ai:
"Kritikat që i kam bërë kohë pas kohe kanë qenë për të katalizuar proceset se zoti Steiner ka kapacitet, ka njohuri, ka personalitet të formuar dhe kjo ka ndihmuar gjithmonë që t’i shkurtojë dhe mund t’ju them që shkurtimi i rrugës në drejtimin e duhur për këtë periudhë është për më tepër se 500 për qind", tha Daci.
Mikpritësi që i dha lamtumirën e fundit zotit Steiner në këtë post, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, tha se zoti Steiner ka punuar mjaft për ndërtimin e institucioneve të Kosovës dhe për zgjidhjen e problemit të Mitrovicës, me gjithë faktin se atje ende ka probleme:
"Zoti Steiner ka ndikuar në krijimin e një klime më tolerante ndërpartiake dhe ndëretnike në Kosovë, në përfitimin e kooperimit të Kosovës me të gjitha vendet fqinje dhe krijimin e hapësirave legale për integrimin e Kosovës në strukturat euro-atllantike dhe natyrisht për implementimin e standardeve para statusit", tha Thaçi.
Sidoqoftë, Steiner i cili nesër në mëngjes largohet nga Kosova tha se për çdo moment ndarja i bëhej më e vështirë:
"Po bëhet gjithnjë e më vështirë të largohem, por do t’ia arrij ta bëj këtë nesër në mëngjes. Kur u thua lamtumirë liderëve të institucioneve dhe partive këtu, e sheh se sa afër zemrës është Kosova dhe se sa ajo është bërë pjesë e juaja", tha kryeadministratori i derisotëm i Kosovës, Michael Steiner, i cili për 18 muaj ka qenë në krye të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ndërsa tani shkon në detyrën e ambasadorit gjerman në selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.
XS
SM
MD
LG