Ndërlidhjet

POLICI I UNMIK-UT AKUZOHET PËR DHUNË NGA VENDI I TIJ


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

UNMIK-u nuk ka infrastrukturë për të filluar hetimet kundër policit të UNMIK-ut nga Zimbabveja, Henri Dova, të cilin vendi i tij e akuzon për dhunë dhe torturë gjatë vitit 2002 dhe fillimit të këtij viti, ka thënë sot zëdhënësi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Sunil Narula, duke konfirmuar se UNMIK-u ka marrë nje letër në të cilën janë bërë të ditura dyshimet ndaj policit Dova: “Ne kemi marrë një letër lidhur me policin nga Zimbabveja dhe e dimë rrezikshmërinë e dyshimeve të bëra ndaj këtij polici”, tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Sunil Narula.
Mirëpo, polici nga Zimbabveja ende kryen punën e tij si ruajtës i rendit, në policinë e UNMIK-ut, pasi UNMIK-u nuk mund t’i përgjigjet kërkesës së Zimbabvesë për të filluar hetimet ndaj policit të inkriminuar: “Pas shqyrtimit shumë të kujdesshëm, me keqardhje kemi përfunduar se UNMIK-u nuk mund ta procedojë rastin penal të policit nga Zimbabveja në Kosovë”, tha Sunil Narula, sipas të cilit rasti nuk mund të procedohet për shkak se UNMIK-u nuk ka infrastrukturën e nevojshme për të ndërmarrë ndonjë aksion kundër policit, të cilin vendi i tij e akuzon për dhunë dhe torturë. Zoti Narula tha se burimet e UNMIK-ut janë shumë të limituara, pasi për të proceduar një rast të tillë duhet një prokuror dhe gjykatës ndërkombëtar, ndërkohë që ata që janë në Kosovë janë tepër të zënë me punë të tjera.
Sidoqoftë, lidhur me mundësinë që atij t’i ndërpritet kontrata e punës dhe të kthehet në vendin e tij, zoti Narula tha: “Ne po shikojmë këtë rast dhe do të shohim, pasi aktualisht po këshillohemi me selinë e Kombeve të Bashkuara për të parë se si do të veprojmë më pas”, tha zoti Narula
Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara kanë pohuar se letra kundër policit Henry Dova që përmban dyshimet se ai ka kryer një varg veprash penale të dhunës dhe torturës në vendin e tij para se të vinte në Kosovë, ka ardhur një muaj më parë. Tani, i mbetet selisë së Kombeve të Bashkuara të vendosë të fillojë hetimet, ta kthejë mbrapsht policin problematik apo ta lërë ta vazhdojë ruajtjen e rendit në Kosovë deri në përfundim të kontratës.
XS
SM
MD
LG