Ndërlidhjet

KRITIKA NDAJ VENDIMEVE TË KONGRESIT TË PDSH-SË


Zërijeta Hajro Jahjaga

Kongresi i Partisë Demokratike Shqiptare tregon qartë se kjo parti vazhdon të ecë me hapa prapa me atë që edhe më tej nuk tregon vullnet të reformimit në kontekst të konstruktiviteti, vlerëson nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Agron Buxhaku, duke folur rreth kongresit të fundit të PDSH-së dhe platformës së re të dalë nga ky kongres.
" Unë mendoj se është një gabim që PDSH-ja nuk po reformohet në kuptimin e platformës programore. Së pakti fillimisht e ka bërë VMRO-ja", thotë Agron Buxhaku. Duke komentuar pikën e parë të platformës së PDSH-së ku parashihet e drejta e vetvendosjes së popujve në Maqedoni, nënkryetari i BDI-së nënvizon se bëhet fjalë për ide të parealizueshme dhe mbi të gjitha në dëm të vetë partisë.
" Me idetë e mëparshme për shtete etnike, dhe me këtë të fundit, e cila praktikisht nuk mund të realizohet pasi kemi të bëjmë me një shtet unitar, unë mendoj se edhe më tuje do të humbin kredibilitetin në mes të votuesve", thotë Agron Buxhaku, ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar e ka dënuar ashpër qëndrimin e lidershipit të PDSH-së pas kongresit të partisë se mosjetësimi i dokumentit të Ohrit duhet të jetë shkak për gjetjen e rrugëve të tjera, përkatësisht krijimin e shteteve etnike.
" Bazë themelore e dokumentit të Ohrit është koncepti për një Maqedoni unitare dhe multietnike. PDSH-ja është nënshkruese e marrëveshjes së Ohrit dhe si e tillë duhet të respektojë modelin për të cilin ka dhënë firmën", thotë zëdhënësja e Bashkimit Evropian në Shkup Irena Gjuzelova.
Ideja për vetëvendosje të popujve në Maqedoni është mbështetur nga Partia për Prosperitet Demokratik dhe lideri i kësaj partie Abdul Menat Bexheti ka theksuar se nëse brenda 6 muajve të ardhshëm nuk do të shënohen hapa të dukshëm në drejtim të jetësimit të dokumentit të Ohrit, Partia e Prosperitetit Demokratik do të rinxitë idenë e vjetër të partisë, e cila është e njëjtë me atë të PDSH-së.
" Në lidhje me një akt të vetëvendosjes mendoj se para 10 vitesh PPD-ja ka bërë një referendum për vetëvendosje, pavarësisht se deri më sot ajo nuk është jetësuar deri në këtë fazë".
Nga ana tjetër ekspertët maqedonas kanë theksuar se të drejtën e vetëvendosjes e kanë të gjithë popujt, por siç shprehet Gjeorgji Ivanov, politolog në Fakultetin Juridik në Shkup, shqiptarët e kanë realizuar të drejtën e vetëvendosjes.
" Populli shqiptar tanimë e ka realizuar të drejtën e vetëvendosjes duke themeluar shtetin shqiptar që quhet Republika e Shqipërisë dhe kjo ide është e parealizueshme në Maqedoni", thekson Gjeorgji Ivanov. Ndërsa përfaqësuesit e partisë më të madhe në pushtet Lidhjes SocialDemokrate, idenë e PDSH-së për vetëvendosje e kanë komentuar si humbje të rejtingut nga ana e kësaj partie në terren dhe me një radikalizëm të tillë Partia Demokratike Shqiptare dëshiron të përfitojë pikë në politikë.
Ndërkohë partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE ende nuk ka shprehur qëndrimin e saj. Sipas një anëtari të kryesisë së kësaj partie, brenda këtyre ditëve do të mblidhet kryesia e VMRO-DPMNE-së dhe do të dali me qëndrimin e saj.
XS
SM
MD
LG